Live Stories from Prishtina

LIVE

6 Korrik, 2025

Në spitalin e qytetit Calais në Francën veriore, një kalë i quajtur Peyo është kthyer në një figurë të dashur për pacientët që ndodhen në fazën e fundit të jetës. Peyo nuk është thjesht një kafshë, por një prani ngushëlluese që sjellë paqe, prehje dhe një ndjenjë ngrohtësie në një vend ku dhimbja dhe frika janë të pranishme çdo ditë.

I gjatë, me një trup të fuqishëm dhe me ngjyrë të thellë kafe, Peyo dikur ishte pjesë e garave me kuaj dhe performonte në mënyrë të mrekullueshme me trajnerin e tij, Hassen Bouchakour. Por një ditë, pas një shfaqjeje, Bouchakour vuri re diçka të çuditshme: Peyo nuk shkonte rastësisht tek njerëzit. Ai zgjidhte me kujdes dikë nga turma shpesh një person që vuante, që ishte i sëmurë ose emocionalisht i tronditur dhe qëndronte pranë tij me një qëndrim të qetë, si për t’i dhënë forcë.

Ky gjest u përsërit aq shpesh, saqë Hassen filloi ta marrë seriozisht, ndoshta kali kishte një aftësi që njerëzit nuk e kishin.

Pas një periudhe të gjatë vëzhgimi, vendosi t’i jepte fund karrierës së tyre në garat e kuajve dhe t’i përkushtohej një misioni tjetër, të ndihmonte njerëzit që po përballen me fundin e jetës.

Kështu lindi bashkëpunimi me organizatën “Les Sabots du Coeur” (Këpucët e zemrës), e cila merret me terapi emocionale përmes kafshëve. Prej gati nëntë vitesh, Peyo dhe Hassen vizitojnë pavionin e kujdesit paliativ në Spitalin e Calais-it. Aty, Peyo shëtit në korridore, ndalon para dhomave dhe me një ndjeshmëri të pashpjegueshme zgjedh pacientin tek i cili duhet të shkojë. Kur dëshiron të hyjë në një dhomë, ai e ngre një këmbë, si për të kërkuar leje dhe trajneri e ndjek.

Trajneri i tij thotë: “Nuk mund ta ndalosh. Ai e ndjenë. Kur e ndjenë, është si një thirrje e brendshme, e papërmbajtshme.”

Kur hyn në dhomë, Peyo afrohet ngadalë, shpesh vendosë kokën pranë dorës së pacientit ose i shtrihet afër shtratit. Disa prej tyre kanë vetëm edhe pak ditë apo orë për të jetuar dhe megjithatë, prania e tij krijon një ndjenjë qetësie jo vetëm për të sëmurin, por edhe për familjarët dhe personelin mjekësor.

Stafi i spitalit thotë se Peyo nuk gabon asnjëherë:

Ai e di saktësisht kush ka nevojë për të. Shpesh ndodh që pacientët që refuzojnë kontaktin me njerëzit, reagojnë me dashuri ndaj Peyo-s. Ata flasin me të, e përqafojnë, i rrëfehen si të ishte një mik i vjetër.

Vizitat e tij nuk janë të thjeshta për t’u realizuar. Për arsye higjienike, përgatitja është e gjatë dhe rigoroze. Por Hassen dhe Peyo janë të stërvitur për këtë. Kali është mësuar të paralajmëroj nëse i duhet të shkojë në tualet dhe nuk bën asnjë lëvizje pa lejen e trajnerit.

Për shumë familjarë, Peyo është një dhuratë e papritur në një moment shumë të vështirë. Shpesh ndodh që një buzëqeshje e vetme, një lot i lehtë pas kontaktit me të, i jep familjarëve ndjenjën se i afërmi i tyre po largohet me paqe.

Bouchakour thotë:
“Me Peyo-n, ne përpiqemi të rikthejmë jetën në momentet e fundit të saj. Të japim një ndjenjë të thjeshtë njerëzore – prani, ngrohtësi dhe qetësi. Ai nuk është një kalë që vepron sipas komandës. Ai është një shpirt që zgjedh vetë.”

Sot, Peyo ka më shumë se 100 mijë ndjekës në Instagram. Por përtej rrjeteve sociale, ai ka prekur thellësisht jetën e mbi mijëra pacientëve. Sipas raportimeve të personelit, prezenca e tij ka ndikuar pozitivisht në uljen e stresit, ankthit dhe dhimbjes tek shumë pacientë në momentet më të vështira.

Në një botë ku vdekja shpesh shihet si fundi i gjithçkaje, Peyo dëshmon se dashuria, ndjeshmëria dhe lidhja mes qenieve qofshin ato njerëz apo kafshë mund të mbeten të gjalla deri në frymën e fundit.