Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Prill, 2025

Situata e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku mazhoranca nuk arriti të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit, edhe pse partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit propozoi kandidaten e saj dy herë, dëshmon se krizat institucionale paszgjedhore nuk janë asgjë e re në vendin tonë.

Albulena Haxhiu, e propozuar nga Glauk Konjufca në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mori votat e mjaftueshme në dy raunde votimi, ndonëse kjo parti ka të drejtën kushtetuese për ta dhënë kandidaturën.

Bllokadat e paszgjedhjeve jo rrallë janë zgjidhur përmes presionit të kohës, kompromisit të pashmangshëm ose ndërhyrjeve ndërkombëtare.

Në çdo rast, koalicionet janë formuar vetëm pasi partitë e përfshira kanë kaluar muaj të tërë në një lojë nervash e pazare të vështira politike.

Kjo situatë rikujton ngërçin e vitit 2014 dhe një varg rastesh të tjera ku proceset paszgjedhore u bënë arenë krizash e pazare politike.

2001, qeveri për të gjithë nga-pak

Polarizimi politik ishte në kulm në 2001-ën kur u organizuan zgjedhjet e para pas çlirimit.

Ndërkombëtarët që prioritet e kishin stabilitetin në Kosovë, fillimisht ndërtuan një trupë bashkëqeverisëse të quajtur Këshilli Administrativ.

“Ky është fillimi i një procesi”, pati thënë Bernard Kushner, kryeadministrator i Kosovës.

Pas zgjedhjeve që u fituan nga LDK-ja, sërish donin bashkëqeverisje. Ibrahim Rugova e pranoi këtë dhe vetë e mbajti postin e presidentit, ndërsa posti i kryeministrit iu dha PDK-së, ama jo liderit të saj Hashim Thaçit por Bajram Rexhepit.

2004-a, qeveria që e përcolli tersi

Zgjedhjet e 2004-ës sërish e rikonfirmuan LDK-në parti fituese. Rugova bëri koalicion veç me AAK-në dhe komunitetet.

Ishte qeveri e trazuar kjo. Pak pa i mbushur 100 ditë, Haradinaj dha dorëheqje, për t’u përballur me akuzat e Gjykatës së Hagës. Në vend të tij u vu Bajram Kosumi. Në fund të 2006-ës Rugova humbi betejën me sëmundjen.

Fatmir Sejdiu u bë president. Më pas, Kosumi u zëvendësua nga Agim Çeku.

2007, qeveri e pavarësi

Para zgjedhjeve të nëntorit të 2007-ës, LDK-ja u nda. Në atë që njihej kuvend i karrigeve, Sejdiu fitoi, ndërsa Daci që humbi, mblodhi disa eksponentë të LDK-së dhe krijoi parti të re.

Nga kjo situatë përfitoi PDK-ja. U bë partia më e votuar. E, LDK-ja humbi primatin. Thaçi arriti marrëveshje koalicioni me LDK-në, së cilës ia la postin e presidentit, ku u vu Sejdiu.

Koalicioni ishte bërë nën arsyen për unitetin që kërkohej në mandatin kur do të shpallej Pavarësia e Kosovës.

Kur ishte konsumuar më shumë se gjysma e mandatit të rregullt, Sejdiu qe detyruar të jap dorëheqje, pasi Gjykata Kushtetuese dha verdiktin se ai po e shkelte Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht edhe funksionin e presidentit e edhe të kreut të LDK-së. Pas kësaj, LDK u tërhoq nga Qeveria.

2010, prurje të reja

Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme në fund të 2010-ës, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, i iniciuar me bekimin e Thaçit.

PDK-ja fitoi sërish dhe ja doli të bëjë një shumicë të ulëseve në Kuvend. Marrëveshja e koalicionit me AKR-në dhe komunitetet, ja siguroi Thaçit mandatin e dytë si kryeministër, ndërsa Behgjet Pacolli u bë president. President për 30 ditë, meqë Kushtetuesja gjeti se ishte zgjedhur pa kuorumin e nevojshëm, ku dhe erdhi Atifete Jahjaga.

2014, ngërçi i madh

Në vitin 2014, blloku opozitar LDK-AAK-Nisma zgjodhi Isa Mustafën kryetar të Kuvendit, por PDK-ja, si partia e parë, e çoi rastin në Kushtetuese. Gjykata vendosi se vetëm partia fituese mund të propozojë kryetarin e Kuvendit. Pas një bllokade disamujore, u arrit një marrëveshje ku Isa Mustafa u bë kryeministër dhe Kadri Veseli kryetar Kuvendi.

2017, vonesat për shumicë

Edhe pas zgjedhjeve të 2017-ës, koalicioni PAN nuk kishte votat për ta zgjedhur kryeparlamentarin. Vetëm pas tre muajsh dhe një marrëveshjeje me AKR-në u zgjodh Kadri Veseli dhe u formua qeveria e Ramush Haradinajt.

2019, qeveria jetëshkurtër

Vetëvendosje dhe LDK formuan qeverinë në vitin 2019. Albin Kurti u bë kryeministër, por vetëm për 50 ditë. Shkarkimi i Agim Veliut çoi në mocion mosbesimi të iniciuar nga LDK-ja dhe mbështetur nga opozita. Pas kësaj, qeveria e Hotit u rrëzua për shkak të një vote jokushtetuese. Gjykata gjeti se vota e Etem Arifit ishte jokushtetuese e vendi shkoi në zgjedhje.

2021, një mandat i plotë

Zgjedhjet e vitit 2021 sollën për herë të parë një qeveri me shumicë absolute. Vetëvendosje arriti mbi 50% të votave dhe formoi qeverinë pa koalicion. Ky mbetet i vetmi mandat i përmbyllur pa kriza të mëdha paszgjedhore.