Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Dhjetor, 2025

S’ka më pritje! Shkodra Elektronike sapo publikoi këngën e re “Fosforon”, një projekt që vjen jo vetëm si një dalje diskografike, por si një deklaratë e qartë për drejtimin që ka marrë rrugëtimi i tyre muzikor.

“Fosforon” vjen si një simbol i dritës që shfaqet në errësirë, i energjisë që ndizet papritur me një tingull që shkrihet me tekstin, imazhin dhe efektet vizuale. Në videoklipin e Shkodra Elektronike në këtë këngë çdo detaj është pjesë e narrativës ku muzika nuk dëgjohet vetëm, por ajo shihet, përjetohet dhe të bën të reflektosh. Një tjetër shtyllë e fortë e identitetit të tyre në të gjitha këngët e Shkodra Elektronike është gegnishtja, që vjen po aq e qartë edhe në këngën “Fosforon”.

Nuk bëhet fjalë për një zgjedhje estetike të imponuar, por për një nevojë të brendshme me rrënjët ku gjuha është njëkohësisht dhe bartëse e emocioneve dhe historive që muzika e tyre kërkon të përcjellë.

Kënga “Fosforon” shënon një hap të ri krahasuar me projektet e mëparshme, si në strukturë ashtu edhe në atmosferë, duke lënë të kuptohet se mund të jetë edhe pararendëse e një albumi të ri, për Shkodra Elektronike që me sa duket do të zbulohet në koncertin audiovizual që do të mbajnë sonte në mbrëmje në hapësirën MINUS 1, nën sheshin Skënderbej në Tiranë, një zgjedhje që dhe ajo e ka një simbolikë të vetën.

Në një skenë muzikore ku për shumë vite ka munguar një identitet i qartë alternativ, muzika e Shkodra Elektronike ka gjetur terren dhe është pritur me interes nga publiku.

Performanca audiovizuale synon të ofrojë një përvojë të plotë, ku publiku nuk është thjesht spektator, por pjesë e një hapësire të krijuar posaçërisht për këtë projekt. Në këtë natë priten edhe artistë të ftuar, të zgjedhur për afërsinë estetike dhe shpirtërore me botën e Shkodra Elektronike.

Pas publikimit të “Fosforon” dhe koncertit në Tiranë, rrugëtimi i radhës pritet të përfshijë turne, bashkëpunime të reja dhe projekte ndërkombëtare, duke e zgjeruar më tej hartën e pranisë së tyre artistike, si një vazhdim natyral i një historie që, në thelb, ka nisur në Shqipëri.