Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Mars, 2026

Ajo që ndodhi është aq e rëndë, sa çdo fjali tingëllon e vogël përballë realitetit.

Një fëmijë pesëvjeçar nga Lipjani luftoi për jetë këto ditë, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim.

Si fillim rasti u cilësua “shkelje e detyrimeve familjare”, teksa u bë e ditur se dy prindërit janë dërguar në mbajtje.

E megjithatë, ai sot është në një shtrat spitali, duke u rikuperuar nga diçka që nuk duhej të ndodhte kurrë.

Kjo nuk është vetëm historia e një familjeje, kjo është histori e një sistemi që nuk arriti me e ndalë dhimbjen në kohë.

Sepse ky rast nuk ishte i panjohur, sepse kishte shenja, sepse kishte vite dhe në ato vite, dikush duhej të shihte më shumë. Dikush duhej të vepronte më herët, dikush duhej të mos e linte një fëmijë të mbërrinte në këtë pikë.

Kjo është një letër për institucionet.

Për ata që kanë përgjegjësi ligjore, për ata që kanë përgjegjësi morale, për ata që sot flasin për kompetenca, për procedura, për nivele përgjegjësie.

Një fëmijë nuk e kupton “kompetencën” ai e kupton vetëm nëse është i sigurt apo jo dhe në këtë rast nuk ishte.

Kur një familje nuk mund të kujdeset, shteti duhet të jetë mburojë, kur një prind nuk mund të mbron, sistemi duhet të ndërhyjë, kur një rast është i njohur prej vitesh, heshtja nuk është më veç gabim është bashkëpërgjegjësi.

Kjo është edhe një thirrje për shoqërinë, mos e kaloni si një lajm “i radhës”, mos e harroni nesër!

Sepse sot është ky fëmijë, nesër mund të jetë një tjetër nëse prap vazhdojmë me heshtje, me indiferencë dhe me arsyetime.

Dhe për ty, vogëlush… ti meriton kujdes, siguri, dashni jo frikë, jo dhimbje.

Uroj që një ditë, kjo që po kalon sot të mbetet vetëm një kujtim i largët dhe që bota më në fund, të bëhet vendi që duhej të ishte për ty që nga fillimi.

Sepse e vërteta është e thjeshtë dhe e dhimbshme, kjo nuk duhej të ndodhte.

Kjo ngjarje sot po konsiderohet si dështim i shtetit, ku dy prindër u arrestuan të martën nën dyshimin se e kanë keqtrajtuar fëmijën e tyre pesëvjeçar. Fëmija ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve. Klinika e Pediatrisë njoftoi të mërkurën se ai i është nënshkruar intervenimit kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike. Gjendja e tij është stabile. E dy prindërve iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji.

Blerim Shabani nga Ministria për Familje, ka mbajtur një konferencë për media lidhur me rastin.

Shabani tha se edhe gjashtë fëmijët e tjerë të kësaj familje janë vendosur në një vend të sigurt, dhe sipas tij, po marrin përkujdesjen e duhur, transmeton Klankosova.tv.

“Fëmijët janë vendosur në një vend të sigurt, dhe janë duke marrë përkujdesjen institucionale në përputhje me përgjegjësitë e të gjitha mekanizmave zyrtarë”, tha ai para mediave.

Ndërkaq Qendra për Informimin dhe Përmirësimin Social ka thënë se ndër shkaktarët që çuan te ky rast ka qenë mosfunksionimi i sistemit të shëndetit mendor.

Kësaj familjeje, sipas QIPS-it, i ishin larguar fëmijët përkohësisht katër vjet më parë pasi Qendra për Punë Sociale e kishte alarmuar Policinë për kushtet e jetesës dhe se neglizhenca e fëmijëve ishte rezultat i problemeve të shëndetit mendor me të cilat ballafaqohej nëna e fëmijëve.

“Në atë kohë, nëna e fëmijëve ishte dërguar në Klinikën Psikiatrike të Prishtinës, ku supozohet se është diagnostikuar nga stafi dhe i janë ndarë mendimet gjykatës rreth aftësisë së individit për vetë-kujdesin dhe kujdesin ndaj fëmijëve të saj. Megjithatë, pavarësisht situatës dhe shqetësimeve të ngritura, gjykata riktheu fëmijët dhe, sipas informatave që kemi, familja ka mbetur tërësisht e pambështetur dhe pamonitoruar nga shërbimet e shëndetit mendor përgjatë këtyre viteve”, thuhet në reagim.

QIPS-i ka thënë se Qendrat e Shëndetit Mendor e kanë të vështirë funksionimin për shkak të mungesës së mbështetjes nga Ministria e Shëndetësisë.

“Andaj, ne thërrasim që Ministria e Shëndetësisë, me urgjencën dhe kujdesin më të lartë, të mobilizojë burimet e veta për fuqizimin e shërbimeve komunitare të shëndetit mendor dhe ristrukturimin e strategjive të shëndetit mendor drejt mbështetjes, risocializimit dhe fuqizimit në komunitet”, u tha në reagim të QIPS-it.

Ndërkaq në reagimin e zyrës së UNICEF-it është thënë se rasti është shkelje serioze e Konventës për të drejtat e fëmijëve.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që shkel detyrimet e tij ligjore familjare, duke lënë në gjendje të rëndë një anëtar të familjes që nuk është në gjendje të kujdeset për veten, dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet. E kur viktima është fëmijë, dënimi rritet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Uroj që të mos jemi vonë për këto nene!