Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Qershor, 2025

Në historinë e shqiptarëve, arti rrallëherë ka qenë thjeshtë estetikë. Në mungesë të fjalës së lirë, arti foli. Në mungesë të shtetit, arti dëshmoi. Në kohë lufte, arti mbijetoi për të mos harruar.

Nga skicat e fshehura në copa kartoni, deri te portretet e heshtura që ngërthenin dhimbje shekullore shumë prej pikturave shqiptare nuk u krijuan për galeri, por për ndërgjegje.

Dhe ndonëse nuk patën gjithmonë publik, ato patën mision!
Më poshtë janë veprat më të njohura të piktorëve shqiptarë dhe arsyet pse kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.

Portreti “Motra Tone” është Mona Lisa e Shqipërisë.

E përfunduar në vitin 1883, është kryevepra e Kolë Idromenos dhe piktura më ikonike e artit shqiptar. Gruaja e paraqitur, është motra e vetë artistit, e cila ka veshur kostum tradicional kombëtar dhe shikon me drojë në të majtë. Velloja e saj e bardhë i jep dritë portretit dhe “kontraston” me sfondin e errët.

Piktura pasqyron pozicionin e rëndësishëm të grave në familjet shqiptare, duke transmetuar si cenueshmëri, ashtu edhe krenari. Edhe pse piktori e bëri këtë vepër në një moshë të re, me kalimin e kohës ajo ishte shndërruar në një kryevepër dhe në një simbol të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në art.

Piktori Idromeno, e realizoi në moshën 23 vjeçare dhe është vepra e parë realiste në artet pamore shqiptare.

Pas vdekjes së motrës Tone (1890), piktori Idromeno e mori pikturën dhe në shenjë kujtimi për motrën e vendosi në shtëpinë e tij. Ky qëndrim i të “mbyllurit” i përngjan historisë së veprës “Mona Liza” që ishte e vendosur në shtëpinë e piktorit Leonardo, ashtu disa vite radhazi.

Portreti “Motra Tone” i piktorit Idromeno, asnjëherë nuk është ekspozuar sa ishte gjallë piktori dhe nuk ishte ekspozuar në asnjë ekspozitë që organizoheshin në atë kohë. Megjithatë, dihet mirëfilli se kjo vepër është ekspozuar, për të parën herë 71 vjet pas krijimit të veprës.

S’do mend se në fillim, ky portret është quajtur, pak më ndryshe, si “Portret i gruas Shkodrane”, e më vonë kur vepra erdhi në Galerinë Kombëtare (pas vitit 1954) u emërua si “Motra Tone”.

Ndodhet në: Galerinë Kombëtare të Artit, Tiranë.

Vangjush Mio konsiderohet peizazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit të XX-të.

Mbi 400 piktura të tij ruhen në muze dhe galeri arti në Tiranë dhe Korçë, veçanërisht në shtëpinë e tij në Korçë, e cila tashmë shërben si muze. Ai kujtohet veçanërisht për peizazhet: vezullimin e plepave nën diellin vjeshtor me ujërat e liqenit të Ohrit dhe fushat e Korçës të mbuluara me borë nën dritën e diellit dimëror.

Kjo pikturë peizazhi e Mios është një përzierje ngjyrash vaji që pasqyrojnë një skenë kënetore dhe të trazuar. Piktori e ka përdorur qartësisht furçën e tij për të krijuar turbulencën që dominon punën e tij. Kjo pikturë është një nga veprat më të hershme të Vangjush Mios që i hapi rrugën pikturave të tij të mëvonshme peizazhistike me një ndjesi të ngjashme impresioniste.

Në vitin 2018, ekspozohet për herë të parë në Venecia të Italisë, piktori impresionist Vangjush Mio, në sallën Tiziano të Qendrës Kulturore Don Orione.

Spiro Xega fillimisht jetonte si tregtar në tregun e qytetit të Korçës.

Pasioni i tij më i madh ishin artet e bukura. Pavarësisht pasionit të tij në pikturë, ai ishte tejet i përfshirë në çështjen kombëtare.

Ai ishte anëtar i Shoqërisë së Stambollit duke mbajtur gjithnjë lidhje me patriotët e Rilindjes Kombëtare. Patriotizmi i tij ishte shumë i theksuar dhe ky idealizëm e detyroi atë që të merrte pjesë në çetën e Çerçiz Topullit, me synim shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo pikturë kalorësie e Skënderbeut është një nga pikturat më të famshme të Spiro Xegës. Ajo e paraqet heroin kombëtar të Shqipërisë si një “Napoleon shqiptar”. Kjo mbetet një nga portretizimet më të paharrueshme të Gjergj Kastriotit në artet figurative.

Një shoqatë artistësh në Ferizaj mbanë emrin e tij, që nga vitet e 70-ta.

Emrin “Zef Kolombi” e ka marrë për nder të piktorit shkodran të rilindjes Zef Kolombi.

Zef Kolombi nuk lindi piktor. Ishte jetim, punoi si këpucëtar në Sarajevë, si punëtor nate në Itali, si nëpunës në një hotel në Shkodër. Por dashuria për artin nuk e la kurrë.

Vizitonte muze pa para, kopjonte mjeshtrit me dorë të lodhur nga puna dhe më në fund ja doli të studionte në Akademinë e Arteve në Romë. Kur u kthye, pikturonte ditën dhe jepte mësim vizatimi në Elbasan.

Ngjyra e kuqe, kafja dhe e bardha dominuan në veprat e tij – ngjyra të tokës dhe të përvojës së jetës. Sot, ato gjenden në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Vepra “Portreti i një gruaje”, të lë më së shumti përshtypje.
Piktura nuk ka emër të shënuar. Disa studiues besojnë se është një figurë reale nga rrethi i ngushtë i Kolombit, ndoshta një familjare ose njohje nga Shkodra e viteve ’30. Të tjerë mendojnë se është një grua arketipike shqiptare, që përfaqëson qetësinë, dinjitetin dhe qëndresën.

Kthehemi prap tek Kolë Idromeno, “Dasma Shkodrane” 1924.

Piktura është kompozuar si një homazh për ceremoninë e dasmës shqiptare, duke përfaqësur pjesën më emocionale të një rituali dasme shqiptare: shoqërimin e nuses nga shtëpia e saj. Gëzimi i anëtarëve të familjes, fqinjëve dhe pjesëmarrësve vihet re lehtësisht falë aftësive të mahnitshme të Idromenos. Tabloja u përfundua në vitin 1924, pas pesë vitesh pune të detajuar dhe delikate. Piktura me të drejtë quhet një “thesar etnografik” i artit shqiptar.

Ndodhet në: Galerinë Kombëtare të Artit, Tiranë.