N’Kosovë
3 Dhjetor, 2024
“Prishtinë, më në fund do të takohemi. Me zemër të mbushur plot emocion, mezi pres të ndaj me ju një mbrëmje të paharrueshme. Më 10 dhjetor, do të jem në kryeqytetin tuaj, që e adhuroj aq shumë”.
Kështu, mbase mund të tingëlloj një ftesë për koncertin e tij, që do të vije nga shpirti artistik i tenorit me famë botërore, Saimir Pirgu.
Tenori shqiptar, nuk ka nevojë për ndonjë elaborim në botën e muzikës klasike.
Zëri i tij është padyshim ngrohtësia e duhur për një natë dimri, në Prishtinë, në kuadër të Operës së Kosovës në Sallën e Kuqe.
Më 10 dhjetor, ai do të ngjitet në skenën e Prishtinës, për të sjellur magjinë, për të gjithë ata që adhurojnë muzikën klasike.
Përmes mesazheve plot ndjenjë, Pirgu, gjithmonë ka theksuar lidhjen e tij me shqiptarët.
Ky koncert pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit në Prishtinë.
Kjo mbrëmje do të jetë një rast i veçantë për adhuruesit e artit dhe për ata që dëshirojnë të përjetojnë emocione që vetëm muzika klasike mund t’i japë.
Koncerte të tilla jo vetëm që pasurojnë jetën artistike të qytetit, por edhe tregojnë se Prishtina është e gatshme të mirëpresë yjet me famë botërore.
Repertori i Saimirit për këtë koncert ende mbetet surprizë, por personaliteti i tij artistik, padyshim se premton një udhëtim muzikor përmes operës dhe këngëve të ndjeshme që sjellin emocion dhe reflektim.

Ndërkohë, ai së fundi, pas 13 vjetësh mungesë, është rikthyer në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit. Nëpërmjet operës “Toska” të Puçinit, ai interpretoi rolin e Kavaradosit.
Biletat e kësaj shfaqjeje të shumëpritur ishin shitur në kohë rekord. “Toska” megjithëse e vënë shumë herë në skenën e TKOB-së, mori rëndësi për faktin se përveç rikthimit të tenorit Pirgu, i jep fund “Vitit Puçinian”, në nder të kompozitorit Xhakomo Puçini.