N’Kosovë
14 Shkurt, 2025
Për ta nisur një letër kudo me postë, posta nuk e merr letrën nëse nuk ka pullë postale.
Tash ju vetë me vete mundeni me thanë “po kush nis more letër sot?”
Po, rrallë e hiç ama nuk është që nuk praktikohet. Shumë njerëz, i kujtojnë letratë që i kanë nis për Vitin e Ri ose për ditëlindjet e personave më të dashur.
Këtë javë, Posta e Kosovës në nderim të 80-vjetorit të gazetës “Rilindja”, në qarkullim postar e ka vendosur emisionin e ri të pullave postare.
Në njoftimin e lëshuar në Facebook, thuhet se ky emision i pullës postare rendit kontributin e gazetarëve, redaktorëve dhe gjithë punonjësve të medias së parë të shkruar në Kosovë “Rilindja”, që nga botimi i numrit të parë të gazetës, më 12 shkurt 1945.
Për të falenderuar, angazhimin e madh të punonjësve, që gazeta “Rilindja” të ishte në duar të lexuesve nga 12 shkurti i vitit 1945.
“Kontributi i gazetës ‘Rilindja’ nuk kufizohet vetëm në fushën e informacionit, pasi që nga viti 1946, bëhet bartëse e aksioneve të shumta për zhdukjen e analfabetizmit dhe të fushatave për arsimimin e gruas. Me bartjen e shtypshkronjës në Prishtinë në vitin 1958, rritet edhe numri i botimeve, kur gradualisht “Rilindja” shndërrohet në gazetë ditore”, thuhet në njoftim.
Tash mundeni me pas një këso lloj pulle postare.

Sipas Neni 16 në ligjin për sherbimet postare: Pulla postare duhet të përdoret për pagesën e taksës postare për dërgesat në komunikacionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Por a e dini që përdorimi i pullave postare, është vendosur për të ndalur manipulimet?
Pulla e parë postare lindi në Angli dhe u lëshua në qarkullim më 6 maj 1840. Nevoja për implementimin e pullave postare u motivua nga një ngjarje që e përjetoi reformatori i postave angleze – Roland Hill.
Ngjarja ndodhi kështu: gjatë një inspektimi postar që po bënte z. Hill, ndodhi që të ishte dëshmitar i përpjekjeve për dorëzimin e një letre një vajze, e cila pasi e shikoi me kujdes zarfin, ia ktheu postierit duke u arsyetuar se nuk kishte të hollat e duhura.
Hill-i i prekur nga skena që pa, u përpoq ta paguante taksën dhe t’ia dorëzonte letrën vajzës… Vajza, e prekur nga gjesti i Hill-it, rrëfeu sekretin: ajo ishte marrë vesh me të dashurin, që kishte shkuar në shërbimin ushtarak, që përmes shenjave konvencionale, që do të shkruheshin në pjesën e jashtme të zarfit, do të kuptohej mesazhi. Përndryshe, zarfi përmbante një letër të bardhë pa asnjë shkrim… Pasi u kthye në Londër, reformatori i postave angleze gjeti zgjidhjen për pamundësimin e manipulimeve.
Propozoi që tarifat të paguheshin nga dërguesit e letërdërgesave, përkatësisht pakove. Që të mos humbej kohë gjatë shënimeve për pagesën e kryer, nëpër dërgesat postare u vendos që të zbatoheshin “skedinat” ngjitëse të përgatitura pikërisht për këtë qëllim dhe me vlerë të caktuar monetare.
***
Pullat postale kosovare kanë një rëndësi të veçantë, duke përfaqësuar jo vetëm shërbimin postar, por edhe identitetin kulturor e kombëtar të vendit. Emisioni i parë i pullave postare në Kosovë u lëshua më 15 mars 2000, me temën “Paqe”, gjatë periudhës së administrimit nga Misioni i Kombeve të Bashkuara.
Pas shpalljes së pavarësisë në 2008, Posta e Kosovës ka vazhduar të prodhojë pulla postare që promovojnë trashëgiminë kulturore, natyrën, artin, shkencën dhe figurat historike të Kosovës.
Deri më sot janë emetuar 248 emisione me 615 pulla postare, përfshirë tema si Epopeja e UÇK-së, Nënë Tereza, trashëgimia arkeologjike dhe natyrore, si dhe figura të shquara kombëtare e ndërkombëtare si Ali Podrimja dhe Ernest Koliqi. Disa nga këto pulla kanë fituar njohje ndërkombëtare, si ajo për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe seria “Mendo Gjelbër”.
Këto pulla jo vetëm që janë vlerësuar nga koleksionistë ndërkombëtarë, por gjithashtu kanë kontribuar në përhapjen e njohurive për Kosovën në botë.
Disa lloje te pullave postare:


