N’Kosovë
4 Qershor, 2025
Ti punon 8 orë në ditë, vetëm që të kesh kohë 4 orë për veten. Punon 5 ditë në javë, vetëm për t’i kaluar dy ditë duke u përpjekur të çlodhesh. Punon 10 orë për një vakt ushqimi që e përfundon për 15 minuta. Kalon 47 javë duke punuar, që të kesh vetëm 5 javë pushim. E gjithë rinia jote shkon duke u lodhur, me shpresën se do t’i shijosh vitet e pensionimit.
Dhe megjithatë, dikush ka guximin të ta vërë në mëdyshje kontributin tënd.
Si me thanë edhe je larg, edhe nuk je mjaftueshëm.
Truri të aktivizohet në një mënyrë të çuditshme, posa je larg vendit që e quan shtëpi. Sepse krejt e kërkojnë një vend për ta quajtur shtëpi. Nga një qytetar i zakonshëm bëhesh analist politik, ekspert ekonomie, psikolog kolektiv dhe patjetër, kritik i pakompromis i shtetit. Sa më larg je, aq më të qarta i sheh problemet.
Kur je aty, kur jeton mes të përditshmes së vështirë, irritohesh. Shan. Thua “ky shtet i poshtër”, “ky sistem s’punon”, “këta politikanë nuk dinë çka bëjnë”. Ia hedh fajin gjithkujt sistemit, qeverisë, fqinjeve, ndoshta edhe vetes. Nga afër, çdo tel duket më i trashë, çdo padrejtësi më e padurueshme. E kur je aty, mendon se largimi është zgjidhje.
Por, kur je larg… o të dhemb bre!
Të dhemb edhe kur nuk do ta pranosh. Të dhemb kur sheh fotografi të familjes që po plaket pa ty. Të dhemb kur e sheh lagjen që ke lënë mbrapa, duke ndryshuar pa ty. Të dhemb kur lexon një lajm për vendin tënd dhe nuk je aty: as për të reaguar, as për të festuar, as për të protestuar. Të dhemb koha që ikën. Sepse e di që koha nuk kthehet më.
Të dhimbet vendi me gjithë plagët e tij. Të dhimbet rruga që nuk u rregullua kurrë, por që gjithmonë të dërgonte te gjyshja. Të dhimbet tregu i zhurmshëm, që atëherë të dukej lodhës, por sot do jepje gjithçka për ta përjetuar sërish.
Të dhimbet vetja. Sepse ke ikur me mendimin se do të ndihesh më mirë, por sot e kupton që gjithçka ka një çmim. Dhe çmimi më i madh është kur ndihesh i ndarë në mes – gjysma jote në një shtet të huaj, gjysma tjetër aty ku të janë rrënjët. Dhe më e dhimbshmja nga të gjitha: edhe nëse do të kthehesh, e di që asgjë nuk është më si më parë. Koha ka kaluar. Njerëzit kanë ndryshuar. Dhe as ti vetë nuk je më i njëjti.
Sa më larg je, aq më shumë e do. Aq më shumë të dhemb.
Na dhimbet vendi po me kufizime. Deri në 10 ditë pushim në verë, një video me flamur në TikTok, një koment për politikanët “që s’dinë kurgjo” edhe kaq. Pastaj kthehemi prapë në realitetin tonë “evropian” dhe vazhdojmë me mendu për Kosovën me mall… të menaxhueshëm.
Koha nuk kthehet. Por memet për vendlindjen po. Çdo vit. Me të njëjtin caption:
“Zemra aty, trupi këtu.”
Dhe ndoshta është më mirë kështu se nëse do ishim aty, s’do kishim me kënd me u anku.