Bota
20 Qershor, 2025
Studiuesit kanë kryer prova të reja për të kuptuar pse zogjtë bëjnë kaq shumë zhurmë herët në mëngjes dhe nuk janë ato arsyet që mendonim më parë.
Për dekada me radhë, teoria më e përhapur për këndimin e zogjve në agim e quajtur “kori i agimit”, ka qenë se ata dëgjohen më larg dhe më qartë në atë kohë të ditës.
Tingulli përhapet më mirë në ajrin e lagësht, dhe në mëngjes ai është pikërisht i tillë. Po ashtu, frynë më pak erë, gjë që mendohej se ndihmon në shmangien e shtrembërimeve të zërit të tyre.
Por shkencëtarët nga Qendra K. Lisa Yang për Bioakustikën e Konservimit në Laboratorin e Ornitologjisë në Cornell, Indi, analizuan regjistrime audio të zogjve në një pyll tropikal dhe nuk gjetën prova që mbështesin këtë “hipotezë të transmetimit akustik”.
Një tjetër ide ishte se zogjtë këndojnë në agim sepse mungesa e dritës e bën të vështirë kërkimin për ushqim, pra, kënga është një mënyrë për të kaluar kohën.
“Në thelb, nuk gjetëm shumë mbështetje për disa nga këto sinjale mjedisore që janë përmendur në literaturë si shpjegime përse zogjtë këndojnë më shumë në agim,” thotë Vijay Ramesh, studiues postdoktoral në Cornell dhe autori kryesor i studimit.
Studimi me titull “Pse zogu këndon herët? Një vlerësim i hipotezave për aktivitetin vokal të shpendëve të lidhur me agimin”, u botua këtë muaj në revistën shkencore Philosophical Transactions of the Royal Society B.
Studiuesit nuk gjetën një arsye përfundimtare për “korin e agimit”, por panë se një nga hipotezat më të mbështetura është ajo që zogjtë, pas një nate pa aktivitet, përdorin agimin për të komunikuar sidomos për çështje ushqimi.
Ekipi analizoi regjistrime audio nga 43 vende në vargmalin Ghats Perëndimor në Indinë Jugore një vend i pasur me biodiversitet dhe studioi tingujt e 69 llojeve zogjsh.
Siç mund ta vërtetoj kushdo që është zgjuar nga cicërimat, “shumica dërrmuese” e llojeve kishin aktivitet vokal “dukshëm më të lartë” në agim sesa në muzg.
Për të vlerësuar hipotezën e transmetimit akustik, studiuesit parashikuan që zogjtë që përdorin frekuenca më të larta do të ishin më aktiv në mëngjes. Kjo sepse frekuencat e larta janë më të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve si era dhe lagështia.
Por ata nuk gjetën asnjë lidhje të rëndësishme mes frekuencës maksimale të këngëve dhe preferencës së zogjve për agimin krahasuar me muzg.
Edhe hipoteza që zogjtë këndojnë në agim sepse drita e dobët nuk i ndihmon për të kërkuar ushqim, nuk qëndron plotësisht sepse edhe në muzg ka pak dritë, por zogjtë nuk këndojnë aq shumë.
“Mendoj se ky është ndoshta përfundimi më i rëndësishëm këtu, jo që zbulojmë pse zogjtë këndojnë në mëngjes, por që mund të përjashtojmë një grup hipotezash mjedisore,” thotë Steve Nowicki, profesor i biologjisë në Universitetin Duke, që nuk ishte pjesë e studimit.
Sipas studimit, zogjtë që janë më territorialë priren të këndojnë më shumë në agim.
Zogjtë territorialë “priren të bëjnë ‘reklama’ që në mëngjes për të treguar territorin ose për të bërë të ditur praninë e tyre” pas një nate qetësie, thotë Ramesh.
Sa i përket ushqimit, zogjtë përdorin zërin për të komunikuar rreth burimeve ushqimore ose për të paralajmëruar për grabitqarë. Studiuesit supozojnë se zogjtë gjithçkangrënës kanë një nivel pak më të lartë të aktivitetit vokal në agim sepse shpesh marrin pjesë në “grupe gjuetie”, që ndodhin më shpesh në mëngjes. Megjithatë, nuk është e qartë pse këto grupe formohen pikërisht në atë kohë.
Ka shumë hipoteza për korin e agimit. Nowicki thekson se studimi nuk shqyrtoi disa prej tyre, si ajo që zogjtë këndojnë për t’u “ngrohur” si një artist para koncertit, ose për shkak të çiftëzimit në mëngjes herët.
Studiuesit theksojnë se kërkimet e ardhshme mund të përfshijnë teknologji më të sofistikuar të regjistrimit dhe vëzhgim të klimës për të kuptuar më mirë këtë fenomen.