Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Dhjetor, 2024

Ves që nuk heqet lehtë: Serbia pengon avancimin e statusit të Kosovës

Delegacioni i Serbisë në Këshillin e Evropës ka kundërshtuar ngritjen e Kosovës në “statusin e mysafirit special”, avancim ky që i mundëson Kosovës rol më të mirë brenda Këshillit të Evropës ende pa qenë anëtare e organizatës.

Çfarë nënkupton ky status?

Është një pozicion ndërmjetës që u jep disa privilegje shteteve ose entiteteve që nuk janë anëtare të plota, duke përfshirë mundësinë për të marrë pjesë në disa aktivitete ose takime të organizatës.

Ky status mund të shihet si një hap drejt anëtarësimit të plotë, ndaj është një çështje shumë politike për shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Çka ndodhi në këtë rast?

Serbia e pengoi atë (si gjithmonë në mënyrë dinake).

Shefja e delegacionit serb, Biljana Pantiq Pilja, deklaroi publikisht se delegacioni serb ka arritur të heqë nga rendi i ditës në Komitetin Politik të Këshillit të Evropës këtë pikë, duke e cilësuar këtë si një sukses të diplomacisë serbe dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Sipas saj, Serbia kishte mbështetjen e Spanjës dhe Hungarisë, që tradicionalisht janë më të rezervuara ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sigurisht që këtë e bëri duke akuzuar qeverinë e Kosovës për njëanshmëri (këtu hyn ajo pjesa ku serbët i mbyllin sytë për sulmet e shkaktuara dhe e konsiderojnë shtrirjen e lirisë së qeverisjeve lokale në veri si uzurpim).

Më në fund kemi reagim nga Bashkimi Evropian, që mban anën tonë. BE-ja e ka cilësuar këtë veprim dhe deklaratë të Serbisë si shkelje të marrëveshjes për normalizimin e raporteve, e cila përmban një dispozitë që ndalon Serbinë të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Çfarë do të thotë kjo?

Serbia ka vepruar në kundërshtim me një marrëveshje të dakorduar me ndërmjetësimin e BE-së, që parashikon largimin e pengesave.
Deklarata e BE-së shprehet e shqetësuar për sinqeritetin e Serbisë në respektimin e obligimeve ndërkombëtare, dhe kjo mund të ketë pasoja në marrëdhëniet e Serbisë me BE-në.

Si lidhet kjo me marrëveshjen e dialogut?

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Serbia është zotuar të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kjo përfshin çdo hap që mund të përmirësojë statusin ose pozitën e Kosovës brenda këtyre organizatave. Prandaj, ndërhyrja e Serbisë për të hequr këtë pikë nga rendi i ditës është interpretuar nga BE-ja si shkelje e marrëveshjes.