Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Maj, 2025

Në një mëngjes të lagësht në Tiranë, mes reshjeve dhe shpresave për një Evropë më të bashkuar, liderët e 47 shteteve dhe organizatave evropiane zbritën mbi tapetin e kuq të Shqipërisë.

E ndërsa kamerat e medieve kërkonin figura të forta politike, shfaqja më e veçantë u ofrua nga ai që priti jo vetëm si mikpritës institucional por si një artist në skenën ndërkombëtare: Edi Rama.

“Pasqyrë moj pasqyrë, kush është më kreativi në Ballkan?” Do të pyesnim sot me një buzëqeshje, duke parë një video që u bë virale brenda minutash: liderët evropianë, nga Macron te Von der Leyen, nga Scholz te Meloni e tek Erdogan të kthyer në fëmijë të vegjël falë një filtri lozonjar të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, që Rama kishte vendosur mbi fytyrat e tyre, ndërsa një zë i butë u thoshte në gjuhën e secilit: “Mirë se erdhe në Shqipëri.”

Spektakli nga Rama, u dha brenda Teatrit të Operas dhe Baletit.

Kjo ishte më shumë se një lojë digjitale. Ishte një gjest i shkathët, artistik dhe diplomatik.

Në një Evropë të rënduar nga krizat, ku fjalimet janë të ftohta dhe takimet të koduara, Rama solli ngrohtësi dhe improvizim. Ai nuk ju drejtua liderëve me nota zyrtare, por me një lloj dashurie naive, të sinqertë, të rrallë në protokoll.

Një tjetër skenë që u kthye në simbol: Kryeministri shqiptar ulet në gjunjë para kryeministres italiane, Giorgia Melonit. Jo për spektakël, por si një gjest të pastër respekti. Një gjest që në çdo skenografi tjetër politike do të dukej jashtë vendi, por në Tiranë u prit si një metaforë e miqësisë mes dy vendeve edhe pse Meloni me tallje e sipër e tha: “u ul në gjunjë që të vinte në një gjatësi me mua.”

E pastaj, pamja që do të mbetet gjatë: i vetëm në mes të shiut, në qendër të tapetit të kuq, me një çadër mbi kokë, duke pritur me përqafim secilin lider që zbriste nga makina. Asnjë çadër tjetër, asnjë roje, asnjë protokoll që e mbulon. Vetëm ai, shiu dhe bota që vjen në Shqipëri përmes liderëve dhe mediave të ndara në shiritin e tyre dhe një grup që përformoi vallëzim me veshje kombëtare. Ishte një imazh që duket i ndarë nga një film, ndoshta një film që s’e kemi parë ende. Simbolin të cilin e mbajti në zgjedhjet e këtij viti, në të cilat edhe doli fitues, e kishte vendosur edhe në hapsirën mikpritse, “yllin e Bashkimit Evropian”, i cili nuk i mungoi Ramës në atlete dhe në kollare.

Nëse Evropa e re ka nevojë për kreativitet politik, atëherë sot, ky kreativitet ka një emër të qartë dhe ky emër, pavarësisht se mund të ngjallë debat, nuk mund të mohohet për origjinalitetin: Edi Rama.

Jo si politikan që kërkon duartrokitje, por si një ish-piktor që mikpret botën me ngjyrat e shpirtit të vet. Ai e ktheu një samit të lartë në një skenë ku mirëpritja u bë art, ku fëmijëria e liderëve u rikujtua, dhe ku Shqipëria, për disa orë, ishte jo vetëm në hartë, por edhe në zemër të Evropës.

Natyrisht se sharmin e tij që rallë e përdorë në mediat shqiptare, nëpër intervista, e hodhi në pah në fjalimin mirëpritës, duke cituar Kanunin para liderëve të Evropës.

“Në Kanunin tonë që është shkruar kohë më parë, ka një kapitull që ka të bëjë me mikpritjen. Ai fillon me një citim që thotë që ‘shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Kjo thënie është vërtet shumë e thellë dhe është origjinë e faktit që ne mbaruam, arritëm në fund të Luftës së Dytë Botërore si vendi që më shumë kishte hebrenj se që kishte pasë në fillim të tij sepse ata erdhën si miq, të cilët shqiptarët i mbrojtën me jetën e tyre”, tha ai.

Ai ironizoi duke thënë se “drekën e kanë falas”.

Në fund të ditës, ajo që do të mbahet mend nuk janë fjalët zyrtare të samitit, ku secili lider shprehu shqetësimin për luftën në Ukrainë, por videot e Ramës, gjunjët para Melonit, përqafimet në shi dhe fëmijët që ngjyrosën “shtëpinë e Evropës”.

Ndaj, sërish pyesim:
Pasqyrë moj pasqyrë, kush është më kreativi në Ballkan?