Live Stories from Prishtina

LIVE

1 Nëntor, 2025

Një fenomen që ka pushtuar rrjetet sociale dhe klasat e shkollave në mbarë botën ka marrë tani edhe vulën zyrtare.

Dictionary.com ka shpallur “67”, e shqiptuar “six seven” (gjashtë shtatë) si “Fjala e Vitit 2025”.

Kjo shprehje e çuditshme, e shpikur dhe përhapur nga brezi “Alpha”, është kthyer në një mënyrë për t’u dalluar, për t’u argëtuar dhe për të treguar përkatësi mes të rinjve.

Për shumë të rritur duket si një fjalë pa kuptim, por ajo tashmë është bërë pjesë e gjuhës së përditshme në internet dhe në shkolla.

Pikërisht përhapja e saj e madhe ishte arsyeja pse ekipi i Dictionary.com e zgjodhi këtë si fjalën e vitit, tha Steve Johnson, drejtor i leksikografisë në Dictionary Media Group (IXL Learning), për CBS News.

“Diçka që menduam se do të zhdukej shpejt, në fakt u rrit dhe u kthye në një fenomen kulturor”, tha Johnson.

Dictionary.com ndjek fjalët që dominojnë në kërkimet në internet, në rrjetet sociale dhe në bisedat online. Grafiku se sa herë ishte përdorur “67” gjatë vitit tregoi një rritje të vazhdueshme.

Johnson kuptoi se kishin në dorë “diçka interesante” kur një mik i tij, mësues në shkollë të mesme, i dërgoi një mesazh herët në mëngjes:

“Mos e bëni ‘six seven’ fjalën e vitit!”

“Kur e lexova, mendova: ‘Ah, pra tani edhe mësuesit qenkan të përfshirë,’” tregoi ai me humor.

Reagimet ndaj këtij vendimi janë të ndara sipas brezave.

“Kjo është një mënyrë që brezi i ri të tregojë aftësinë e vet gjuhësore dhe të lërë gjurmë në gjuhën angleze dhe kjo meriton të festohet,” tha Johnson.

Çfarë do të thotë realisht “67”?

“67” është ndryshe nga fjalët e mëparshme të vitit sepse nuk ka një kuptim të qartë.

“Është ndoshta fjala e parë e vitit që është më shumë një ndërmjetësim (shprehje emocionale) sesa një fjalë me kuptim konkret”, shpjegoi Johnson.

“Është diçka që njerëzit thjesht e thonë për argëtim dhe kjo vetë është diçka e re dhe interesante”.

Disa e përdorin si shprehje për “ashtu-ashtu”, disa për “ndoshta po, ndoshta jo”, kjo pasi shpesh shoqërohet me gjeste të duarve që lëvizin lart e poshtë. Por në thelb mbetet pa kuptim, sipas përkufizimit të Dictionary.com.

Në fjalor thuhet:

“Për shkak të përdorimit të paqartë dhe ndryshues, ‘67’ është një shembull i zhargonit ‘brainrot’ (një shprehje pa ndonjë kuptim të vërtetë).

Gjithashtu, shprehë një mënyrë për të treguar që dikush i përket një grupi apo brezi të caktuar.

“Është si një shaka që e kuptojnë vetëm ata që janë ‘brenda rrethit’. Një shenjë që thotë ‘ky është brezi im,’” shtoi Johnson.

Origjina e “67”

Fillmisht shprehja erdhi nga kënga e reperit Skrilla, me titull “Doot Doot (6 7)”. Më pas, ajo u përdor në video me lojtarë të NBA-së, si “LaMelo Ball”, i cili është 6 këmbë e 7 inç i gjatë (rreth 2.01 metra).

“Klipet virale në TikTok dhe Instagram që kombinonin këngën ‘Doot Doot (6 7)’ me pamje të basketbollit kanë filluar që nga tetori 2024″, shpjegoi Dictionary.com.

Prej andej, ajo u kthye në një “meme”, duke u përhapur shpejt mes të rinjve dhe së fundmi madje u përfshi në një episod të “South Park”.

“Çfarë do të ndodhë më pas dhe sa do të zgjas kjo, nuk mund ta parashikosh. Ndoshta duhet të presim gjashtë ose shtatë muaj për ta kuptuar”, shtoi Johnson me humor.

Cilat fjalë tjera ishin “kandidate” për “Fjalën e Vitit 2025”?

“Agentic” (në lidhje me inteligjencën artificiale) që vepron në mënyrë të pavarur për të arritur një qëllim, sikur të ishte një agjent njerëzor.

“Aura farming” praktikim i qëllimshëm mbi karizmën, stilin ose energjinë personale për vëmendje ose ndikim online.

“Gen Z stare” një shprehje kur e shfaq fytyrën e qetë ose indiferente, që shpesh interpretohet si mungesë interesi.

“Overtourism” situata kur një vend turistik vizitohet nga shumë njerëz, duke shkaktuar pasoja negative mjedisore, ekonomike dhe kulturore.

“Tariff” sistem taksash ose tarifash që vendos një qeveri për mallrat e importuara ose eksportuara.

“Tradwife” një grua e martuar që zgjedh të jetë shtëpiake dhe të ndjekë rolet tradicionale të femrës, shpesh e lidhur me vlera konservatore.

Në vitin 2024, “Fjala e Vitit u shpall “demure” që qëndronte kryesisht për t’u treguar “me rezervë, modest, i qetë”, por gjatë vitit 2024 mori kuptime të reja përmes rrjeteve sociale, ku përdorej për të përshkruar pamje ose sjellje elegante, të përmirësuar dhe të ndërgjegjshme.

A i bjen kjo që “67” do të marrë ndonjë kutpim tjetër jashtë “ashtu-ashtu” apo “ndoshta po, ndoshta jo”? Këtë nuk e dimë por do ta shohim. A e kemi dëgjuar të përdoret si shprehje në vendet tona? Personalisht jo, kjo ndoshta sepse i përkas gjeneratës Z.

xoxo, your writer