Live Stories from Prishtina

LIVE

1 Gusht, 2025

Kur ngjitesh në majat e thepisura të Alpeve Shqiptare apo zhytë këmbët në ujërat bruz të Jonit, një gjë bëhet e qartë kjo tokë e vogël ballkanike nuk është më një sekret i ruajtur me xhelozi. Ajo shkëlqen.

Për dekada me radhë, Shqipëria ishte si një shënim i padukshëm në hartën turistike një vend me qytete të lashta, lumenj të egër dhe male pothuajse mitike, që rrallë përmendeshin në broshurat e udhëtimeve.

Por vera e vitit 2025 sjellë një kapitull të ri. Shqipëria nuk është më thjeshtë një alternativë ekonomike, ajo është një destinacion në vetvete, e paprekur, e vërtetë dhe gjithnjë e më e kërkuar.

RTL Radio ka lançuar seritë mbi destinacionet alternative të pushimeve në Evropë. Në pjesën e tretë të këtij cikli, njihet më nga afër Shqipëria.

Përshkimi i tyre për malet, detin, lumenjtë është pa shoq, do të thonim ne shqiptarët.

Atje ku malet rrëfejnë legjenda.

Në veri, atje ku Shqipëria kufizohet me Kosovën dhe Malin e Zi, shtrihen Bjeshkët e Nemuna ose siç njihen ndryshe, Alpet Shqiptare. Në lugina të thella dhe kreshta të egra, qëndrojnë fshatra si Thethi dhe Valbona, ku natyra mbretëron pa ndërprerje dhe mikpritja është pjesë e jetës së përditshme.

Këtu nuk ka resortë luksoze apo teleferikë. Ka shtigje që të çojnë përmes pyjeve të dendura e përballë majave dramatike, ku çdo hap të lidhë me tokën, qetësinë dhe diçka të lashtë që nuk shpjegohet, por ndjehet.

Lumi i fundit i egër në Evropë

Një tjetër mrekulli natyrore është lumi Vjosa i shpallur në vitin 2023 si “Parku i Parë Kombëtar i një Lumi të Egër” në Evropë. Ai rrjedhë i lirë, pa diga, pa ndërhyrje, përmes një peizazhi që është po aq i rrallë, sa i çmuar.

Rreth lumit jetojnë mbi 1100 specie të faunës dhe florës përfshirë rreqebuj, vidra dhe zogj të rrallë. Por më shumë se kaq, Vjosa është simboli i një Shqipërie që zgjedh ruajtjen para shfrytëzimit dhe e fton botën ta vizitojë me kujdes.

Një copë Mesdhe që ende flet me zë të ulët

Në jug, peizazhi ndryshon. Riviera Shqiptare, që përqafon bregun e Jonit, është një përzierje e papërsëritshme midis Maldiveve natyrore dhe një Mesdheu të harruar. Ksamili, Dhërmiu, Himara – emra që fillimisht tingëllojnë të panjohur, por që lënë mbresa të thella tek ata që i vizitojnë.

Plazhet me rërë të bardhë dhe ujëra kristal janë ende të lira nga turmat. Nuk ka resorte shumëkatëshe. Ka ullinj, taverna, qetësi.
Falë hapjes së Tunelit të Llogarasë në verën e vitit 2024, kjo zonë është bërë edhe më e qasshme se kurrë më parë. Udhëtimi nga malet drejt bregdetit nuk zgjat më shumë se 7 minuta një rrugë që dikur kërkonte kurajë, sot ofron thjesht pamje spektakolare.

Tirana

Kryeqyteti, Tirana, është një përzierje ngjyrash dhe kontrastesh. Nga kafetë me muzikë live dhe art rrugësh, deri te baret në çati dhe restorantet moderne, qyteti pulson me një energji rinore që e bën të paharrueshëm.

Por Tirana nuk e shmangë të kaluarën. Përkundrazi. Në Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, ish-bunkerë të ndërtuar gjatë diktaturës komuniste, vizitorët udhëtojnë nëpër kujtesë, nëpër histori të ftohta, të errëta, por që duhen treguar.

Qytete që flasin me gurë dhe dritare
Në veri të Shqipërisë, qyteti i Shkodrës ofron një përvojë të rrallë historike. I vendosur pranë liqenit më të madh të Ballkanit, ai rrezaton qetësi dhe kulturë. Kalaja e Rozafës, që ngrihet mbi qytet, është një nga vendet ku legjenda dhe pamja bashkohen në mënyrë magjepsëse.

Në jug, Berati dhe Gjirokastra, të dy qytetet pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, janë si muze të gjallë. Shtëpi prej guri, rrugica të pjerrëta, aroma e qershive dhe e kafesë në ballkon – këto qytete nuk janë të ngrira në kohë, por të mbushura me jetë dhe kujtesë.

Shqipëria ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por është më pranë Evropës se kurrë më parë. Euroja pranohet gjerësisht në zonat turistike edhe pse monedha zyrtare mbetet leku. Me çmime shumë më të ulëta se destinacionet e njohura fqinje, Shqipëria mbetet një alternativë buxhetore por me përvojë që s’ka çmim.

Fluturimet janë shtuar, rrugët po përmirësohen, por ajo që e bën Shqipërinë unike është ndjenja ende e ruajtur e paprekshmërisë dhe vërtetësisë.

Shqipëria është një tokë që ecën mes dy poleve mes detit dhe malit, të kaluarës dhe së ardhmes, mes harresës dhe zbulimit. Ajo nuk të pret me superlativa por të fton ta zbulosh.

Në një Evropë të lëmuar dhe të stërmbushur, Shqipëria ofron luksin më të madh të mundshëm: ndjesinë e të qenit udhëtar, jo turist.