N’Kosovë
20 Nëntor, 2024
Ky artikull është krijuar, për të shënuar Ditën Botërore të Fëmijëve, një datë që avokon për të drejtat universale të voglushëve.
Vit pas viti, kjo datë, vendin tonë e gjen në pozitë të njejtë, me shumë femijë të lumtur por edhe me ata që rropaten me varfërinë.
Personazhet e këtij artikulli janë veç emra të krijuar nga imagjinata, derisa ajo që thuhet është realiteti, na pëlqej ose jo.
………………………………
Mëngjesi nisi grysur dhe me një frymë nëntori që përshkonte çdo cep të qytetit.
Për pak harruam, Ditën Botërore të Fëmijëve.
Një ditë kur, së paku në tetor, çdo vogëlush në planet, do të duhej të ndihej i rëndësishëm, i dashur dhe i mbrojtur.
Por në Kosovë, më shumë se një festë, kjo ditë duket si një pikturë e trishtuar, të cilën as fëmijët nuk do ta kuptonin.
Në një qoshe të qytetit, në një lagje ku fjalët varfëri dhe realitet gërshetohen deri në atë pikë ku shndërrohen në sinonim, një vogëlushe, (le ta quajmë Ana), u zgjua nga zhurma e trokitjeve të vrazhta në derë.
“Ngrihu, moj, shpejt! Duhet të shkosh te dyqanet para se të bëhet tollovi”, i thotë e ëma.
Ana, nuk u nis për në shkollë, sepse ajo nuk ka një çantë, as libra, as një vend ku do ta lëshonte kokën mbi ndonjë abetare madje edhe të përdorur.
Në vend të aksesorëve të shkollës, ajo mbanë një shportë të vjetër, me të cilën mbledhë kanaçe.
Puna e Anës, nuk ka pushim, bile as në vikend.
Në anën tjetër të qytetit, në një shkollë plot ngjyra edhe pse të zbehta, nxënësit janë mbledhur për të dëgjuar leksionet e mësuesit të përkushtuar por të lodhur.
Fëmijët po flisin për të drejtat e tyre. Të drejtën për arsim, mbrojtje, e mbi të gjitha për dashurinë.
Në murin e klasës, një pamflet me ngjyra shkruan, “Arsimi është çelësi i së ardhmes!”
Por në atë klasë, shumë banka ishin bosh, sepse disa nga fëmijët nuk mund të përballonin “luksin” e të mësuarit.
Ndërkohë, në rrugë, një djalosh i quajtur Lisi shtynte një karrocë të rëndë me dru.
Duart e tij të vogla ishin plot gërvishje, dhuratë nga puna e përditshme.
“Nuk kam kohë për shkollë,” thotë ai për çdo këmbësor që e pyet.
“Duhet të ndihmoj babanë.”
Por Lisi nuk e dinte që po ndihmonte jo vetëm babain e tij, por edhe një sistem që ka dështuar ta mbrojë.
Në këtë ditë, si rëndom, do të ketë aktivitete zyrtare, fotografi të fëmijëve të buzëqeshur dhe deklarata zyrtare shumë të bukura.
Do të ketë fëmijë që u ka prirë fati të mbajnë balona dhe të flasin për një botë ideale.
Por, do të ketë edhe fëmijë si Ana, Lisi e shumë të tjerë, që do të mbetesin hije të padukshme në realitetit tonë.
Dita Botërore e Fëmijëve, është një ditë për ëndrra të mëdha dhe premtime që tingëllojnë bukur.
Por ato nuk prekin rrugicat me baltë, bankat bosh dhe duart e grisura të vogëlushëve që punojnë për mbijetesë.
Në mbrëmje, kur festimet do të përmbyllen dhe fotografitë postohen në internet, Ana do të kthehet në shtëpi me shportën e saj gjysmë bosh.
Lisi do t’i fus me bollëk drutë në zjarr për të ngrohur shpirtin e tij të brisht.
Dhe kështu edhe një tjetër vit do të kalojë, me premtime të harruara dhe shumë padrejtësi.