Fakte abstrakte
29 Dhjetor, 2024
Tema e ditës së dielë (detaje të marra nga libra të ndryshëm):
Afërsisht një në pesë njerës flasin anglisht.
Një vlerësim tregon se 1.5 miliardë njerëz në gjithë botën, flasin gjuhën angleze, duke e bërë atë gjuhën më të përdorur në histori.
Ashtu si gjuhët e tjera koloniale, ajo u përhap fillimisht përmes “pushtimit, konvertimit dhe tregtisë por përhapja e saj sot është e fuqizuar nga një proces i katërt ‘bashkëpunim’”, thotë Rosemary Salomone në librin e saj “Rritja e Anglishtes: Politika Globale dhe Fuqia e Gjuhës”.
Në të gjithë botën, njerëzit ndjekin anglishten dhe mundësitë që ajo ofron.
“Nënat koreane zhvendosin fëmijët e tyre në vendet anglisht folëse për të mësuar anglisht. Universitetet holandeze japin mësim në anglisht. Vendet e aziatike bashkëpunojnë përmes saj. Aktivistët politikë shkruajnë në të”, përshkruan Salomone në libër.
Disa studiues shqetësohen për humbjen e identiteteve të ndryshme kulturore që mund të sjellë zgjerimi i anglishtes.
Po aq shqetësuese është edhe mundësia e hegjemonisë kognitive.
“Gjuhët, ndikojnë në mënyrën se si ne e perceptojmë dhe i përgjigjemi botës. Veçoritë e anglishtes; si gramatika e saj, konceptet e saj, lidhja e saj me kulturën perëndimore, mund të krijojnë së bashku një konstruksion arbitrar të realitetit”, argumentojnë studiuesit.
Sociologu francez Pierre Bourdieu shprehu një shqetësim të zakonshëm kur në vitin 2001, pyeti “a është e mundur të pranohet përdorimi i anglishtes pa rrezikun që strukturat mendore të dikujt të mendojnë anglisht, pa ua ‘larë truri’ nga modelet gjuhësore?”
Pyetja që duhet bërë në të vërtetë; është nëse një gjuhë në vetvete ka veçori që ndikojnë në mënyrën se si mendojnë folësit e saj.
P.sh.: A i bën objektet të duken më me përkatësi gjinore biseda në spanjollisht për një muaj?
A të bën më pak shqiptar të flasësh gjysmë anglisht në baza ditore, në një vend plot me shqiptarë?
Pse gjuha franceze duket më sensuale vetëm nga e folura e saj? Pse një BESË e dhënë nga shqiptarët peshon më shumë se ajo e dhënë nga një person i një nacionaliteti tjetër?
Pas këtyre pyetjeve, a janë të gjitha perceptime personale apo mendime të krijuara nga shoqëria?
“Nëse gjuhës suaj i mungojnë disa fjalë emocionale, nuk do t’i ndjeni kurrë ato. Foshnjat e poasalindura, orangutanët dhe të gjitha krijesat e tjera të paaftë për të folur, sipas nënkuptimit, janë të pafuqishëm për të kryer shumë operacione themelore mendore”, thonë studimet e nxjerra nga studiuesi i gjuhësisë Benjamin Lee Whorf.
A do të thotë kjo se tekstet e përkthyera nga anglishtja janë më të gjata në shqip, sepse në shqip përdorim më shumë emocione në të shprehur?
Çdo gjuhë nuk vjen vetëm me modelet e veta të tingullit dhe metodat për renditjen e fjalëve, por edhe me zakonet e saj shoqërore dhe gjykimet për atë që duhet të falësh, çfarë të dënosh dhe çfarë të nderosh!
Megjithatë, nëse mënyrat e të folurit mund të ndryshojnë mënyrat e të menduarit, atëherë edhe mënyrat e të menduarit mund të ndryshojnë mënyrat e të folurit. Ndërveprimi dinamik midis të dyjave është pjesë e historisë së vazhdueshme se si ne përpiqemi ta bëjmë botën të kuptueshme për veten dhe ta bëjmë veten të kuptueshëm për njëri-tjetrin.