Live Stories from Prishtina

LIVE

31 Janar, 2025

Turizmi në Kosovë shpesh shihet si një sektor me potencial të madh ku fjalia “Kosova ka malet, Shqipëria ka bregdetin”, prap se prap  e bënë të mbetet si sektori më i nënvlerësuar dhe i paorganizuar institucionalisht.

Pavarësisht rritjes së numrit të vizitorëve vitet e fundit, turizmi nuk është zhvilluar si një shtyllë e qëndrueshme e ekonomisë. Arsyeja kryesore për këtë është mungesa e investimeve serioze dhe fakti që turizmi trajtohet vetëm si një departament brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë  dhe jo si një sektor prioritar me qasje strategjike dhe financiare të pavarur.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin vjetor të vitit 2024 ka publikuar numrin e Statistikave të Hotelerisë e cila tregon një rritje të përgjithshme të numrit të turistëve të huaj por edhe vizitorëve vendor në krahasim me vitin 2023.

Në tetor 2024, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në hotel ishte 57 mijë 658, prej tyre 40.0%, ishin vendorë dhe 59.9%  ishin të jashtëm. Krahasuar me muajin tetor të vitit 2023 (sa ishin 55 mijë e 022 vizitorë) pra një rritje prej 4.6%.

Numri i net-qëndrimeve ishte 137 551 prej tyre 49.6% nga vendorët dhe 50.3% nga të huajt.

Në total 34 488 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga Shqipëria, Turqia, Gjermania,  Zvicra etj.

Premtimet politike dhe realiteti për turizëm

Në fushatat zgjedhore, shumë parti politike kanë përmendur turizmin si një nga sektorët me potencial për rritje ekonomike. Një nga premtimet më të mëdha ishte zhvillimi i Brezovicës si një qendër e turizmit dimëror. Në vitin 2014, u njoftua një projekt investimi me vlerë mbi 400 milionë euro, që synonte ta kthente Brezovicën në një resort të standardeve evropiane. Megjithatë, privatizimi i dështuar dhe mungesa e seriozitetit nga ana e qeverisë bënë që ky projekt të mbetet vetëm në letër.

Përveç Brezovicës, edhe destinacione të tjera si Bjeshkët e Rugovës, Gryka e Valbonës dhe zona të tjera malore janë përmendur shpesh në programet politike si vende që mund të zhvillohen për turizëm të qëndrueshëm. Por përveç disa përmirësimeve minimale në infrastrukturë, nuk ka pasur projekte të mirëfillta për të ndihmuar zhvillimin e këtyre zonave.

Pse turizmi nuk është prioritet?

Mungesa e një ministrie të dedikuar. Në shumë vende të rajonit, turizmi ka një ministri të veçantë që harton politika dhe tërheq investime. Në Kosovë, turizmi mbetet nën një departament të vogël pa autonomi vendimmarrëse dhe buxhet të dedikuar.

Planifikimi afatshkurtër

Projektet për turizmin zakonisht lidhen me mandate politike dhe nuk ka një strategji afatgjatë. Premtimet e bëra gjatë zgjedhjeve nuk përkthehen në politika të mirëfillta zhvillimore.

Mungesa e infrastrukturës

Rrugët, akomodimi dhe shërbimet për turistët mbeten të pazhvilluara. Investimet private, për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale shpesh janë edhe afat shkurte në veprim.

Marketingu dhe promovimi i dobët

Kosova ka potencial të madh për turizëm historik, kulturor dhe natyror, por mungon promovimi i duhur ndërkombëtar. Me një iniciativ nëpër komunat e Kosovës, ku u vendosën kabina të vogla përmes së secilave komuna përkatës njoftonte për pikat kryesore për vizitim, kjo nisëm mbeti si e përgjysmuar me mungës të të dhënave dhe informata të përgjysmuara.

Çfarë duhet të ndryshojë?

Nëse turizmi do të trajtohet seriozisht, duhet të ndërmerren disa hapa konkretë:

Krijimi i një ministrie të veçantë për turizmin

Zhvillimi i një strategjie kombëtare me investime afatgjata

Partneritete me investitorë seriozë për projekte si Brezoviza

Marketing për tërheqjen e turistëve ndërkombëtarë

Pa këto ndryshime, turizmi do të mbetet një premtim i përsëritur pa rezultate konkrete. Për momentin, ai është vetëm një departament dhe jo një prioritet kombëtar.

Pikat që kanë ndihmuar në promovimin e Kosovës, si pikë turistike:

Turizmi kulturor dhe festiv : Festivale si Dokufest në Prizren dhe DAM Festival në Prishtinë kanë ndihmuar në tërheqjen e turistëve ndërkombëtarë.

Aktivitetet si hiking, biking, dhe alpinizmi nga grupe individuale me guide-guys me iniciativa perosnale, janë bërë më të njohura, duke tërhequr vizitorë nga rajoni dhe më gjerë.

Promovimi i gastronomisë dhe verës: Kosova njihet për kuzhinën tradicionale dhe për prodhimin e verërave cilësore në rajonin e Rahovecit.