Fakte abstrakte
8 Maj, 2026
“E le të ikte, tash ‘puthu me Milion’”!
A e kupton këtë fazë në lexim të parë? Ndoshta e kupton vetëm dikush që është rrit në vendin ku kjo frazë është përdorur.
Çka do të thotë kjo frazë dhe kush është Milo?
Korça është një nga qytetet më të vjetra dhe më të veçanta të Shqipërisë. Edhe pse qyteti si qendër urbane është formuar gjatë 5-6 shekujve të fundit, zona e saj ka qenë e banuar shumë më herët, që nga koha ilire. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar varre, fortifikime dhe gjurmë të hershme jete, duke e kthyer Korçën në një nga vendbanimet më të lashta të Evropës Juglindore. Emri i qytetit përmendet për herë të parë në vitin 1510 nga Gjon Muzaka, i cili e quan “Kovica”, pjesë e zotërimeve të Principatës së Muzakajve.
Por Korça nuk njihet vetëm për historinë e saj të lashtë. Qyteti ka krijuar ndër vite edhe identitetin e vet kulturor, me lagjet karakteristike me kalldrëm, shtëpitë elegante me kangjella dhe atmosferën që ruan ende frymën e dikurshme korçare. Pikërisht në këto rrugica lindi edhe një nga shprehjet më të famshme shqiptare: “Puthu me Milon”.
Pak njerëz e dinë se kjo shprehje lidhet drejtpërdrejt me historinë e Birrës Korça, birra e parë shqiptare, e prodhuar për herë të parë në vitin 1928. Personazhi pas kësaj shprehjeje ishte Milo Barkmadhi, një figurë shumë e njohur në qytet. Fillimisht ai punoi si shofer i Birrës Korça dhe më pas si teknik deri në pension. Miloja ishte njeri shumë i dashur, mikpritës dhe i afërt me të gjithë, por ajo që e bënte menjëherë të dallueshëm ishte barku i tij i madh.
Kjo e bënte atë të njihej si “Milo Barkmadhi” apo “Milo i Korçës”
Vizitorët që shkonin në fabrikën e birrës shpesh donin ta përqafonin apo ta puthnin Milon nga dashamirësia, por kjo ishte pothuajse e pamundur për shkak të trupit të tij të madh. Kështu, me humorin tipik korçar, nisi të përdorej shprehja: “Puthu me Milon”, si një mënyrë për të thënë diçka shumë të vështirë ose thuajse të parealizueshme. Me kalimin e viteve, shprehja u përhap në gjithë Shqipërinë dhe madje për një periudhë u përdor edhe si slogan i Birrës Korça.
Sot, “Puthu me Milon”, brenda vetes historinë e një qyteti, humorin korçar, traditën e mikpritjes dhe kujtimin e një personazhi që u kthye në simbol kulturor. Është një shprehje që dëshmon se historitë më të bukura lindin nga njerëzit e thjeshtë, ata që lënë gjurmë jo me famë, por me zemër.

