Bota
17 Korrik, 2025
Këtë verë, Instagrami dhe TikToku im janë mbushur me gra që rikrijojnë pamjet ikonike të Carrie Bradshaw nga seriali “Sex and the City”, duke dokumentuar përpjekjet për të gjetur dhe stiluar rroba “vintage” të frymëzuara nga ajo.
Ky entuziazëm i papritur për stilin e Carrie-t lidhet pjesërisht me publikimin e sezonit të tretë të vazhdimit “And Just Like That”, që nisi në fund të majit. Po ashtu, transmetimi i serialit origjinal nga HBO-ja në Netflix në Evropë dhe SHBA ka ringjallur dashurinë për stilin unik të Carrie-t, një ikonë mode që nga viti 1998, kur seriali nisi për herë të parë.
Unë vetë, si shumë të brezit tim, nuk e kisha parë më herët shfaqjen ndoshta sepse jam e lindur në vitin 2000 dhe seriali u mbyll në 2004. Por ndikimi i Carrie-t në modën e sotme është i pamohueshëm. Ajo ka ndikuar mënyrën se si vishemi ne, vajzat e Gen Z-së edhe sot.
Ishte stili i saj që më tërhoqi ta filloja serialin. U ndikova nga krijuese si @sarahbelleelizabeth në TikTok një kuratore dhe adhuruese e rrobave që rikrijon veshjet ikonike të Carrie-t. Disa prej të preferuarave të mia janë pantallonat Chloe për kalërim, bluzat me logon J’adore Dior dhe këpucët e famshme të argjendta, Manolo Blahnik që Carrie i humbi në një festë në episodin “A Woman’s Right to Shoes”.
Ëndrra ime? Çanta baguette Fendi me xixa vjollcë, një thesar që në platformën Vestiaire Collective kushton nga 3,800 deri në 9,000 funta. Por nuk është e vetmja, vajzat e Gen Z-së po kërkojnë edhe çantat Dior saddle apo versionin e rrallë Fendi me rrathë nga viti 2003. Shumica i gjejnë në platforma si Poshmark, eBay apo në dyqane të sendeve të përdorura.
Unë gjithmonë kam preferuar rehatinë përpara pamjes kur vinte puna te këpucët. Por pasi pashë Carrie-n të shëtiste rrugëve të Nju Jorkut me taka për gjashtë sezone, u ndjeva e tunduar dhe u dorëzova.
Kam vënë re se gjithnjë e më shumë gra të reja po veshin taka për punë, evente apo edhe për dalje të thjeshta. Madje unë dhe një mikeshë bëmë një dalje të posaçme vetëm që të vishnim këpucët e reja.
Por çfarë e bën stilin e Carrie-t kaq tërheqës edhe sot? Individualiteti i saj, kreativiteti, moskokëçarja ndaj rregullave. Ajo përziente klasiken me të papriturën, një fustan i thjeshtë me një shall mëndafshi, disa bermuda me një bluzë të thjeshtë, një palë taka me një xhup sportiv.
Disa nga pamjet e mia të preferuara përfshijnë tutu-n e bardhë në episodin e parë, fustanin “lakuriq” DKNY që e veshi në takimin e parë me Mr. Big dhe fundin jeshil Vivienne Westwood të kombinuar me një xhup të bardhë, që frymëzoi madje edhe Zendaya-n në turneun e saj për “Challengers”.
Fustani me gazetë nga koleksioni i John Galliano për Dior, një tjetër pamje ikonike që u vesh rishtas nga Jenna Ortega në premierën e filmit të saj “Hurry Up Tomorrow”.
Edhe markat e reja po e përqafojnë këtë stil. Handover, që shet rroba me xixa, ofron një fund rozë që vajzat në TikTok e përdorin për të rikrijuar një nga pamjet më të njohura të Carrie-t. Jimmy Choo, për 30-vjetorin, publikoi një koleksion kapsulë me tetë modele të viteve ’90 dhe 2000, përfshirë sandalen 72318 me pupla ngjyrë vjollcë, që Carrie e veshi në serial.
Ndërkohë që jemi më të vetëdijshme për ndikimin e modës së shpejtë, trendet që përhapen në rrjet na bëjnë shpesh të humbim stilin personal. Në vend që të ndërtojmë një identitet, ndjekim cikle që zgjasin vetëm një sezonë – kujto byzylykët “chunky” apo trendin e labubu-ve.
Ndoshta rikthimi i Carrie-t do na ndihmojë të kthehemi te copat që na japin kënaqësi personale, te ndërtimi i një stili që qëndron, jo thjeshtë ndjekja e valës.
YouTuberja Emma Chamberlain është një zë i tillë – ajo rrëfeu në një video të fundit se hoqi pothuajse gjithçka nga dollapi i saj, duke mbajtur vetëm copat që i vishte me të vërtetë. Ajo krijoi një “gardërobë kapsulë”, ku gjithçka lidhej me gjithçka tjetër dhe ku çdo copë kishte vendin e vet.
Për ne që jemi të pasionuar pas modës, ndoshta është koha të ndjekim shembullin e Carrie-t, të guxojmë, të provojmë, të vishemi për qejf por edhe të jemi të vetëdijshëm për çfarë dhe pse blejmë.
Në fund të ditës, stili është personal dhe Carrie na kujton që të kemi guximin ta bëjmë tonin.



