Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Nëntor, 2024

Kryeministri, Albin Kurti, duket se ka nisur maratonën për të transformuar rajonin.

Pas ambicieve për “Bashkimin Kombëtar” me Shqipërinë, tani radari i tij strategjik është drejtuar kah Maqedonia e Veriut.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë bashkim simbolik, por për një plan të mirëfilltë që nis nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Shefi i Qeverisë në Kosovë, po punon me parimin, nëse nuk mund të rrëzojmë kufijtë, le t’i zhvendosim brenda një ndërtese të përbashkët.

Në mbledhjen e sotme në mes dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Kurti, tregoi se kanë bërë një zbulim inovativ kufitar, për pikë kalimet Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë Jazhincë.

Modelin kufitar “hyrje-hyrje”.

Për ata që nuk e kuptojnë, ky model është aq revolucionar sa që tingëllon si një shpikje që mund të ndryshoj funksionimin ndërkufitar ballkanik.

Nga 1 janari, sipas Kurtit, zyrtarët kosovar dhe maqedonas do të ndajnë të njëjtën hapësirë, duke shënuar fillimin e epokës së re të “bashkëpunimit të thellë rajonal.”

Imagjinoni dy ekipe zyrtarësh që do të ndajnë një printer, një kafe dhe një linjë të përbashkët interneti.

Kurti, si gjithmonë, edhe kësaj radhe pati një përgjigje.

“Hyrje-hyrje është e ardhmja”.

Një ndërtesë, dy kufij, dhe një ëndërr e madhe për t’i çliruar qytetarët nga pritjet e pafundme.

Në një Ballkan ku kufijtë historikisht kanë qenë burim tensioni dhe ndonjëherë arsye për të luftuar, ideja e Kurtit për t’i kthyer kufijtë në projekt bashkëpunimi duket si një hap përpara.

Në vend që të grindemi se ku fillon dhe mbaron Kosova apo Maqedonia, tani mund të kemi konflikte më të thjeshta.

Kush do ta pastroj zonën neutrale?

Nëse gjithçka shkon sipas planit, më 1 janar 2025, qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të kalojnë kufirin me më pak stres dhe shumë më shpejt.

Ndërkohë, Albin Kurti do të vazhdojë të ëndërroj për kufij të bashkuar dhe pika kontrolli që do të jenë sinonim i harmonisë rajonale.