Live Stories from Prishtina

LIVE

21 Shtator, 2025

Kur Marilyn Monroe këndoi “Diamonds Are a Girl’s Best Friend” më 1953 dhe kur James Bond u kthye në ekran me filmin “Diamonds Are Forever” më 1971, diamanti tashmë kishte fituar statusin e një simboli botëror.

Historia e diamantit modern lidhet ngushtë me emrin e Cecil Rhodes, një student i braktisur i Oksfordit, që në vitin 1870 shkoi në Afrikën e Jugut për të kërkuar fatin. Duke parë industrinë në ngritje të nxjerrjes së diamanteve fillimisht ai ofronte pompa uji për minierat, por shpejt bashkë me partnerin e tij, Charles Rudd, filluan të blinin me qindra parcela të vogla diamantifere nga pronarë të varfër. Duke pasur mbështetje financiare nga familja Rothschild, ata i bashkuan këto prona në një kompani gjigante, De Beers Consolidated Mines. Deri në vitin 1888, kompania kishte arritur pothuajse monopolin e diamantit në Afrikën e Jugut dhe kontrollonte mbi 90% të furnizimit botëror.

Pas vdekjes së Rhodes-it, kontrolli kaloi te Ernest Oppenheimer, i cili forcoi dominimin e De Beers përmes Organizatës Qendrore të Shitjes në Londër, që manipulonte tregun duke mbajtur stoqe dhe çmime të larta, duke krijuar idenë se diamantet ishin të rralla.

Por suksesi më i madh i De Beers erdhi nga marketingu. Në vitin 1947, agjencia NW Ayer krijoi sloganin legjendar “A diamond is forever” (Një diamant është i përjetshëm). Ky slogan dhe fushatat që e shoqëruan shndërruan diamantin në simbol të dashurisë së përjetshme dhe e shndërruan unazën e fejesës me diamant një normë kulturore në SHBA, Evropë dhe Japoni. Në vitin 1940 vetëm 10% e nuseve amerikane merrnin unazë me diamant, ndërsa në vitin 1980 shifra u rrit në 80%.

Me këtë kombinim të monopolit mbi furnizimin dhe manipulimit të kërkesës përmes reklamave, diamanti u ngrit nga një gur i çmuar në një simbol global të luksit, dashurisë dhe prestigjit shoqëror – një status që mbajti për dekada.

Por sot?

Industria globale e diamanteve, dikur simbol i luksit të pakontestueshëm, po përballet me një prej periudhave më të vështira në dekada. Shifrat e fundit tregojnë se gjiganti De Beers raportoi një humbje prej 245 milionë dollarësh në gjysmën e parë të vitit 2025, krahasuar me një fitim prej 73 milionësh vitin e kaluar. Shitjet e diamanteve të papërpunuara ranë me 13% në vlerë dhe 8% në volum.

Kjo rënie nuk është thjeshtë pasojë e një cikli ekonomik, por e një kombinimi faktorësh që kanë goditur themelin e industrisë. Kina, që për vite të tëra ishte lokomotiva e konsumit të diamanteve, po përjeton krizë ekonomike dhe tkurrje të shpenzimeve për luks. Kjo ka ulur ndjeshëm kërkesën, duke shtuar stoqet e pashitura.

Një tjetër goditje ka ardhur nga diamantet laboratorike. Fillimisht të përceptuara si një alternativë më e lirë, ato tashmë janë bërë konkurrent serioz, duke zbehur mitin e “rrallësisë” që i ka dhënë diamantit vlerën për dekada. Çmimet flasin vetë: në SHBA, një diamant natyral një karat kushtonte mesatarisht 6,819 dollarë në vitin 2022, ndërsa në fund të vitit 2024 ra në 4,997 dollarë – një ulje prej 27%. Në anën tjetër, diamantet laboratorike kanë pësuar rënie edhe më drastike, duke i bërë edhe më të qasshme për konsumatorët e zakonshëm.

Për të frenuar krizën, De Beers ka reduktuar prodhimin në disa miniera, duke synuar të mbajë çmimet nën kontroll. Në të njëjtën kohë, kompania ka vendosur të mbyllë markën e saj të bizhuterive me diamante laboratorike, Lightbox, pasi çmimet e ulëta dhe konkurrenca e fortë e bënë të paqëndrueshme.

Efektet e krizës ndihen edhe në ekonomitë që varen drejtpërdrejt nga diamantet. Botswana, një prej prodhuesve kryesorë në botë përmes kompanisë Debswana (bashkëpronësi me De Beers), ka parë tkurrje të prodhimit, gjë që dëmton të ardhurat e shtetit dhe buxhetet publike.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është vetëm një krizë e përkohshme, por një moment kthese. McKinsey dhe Boston Consulting Group parashikojnë që prodhimi natyral i diamanteve nuk do të arrijë më nivelet rekord të viteve 2005-2006. Mbyllja ose zvogëlimi i minierave, rritja e kërkesës për origjinë të pastër dhe etike, si dhe konkurrenca e pashmangshme e laboratorëve, do ta detyrojnë industrinë të rimendojë veten.

Për t’u mbijetuar kohërave, diamantet natyrale duhet të shiten jo më si gurë të rrallë, por si simbol i autenticitetit dhe trashëgimisë. Përndryshe, shkëlqimi i tyre rrezikon të shuhet në tregun global, duke lënë pas një industri që për dekada ka jetuar mbi mitin e përjetësisë.