Bota
4 Nëntor, 2024
Ditën e nesërme qytetarët amerikan do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur Presidentin e ri që do të drejtoj administratën katër vitet e ardhëshme.
Ndërkohë, procesi zgjedhor në SHBA, përcillet me vëmendje në gjithë globin, e këtu përjashtim nuk bën as Kosova.
Në garë për ta drejtuar Amerikën janë Kamala Harris, nga Partia Demokratike, aktualisht zëvendëspresidente, dhe Donald Trump, nga Partia Republikane, i cili ishte president nga viti 2017 deri më 2021.
Kosova, përgjatë viteve, ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht lidershipit të saj politik.
Fati i Kosovës, gjithmonë ka qenë e lidhur ngusht me SHBA-në dhe politikat e saj.
Ndihma amerikane për Kosovën nën administrimin e presidentin demokrat, Bill Clinton, më 1999, ishte vendimtare për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.
Rol kyç Amerika pati edhe në shpalljes e Pavarësisë së Kosovës dhe pikërisht ky proces ndodhi nën presidentencën e republikanëve, në kohën kur president ishte George W. Bush.
Edhe administrata e tanishme, ku bën pjesë Harris, ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, si kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.
Në anën tjeter, kandidati republikan, Donald Trump, duket se nuk do të ketë shumë kohë të merret me raportet Kosovë-Serbi, pasi që ai do të jetë më i pretë në këtë proces.
Por si do të reflektoj rezultati zgjedhor në Qeverinë e Kosovës?
Cilës fitore do t’i gëzohet kryeministri Albin Kurti?
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rezultati i zgjedhjeve të 5 nëntorit pritet të ketë pak pasoja për bashkëpunimin dhe partneritetin e vazhdueshëm.
Ai mbetet i bindur se përkushtimi i tij për t’u angazhuar me liderë me prejardhje të ndryshme politike, do të vazhdojë.
“Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës dhe bashkëpunoj me udhëheqës të shteteve që janë nga të gjitha anët e spektrit politik – kjo si kryeministër. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht që jam social-demokrat, jam demokrat dhe nuk kam asgjë të re të shtoj”, ka thënë Kurti.
Kjo deklaratë e ka bërë të qartë se Kurti nuk do t’i gëzohet fitores së Trump.
Edhe analistët, fitorën e kandidatit republikan e shohim më shqetësues për politikat që po ndjek Qeveria e Kosovës në raport me normalizimin e marrëveshjes me Serbinë.
Sipas analizave qasja e Trump me Kosovën, mund të çojë në pasoja të paparashikueshme dhe potencialisht të rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Madje nuk përjashtohet mundësia që Trump ta “eksplorojë” ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.
Kujton se një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, është përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.
Por, plani nuk ka shkuar përpara pasi presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i është dorëzuar Gjykatës Speciale në Hagë si i dyshuar për krime lufte.
Ndërkohë më e butë në raport me Kosovën, pasqyrohet se do të jetë kandidatja demokrate, Harris.
Supozohet se administrata e Harrisit do të ndiqte synime më pak ambicioze në raport me Kosovën dhe Serbinë.
Analistët thonë se ajo do të bënte përpjekje t’i ulte Kosovën e Serbinë në një tryezë, bashkë me evropianët, por do të synonte përparime në ekonomi, tregti, kulturë, lëvizje njerëzish.
Pra, në gjëra të cilat mund të fillojnë ta ulin tensionin e krijuar së fundmi mes dy vendeve.