Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Shkurt, 2025

Po… jetojmë në kujtime… në kujtime që brenda kanë emocione aq të fuqishme, saqë edhe pasi të kenë kaluar, kanë fuqinë të na bëjnë të përjetojmë të njëjtat ndjesi.

Mjafton t’i mbyllësh sytë dhe të lundrosh. Aty i gjen njerëzit që i kemi humbur, por që zemra i ka ruajtur.

Sot, të enjten, e humbëm Alban Bujarin, fotoreporterin më të shquar të Kosovës dhe një nga të parët që ka dokumentuar periudhën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1997-99.

Lentet e kamerës së tij dhe vetë ai u bënë dëshmitarë të gjallë e informues vizualë për botën, përmes fotografive që shfaqën tmerrin e fëmijëve të vrarë, pleqve të braktisur mes frikës e dhimbjes, shtëpive të humbura mes vetmisë, pa njerëz brenda, e maleve, nga të cilat dilte tymi i djegies.

Ata që e kanë njohur dhe takuar Albanin ia njohin përshëndetjen e çiltër, mes buzëqeshjes së tij përkulëse, që shfaqte brendësinë e njeriut që ishte.

Albani nuk harronte fytyrat që shihte, njësoj si Kosova që nuk do ta harrojë fytyrën, trimërinë dhe punën e tij.

Sot, mes fjalëve më të mira, figurat më të rëndësishme të Kosovës po e përcjellin kujtimin për të.

Pak nga rrugëtimi profesional i Albanit:

(Huazuar nga Koha.net)

Alban Bujari ka nisur karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997, duke u bërë pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90-ta, në veçanti përleshjet e armatosura mes UÇK-së dhe forcave serbe, si dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe, puna e Albanit u botua në mediat më prestigjioze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Times”, “The Independent”, “The Guardian”, “El País”, “Fokus”, “Süddeutsche Zeitung”, “Kyoto News” e shumë të tjera.

Ndër fotografitë më të dalluara janë ato të masakrimit të familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrës së Reçakut më 1999, masakrës së shqiptarëve në Rogovë më 1999. Po ashtu, ai dokumentoi transformimin e UÇK-së në TMK e deri në FSK-në profesionale, me synim anëtarësimin në NATO.

Alban Bujari gjithashtu ka punuar për agjencinë evropiane të shtypit “EPA”, ku ishte përgjegjës për mbulimin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Le t’i kujtojmë fotot e Albanit, ato që përcjellin emocionin e momenteve të ndryshme historike, marrë nga faqja e tij në Flickr dhe mediat prestigjioze.

Plaku Koshare

Janar 21, 2013

Republika Kosoves Kuvendi Kosovës

Shkurt 24, 2012

Clinton në Prishtinë

Janar 21, 2013

Pavarësia e Kosovës

17 shkurt 2008

The Guardian

1999

Katedralja Prishtine

Gusht 13, 2010

Plaku Koshare

Tetor 22, 2011