Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Nëntor, 2024

“Ndeshja u ndërpre për shkak të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që dëmtojnë rëndë frymën e fair play-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-s”.

Në Bukuresht, mbrëmë, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, zhvilloi një ndeshje të cilësuar si “epike”.

Rezultati 0:0, por më shumë se loja, në atë ndeshje, shkëlqeu atmosfera toksike.

Futbollistët e Kosovës, treguan shpirt luftarak, krijuan raste ( fati nuk e deshi golin) dhe me dinjitet përballuan 90 minuta presion fizik. Por jo vetëm!

Turma e tifozëve rumunë kishin ardhur për gjithçka tjetër, përveç se për një përballje futbolli.

Dikush mund të pyesë. Çfarë kanë tifozët rumunë kundër Kosovës?

Por mbrëmë, përgjigja nuk kërkonte shumë analizë.

Thirrjet raciste dhe fashiste “Kosova është Serbi” dominuan minutat e para dhe u intensifikuan, kur Kosova filloi të tregojë se nuk ishte aty për t’u dorëzuar.

Për sa i përket gjyqtarëve në fushë, përgjigja ishte një hezitim i qetë, deri në momentin kur lojtarët tanë vendosën të braktisin fushën, një akt që do të mbetet në kujtesën e tifozëve të futbollit.

Në fushë, Kosova kishte paraqitje të mirë, të paktën sipas shifrave zyrtare.

Por ajo që ndoshta mund te mos jetë një statistikë për UEFA- në, janë zërat e shpërndarë në stadium, ofendimet dhe një atmosferë që do të kishte shtyrë çdo tifoz të qytetëruar të largohej nga stadiumi.

Thirrjet fashiste dhe histeria kolektive nuk u ndalën deri në momentin e fundit, duke e bërë këtë ndeshje një fushëbetejë që s’kishte lidhje me futbollin.

Lojtarët e Kosovës, megjithatë, mbrojtën dinjitetin e tyre.

Ata vendosën të largohen nga fusha në shenjë proteste ndaj fyerjeve që s’kanë vend në fushë të gjelbër.

Dhe pikërisht këtu, Kosova fitoi, pavarësisht se cili do të jetë epilogu i kësaj përballjeje.

Thirrjet për veprim janë të shumta, duke përfshirë federatën e Kosovës që kërkojnë ndërhyrjen e UEFA-së.

Por a do të shkoj situata në favor të Kosovës?

Nëse ky incident kalon pa ndëshkime të ashpra, Kombëtaren e Rumanisë, atëherë mesazhi që UEFA po dërgon është i qartë.

Jo gjithmonë futbolli mund të jetë sporti që bashkon popujt!.

Situata si kjo e mbremshmja, është thjeshtë një skenë urrejtjeje, dhe kjo padyshim se është turp për këdo që e do dhe punon për futbollin.

Mbrëmë, Kosova nuk shënoi golin e epërsisë, megjithatë, ajo fitoi një respekt të merituar për mënyrën si trajtoi një situatë të turpshme.

Tifozët rumunë, megjithatë, humbën shansin për të treguar që mund të ishin më të mirë dhe më të qytetëruar.