Live Stories from Prishtina

LIVE

20 Janar, 2025

Ky artikull ka një qasje sarkastike.

Bedri Hamza, në një nga pjesëmarrjet e tij të fundit televizive, ndau si detaj që, në përzgjedhjen e kandidatëve të Partisë Demokratike për deputetë, është përkujdesur që secili prej tyre të ketë një profesion jashtë politikës, në mënyrë që politika të mos jetë e vetmja shtyllë ku mbështeten.

Menjëherë u hap një diapazon tjetër: në një realitet paralel, ku figurat që sot dominojnë politikën janë të zëna me profesione të tjera, cilat do të ishin ato dhe si do të performonin?

Albin Kurti – Filozof kafeneje
Për ata që e njohin Kurtin, mendimi i lirë është një me të. Jashtë politikës, ai do të ishte i ulur në një kafene në Prishtinë, me një shishe ujë dhe libra të pafund në tavolinë. Albinin do ta gjeje duke diskutuar mbi rëndësinë e revolucioneve të vogla në historinë botërore ose duke analizuar përse rënia e kapitalizmit është çështje jetike. Puna e tij do të ishte të provokonte debate të pafundme mes kalimtarëve, duke kërkuar në këmbim vetëm një espresso të mirë.

Bedri Hamza – Konsulent financiar me seriozitet të ftohtë
Nëse politika nuk do të ishte rruga e tij, Bedri Hamza do të punonte në një zyrë të ftohtë korporative, duke udhëzuar bizneset se si të shmangnin tatimet me stil (:P). Me një laptop gjithmonë në dorë, Bedriu do të hartonte plane që do të kompleksonin punëtorët zviceranë. Klientët e tij do të thurnin lavde për të, ndërsa kolegët do ta pyesnin veten: “Qysh po numëron kaq shpejt, bre?”

Lumir Abdixhiku – Lifestyle Influencer
Ani pse është magjistër shkence në fushën e ekonomisë, do të zgjidhte diçka krejt tjetër pasi ta zbulonte talentin e tij të dytë më të mirë. Me paraqitjen e tij të rregullt dhe fjalimet e kuruara, Lumiri do të kishte sukses si një yll Instagrami. Ai do të postonte foto në çdo kafe elegante në Kosovë, duke shoqëruar çdo postim me citate frymëzuese si: “Çdo filxhan kafeje është një hap drejt ëndrrës suaj.” Videot e tij do të përmbanin këshilla për si të visheni për sukses dhe si të bëheni liderë duke buzëqeshur. Bashkëpunimet me brande luksoze do të ishin kulmi i tij profesional.

Ramush Haradinaj – Trajner palestre dhe motivues
Si personalitet i ndërthurur mes forcës fizike dhe karakterit energjik, Ramushi do të kishte hapur një palestër që do të bëhej qendra e transformimit fizik për gjithë Dukagjinin. Duke veshur një bluzë të ngushtë, ai do të mbante fjalime motivuese mes serive të ushtrimeve, si: “Sot ngrini peshë! Nesër do të ngrini Kosovën!” Shumë shpejt, palestra e tij do të fitonte famë rajonale si “Bastioni i Ramushit.”

Memli Krasniqi – Rock star me stil
Me një karizëm dhe dashuri të dukshme për muzikën, Memli do të kishte zgjedhur të ishte frontmeni i një grupi rock. Ai do të ndizte skenën në festivalet lokale me tekstet e tij patriotike dhe refrenet që do të bënin turmat të kërcenin. Njëkohësisht, ai do të ishte ambasador i “rock-ut për paqe,” duke ndërthurur artin me aktivizmin.

A do të bënin mrekulli jashtë politikës? Çfarëdo rruge të kishin zgjedhur, të gjithë do të dalloheshin për karizmën dhe vendosmërinë e tyre. Por nëse këta liderë do të ndiqnin profesionet e mësipërme, a do të kishte në Kosovë aq shumë debate politike? Apo do të ishim të gjithë duke pirë kafe me Kurtin, duke investuar me Hamzën, duke ndjekur Abdixhikun në Instagram dhe duke ushtruar me Ramushin? Hmm…