Live Stories from Prishtina

LIVE

23 Mars, 2026

Në botën elegante, “shërbimi i dhomës”, të bën të mendosh se gjithçka është veç një ritual i vogël luksi, trokitja e qetë tek dera, karroca me mbulesë të bardhë, kapaku i argjendtë që ngrihet me kujdes… dhe poshtë tij? Shpesh, shfaqet një “club” sanduiç.

I paketuar mirë, i shtresuar mirë, i gjithi i ngulitur nga një rrëmojës druri, krejt kjo deri tash ta jep ndjesinë e një projekti miniaturë të arkitekturës. Ky është sanduiçi më i sigurt dhe më konsistenti në shije.

Sipas kritikes së restoranteve në shkrimin e saj në The New Yorker, Helen Rosner, tha “mund ta hash në Bangkok, Big Sur apo Milwaukee dhe gjithmonë është… po ai sanduiç, shijon njëjtë dhe po ka po të njëjtën freski.”

Historianët e lidhin origjinën e “club-it” me klubet dhe burra të pasur në SHBA në fund të shekullit XIX, sidomos në Saratoga Club House.

Aty, buka e thekur me mish pule apo gjeldeti, proshutë dhe sallatë u bë vulë për një ambient ku njerëzit shkonin për të luajtur bixhoz, për të pushuar dhe për të ngrënë mirë.

Pra emri i “club” sanduiç vjen pikërisht nga këto klube, sepse një kohë filluan pretendimet se “club” ishte një akronim dhe se “CLUB” do të thotë “Chicken Lettuce Under Bacon”, kjo ishte thjeshtë një shpikje moderne sa për humor.

Sido që të jetë, shumë shpejt, hotelet e përvetësuan dhe sanduiçi gjeti rrugën e tij. Në dhomat e ngrënies, në terasa, pranë pishinës… ose në shtrat me rroba banje dhe patate të skuqura (opsionale, por shumë të rekomanduara, të tillë e ha edhe personalisht në “Caffe Z” dhe jo nuk është një reklamë).

Sekreti? Asgjë surprizë!

Mbi 100 vjet më vonë, formula nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë dhe kjo është pikërisht arsyeja pse ky sanduiç funksionon.

Vizita në një qytet të panjohur për ty, nënkupton se të porositësh një club sanduiçi është shpëtim.

Shkrimtari Zachary Weiss e përshkruan kështu: “Pas një jave me pasta në Itali dhe sushi në Japoni (po, e di sa keq tingëllon), një “club” sanduiç të rikthen në realitet.”

Edhe pse duket i thjeshtë, një “club” i mirë kërkon disiplinë në përmbajtje:

proshuta duhet të jetë e thatë
mishi i pulës apo gjeldetit të jetë i freskët
sallata e ftohtë
majonez vetëm aq sa duhet, pa e tepruar
buka e thekur, por jo aq sa të ta sfidoj nofullën.

Në vende të ndryshme, receta përshtatet me traditën e vendit, ndonjëherë pa mish derri, ndonjëherë me mish derri brenda por në copa më të holla. Por struktura mbetet e njëjtë. Sipas ekspertëve të ushqimit, në Evropë versioni i Club Sanduiçit është më elegant, çdo pjesë përbërëse është më e hollë, më e balancuara dhe më e lehtë për t’u ngrënë (pra më pak “luftë fizike” me sanduiçin).

Në hotelet më të mira në botë, ky sanduiç është si një test i fshehtë për kuzhinën, nëse arrijnë ta bëjnë perfekt këtë sanduiç kaq të thjeshtë, atëherë dinë çfarë po bëjnë.

Nga Parisi në Liqenin Como, nga resortet alpine te bujtinat buzë rrugës, një club sandwich i mirë të bën të ndihesh si në shtëpi.

Në një botë plot surpriza… ndonjëherë ajo që duam më shumë është qëndrueshmëria.