Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Tetor, 2024

Skandalet e publikuara nga mediat, ku përfshihej ambasadori Martin Berisha, në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, duket se kanë qenë shqetësim për figurat e larta të Vetëvendosjes.

Kjo u vërtetua pas publikimit nga “Nacionale”, të disa mesazheve që kishte shkëmbyer “uragani” Dejona Mihali me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Dy emrat më të përfolur së fundmi nga mediat, kanë përdorur platformën “Signal” për t’i koordinuar punët të cilat ishin jetike për partinë në pushtet.

Mesazhet tregojnë se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik dhe se ato ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.

E pretendimet e mediave, për aferën korruptive te ambasadorit Berisha, nuk i demantonte, ish shefi i KEK-ut, për të cilin po vazhdon procesi gjyqësor.

Çfarë tingëllon interesante në dramën e mesazheve, janë kërkesat e Mihalit për takime me Krasniqin, ku nga ky i fundit ajo kërkonte që të maskohej me kapele.

E “pushtetshmja” e Vetvendosjes, Dejona Mihali, del se ka mbajtur korrespodencë të rregullt me Krasniqin, duke kërkuar arsyetime nga ky i fundit për raportimet per Komisionin hetimor dhe importin e rrymës.

Mesazhet, kanë aktivizuar opozitën e “përgjumur”, të cilët kanë mbajtur seancë të jashtëzakonshme për t’i adresuar skandalet, të cilat sipas tyre shpërfaqin fuqinë siç e quajnë të “nëntokës” së partisë në pushtet.

Në këtë seancë nuk kishte vetëm fjalime, opozita kishte rezervuar edhe performancën e kapelave për të treguar edhe simbolikisht pushtetin e “frikshëm”, të Dejona Mihalit.

Në secilën ulëse të deputetëve të Vetvendosjes, të cilët kishin bojkotuar këtë seancë u vendos nga një kapelë.