Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Maj, 2025

(Një reflektim për nënat dhe bijat në Ditën Botërore të Nënës)

Marrëdhënia mes një nëne dhe vajze, në dukje mund të përceptohet si e thjeshtë, por shpesh është më e ndërlikuar se që duket.

Ajo çka lidhë dy gra të gjeneratave të ndryshme mund të jetë dashuria, përkujdesja, ndërlikimet emocionale dhe një zemërim i heshtur që bën vend diku thellë.

Psikologia dhe këshilltarja Sarah Trentzsch e përshkruan me një fjali të tillë: “vajza e vlerëson ndihmën, por sapo nëna hyn në dhomën e saj, menjëherë dëshiron më shumë distancë.”

Disa kur e lexojnë këtë fjali, thonë se e njohin këtë ndjenjë.

Pastaj e mendojnë këtë fjalinë: “Po, dreqi ta hajë, është tamam kështu”. Është një lëkundje e përhershme mes mirënjohjes dhe bezdisjes, mes afërsisë dhe ndjesisë së mbytjes, mes “faleminderit, mami” dhe “të lutem, largohu pak”, këtë të fundit vajzat rrallë e shprehim por me vepra e bëjnë të qartë çka duan.

Trentzsch nuk bën pjesë në grupin e terapistes që pretendon të dijë gjithçka më mirë, por si një grua që ka dëgjuar shumë histori nga gra të tjera.

Libri i saj “Për çfarë na duhen nënat, ne vajzave” është një përpjekje për të kuptuar këtë afërsi të komplikuar, e cila shpesh niset nga zemërimi i vajzave të rritura.

Libri hapet me një provokim të heshtur: vajza është gjithmonë në vëzhgim, kurse qëndron mbi premisën që të mos lejojmë më që marrëdhënia me nënën të na përcaktoj gjithçka.

Në këtë marrëdhënie zhvillohet një ekuilibër i brishtë që ngërthen kundërshtime: afërsia që fillimisht jep ngrohtësi, por më pas bëhet e tepërt.

Dashuria që shndërrohet në kontroll.

Vajza që dëshiron liri dhe nëna që e merr këtë si refuzim personal.

“Nënat shpesh nuk e kuptojnë sa shumë janë në mendjen e vajzave të tyre. Gratë në kliniken time më thonë se edhe në moshën 40 ose 50-vjeçare ndihen ende si borxhli ndaj nënës, sikur duhet ta kënaqin atë, në vend se të jetojnë jetën e tyre,” thotë Trentzsch në një intervistë.

Nuk është çështje pajtimi, por kuptimi. Është çështje e idealit të ngurtë të nënës së përkryer, që nuk lë hapësirë për kundërshti.

E dëshirave që nëna ka jashtë shtëpisë dhe rolit amësor. E vajzave që japin më shumë përkrahje sesa duhet. Kujdesi që kthehet në faj, sepse vajza ndjenë se është gjithmonë përgjegjëse.

Shpejt kuptohet se kjo marrëdhënie e vjetër, e formësuar nga shoqëria dhe e mbushur me emocione, nuk është thjeshtë private. Na prekë të gjithëve.

“Ne u përcjellim barrën njëra-tjetrës, nga nëna te vajza”, thotë Trentzsch.

***

Vajza mosmirënjohëse?

Në libër nuk parashtrohet vetëm analiza psikologjike që rrjedhë nga eksperienca e Trentzch nga seancat psikologjike me klientet e saj, por edhe rrëfime të drejtpërdrejta.

Pesë gra tregojnë se çfarë do të thotë të jesh vajzë.

Elena, 45 vjeç, thotë: “Kjo dëshirë për të kënaqur të gjithë, për të qenë e sjellshme dhe pa kërkesa personale është e frikshme.”

Ndërsa Nicole, 49 vjeç, shprehet: “Nëna ime ishte agresive në mënyrë të heshtur.”

Dhe Anouk, 39, thotë: “Ajo që më lëndon më shumë është se gjithmonë gjithçka ishte vetëm për të, kurrë për mua.”

Duket sikur vajzat ankohen, por në fakt, ato rrëfejnë një përvojë që shumë e njohin edhe nëse nuk e kanë artikuluar ndonjëherë.

Trentzsch vëren se djemtë lejohen të jenë më ndryshe.

“Ata kanë më shumë hapësirë, më shumë të drejtë për zemërim, më shumë liri në botë.”

Ndërsa për vajzat, ndryshe nga djemtë vlerësohen moralisht: si mosmirënjohse, për braktisje dhe pabesi.

“Agresiviteti nuk është problemi por mungesa e tij. Vajzat mësohen që herët se zemërimi nuk është i pranueshëm. Dhe kur nuk shprehet, zemërimi kthehet: në lodhje, në dyshim ndaj vetes, në një lloj rraskapitjeje të heshtur,” thotë Trentzsch.

***

Ëndrrat e papërmbushura

Nënat ndikojnë në jetën e vajzave jo vetëm me sjelljen e tyre, por edhe me gjithçka që nuk kanë arritur të bëjnë vetë. Heshtja, sakrificat, ëndrrat e mohuara, gjithçka trashëgohet në ndjenjën e fajit të vajzës, që ndjehet përgjegjëse për fatin e nënës.

Trentzsch prekë edhe një temë të ndjeshme dhe të rrallë: konkurrenca mes grave; nënave dhe vajzave.

Ajo shkruan për zilinë e nënës ndaj vajzës, për garën e heshtur për hapësirë, për lumturi, për vëmendje. Për refuzimin që nëna i bën vajzës për të pasur lirinë që vetë nuk e ka pasur kurrë. Është e dhimbshme dhe e vështirë për t’u kuptuar, nëse nuk e ke përjetuar.

Libri nuk e fshehë asnjëherë që kjo është më shumë se një çështje familjare. Marrëdhënia nënë-vajzë është një hapësirë shoqërore një vend ku dëshirat, kujdesi, pafuqia dhe pushteti duhet të rinegociohen.

Trentzsch kërkon të ç’mitizojë figurën e nënës së përkryer dhe të lehtësojë barrën mbi vajzat. Sepse vetëm kur nëna nuk është gjithçka, vajza mund të bëhet dikush dhe anasjelltas.

***

Sapo ta lexosh këtë libër varet në cilën anë të hisotrisë je; si vajzë, si nënë, apo si një nënë me vajza të vogla që dëshiron të mos përsëris gabimet e së kaluarës që nëna ka bërë me ty.

Dhe nga kjo pikëpamje, duket sikur gjithçka mbetet mbi supet e nënës.

Trentzsch u kërkon atyre të jenë të pavarura, të dinë të lëshojnë, të përballen me zhgënjimet e veta dhe njëkohësisht të mos heqin dorë nga roli amësor. Të duan pa u ngjitur, të mbështesin pa e marrë gjithçka përsipër pra, të bëjnë gjithçka siç duhet. Diçka që askush nuk ua ka mësuar ndonjëherë. Kjo kërkesë tingëllon thuajse joreale dhe megjithatë e nevojshme.

Ajo që e bën librin e Trentzsch të brishtë është fakti që shpesh kalon nga përvojat individuale në përfundime të përgjithshme. Por thelbi i saj mbetet i qartë jo si një gjyq, por si një ftesë për ndershmëri: nuk mjafton që vajza të çlirohet edhe nëna duhet ta dëshirojë këtë.