Fakte abstrakte
25 Maj, 2025
Shijet tona ndikohen nga ajo që shohim. Mbylli sytë dhe mendo për pataten e mbushur me djath të shkrirë, për dredhëzen, në të kuqe të ndezur gati për t’u ngrënë, që thuajse bërtet: “Jam pjekur!”
Nëse do të ishe ngjyrë, çfarë do të ishe?”, është një pyetje që e bëjmë kot për të nxjerrë material për atë biseden e një mëngjesi me kolegët, kur moti është i vranët dhe ti ke disponimin “për t’i vrarë të gjithë”, andaj vetëm po flet kot, qa po të vije te goja.
Por në botën e marketingut, ngjyrat nuk janë vetëm estetikë, janë armë psikologjike. Pikërisht për këtë arsye, shumica e zinxhirëve të ushqimit të shpejtë në botë si McDonald’s, Burger King, KFC, dhe të tjerë përdorin të kuqen dhe të verdhën në logot dhe ambientet e tyre. Këto nuk janë zgjedhje rastësore, por të studiuara mirë nga psikologët dhe specialistët e marketingut.
Ngjyra e kuqe është stimul i menjëhershëm. E kuqja është një nga ngjyrat më të fuqishme në spektrin vizual. Ajo rritë ritmin e zemrës dhe nxitë ndjesinë e urgjencës. Në kontekstin e ushqimit, kjo urgjencë përkthehet në një nxitje të oreksit. E kuqja aktivizon emocionet, rritë energjinë dhe nxit veprimin e përkryer për një vend ku vendimet merren shpejt dhe instinktivisht, si në restorantet e ushqimit të shpejtë.
Ngjyra e verdhë – ftesa për mirëseardhje. E verdha është ngjyra e diellit, e lumturisë dhe e optimizmit. Ajo të fton, të qetëson dhe krijon ndjenjën e mikpritjes. Për këtë arsye, shumë brende ushqimore e përdorin për të krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe të afërt.
Por kur bashkohet me të kuqen?
Ky kombinim ka edhe arsye praktike. E kuqja dhe e verdha janë ndër ngjyrat më të dukshme për syrin e njeriut, sidomos nga larg. Nëse je duke udhëtuar me makinë dhe sheh një tabelë të kuqe dhe të verdhë në horizont, është shumë më e lehtë ta dallosh. Kjo rritë mundësinë që të ndalesh pikërisht aty për të ngrënë.
Në shumë kultura, e kuqja dhe e verdha lidhen me fatin e mirë, bollëkun dhe festën. Ato krijojnë ndjenja pozitive që shoqërojnë ushqimin, një akt që nuk është vetëm fiziologjik, por edhe emocional.
Ai Hisano, autore e librit ““Visualizing Taste: How Business Changed the Look of What You Eat”, thotë se ngjyrat sintetike ndihmuan në kapërcimin e problemeve si humbja e ngjyrës së ushqimeve në procesin e prodhimit dhe ndihmuan që ushqimet të dukeshin më “natyrale”. Pastaj, me kalimin e kohës, ngjyrat u përdorën për t’i bërë ushqimet të dukeshin “argëtuese” dhe tërheqëse për audienca si fëmijët e vegjël.
Ajo përmendi shembullin e mesit të shekullit të 20-të të përzierjeve për torta, të cilat zvogëluan sasinë e përpjekjes së nevojshme për të pjekur një tortë në shtëpi, sepse shumica e përbërësve ishin përfshirë tashmë. Kompanitë ushqimore filluan të promovonin kremin shumëngjyrësh për tortat si një mënyrë që gratë që pjekin në shtëpi “mund të paraqisnin personalitetin e tyre edhe pse po bëjnë një tortë të parapërgatitur”, thotë Hisano.
Lidhjet që bëjmë midis ngjyrave dhe ushqimeve mësohen. Gjatë gjithë jetës sonë, ne bëjmë ndërlidhje që kanë kuptim. Torta shoqërohet me ditëlindje. Akullorja shoqërohet me festa dhe kohë të mira, kështu, gjithçka është mësim asociativ. Ngjyra është një nga ato gjëra që kemi tendencën të mësojmë rreth kombinimeve të ndryshme të shijeve.
Shijet tona nuk lindin vetëm në gjuhë ato formohen në sy dhe në gjithë eksperiencën që na rrethon. Kur sheh një copë tortë me krem të verdhë dhe manaferra të kuqe në majë, mendja jote tashmë e ka vendosur: do të të pëlqej.

