Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Nëntor, 2024

Prej nga vjen emri shqiptar? A është kjo fjalia kthyese që e merrni më së shpeshti si përgjigje “Shqip po ta them bre”? A folet në shtëpitë e diasporës për këngët e Nexhes? A ju vendosen ende emrat e gjyshërve fëmijëve të posalindur? A është kjo mënyra qysh përqohet brezë pas brezi gjuha shqipe?

Cilat janë fjalët e fundit shqip që janë shpik dhe prej kujt? Sa keni ju interes me dëgju për këto tema?

Emri etnik shqiptar, vjen nga ndajfolja shqip që emërton gjuhën. Kanga e Nexhmije Pagarushës “Sytë për ty i kam të njomë” ajo e Vaçe Zelës “Valsi i lumturisë”, kanë në tekst fjalët ma të mira shqip që mundësh me i dëgju. Emërat shqip Guri, Lis, Jon, Adriatikë, Ilir, Mimozë, Jetë, Valëz, Verë, Bora janë emërat me vlerësimet më të mira shqip që mundesh me ja vendos djalit apo vajzës tënde dhe që ka me mbajtë ton jetën. Kjo është rëndësia e gjuhës shqipe!

Sot më në fund fjalët shqip e gëzojnë ditën që zyrtarisht është festë, Dita e Alfabetit Shqip.

Shqipen bre edhe kur mallkon, uron, vajton… tingëllon ndryshe, diqysh e shpreh saktë çka ki brenda. A ndihen krejt njerëzit kështu për gjuhen e vetë amëtare, a veç na shqiptarët e kena veti ma të theksune? Çka kisha uru, është alfabeti me pas një emër -“Ëvetarin”! Çka më pëlqen bre…Naum Veqilharxhi e patë vendos edhe pse ky alfabet nuk u përdorë nga ndonjë vepër tjetër përveç në veprën “Libër Këndimi” dhe kështu mbeti vetëm në zonën e Korçës.

Kongresi i Manastirit 1908, nuk ishte vetëm një ngjarje historike por një manifest i vullnetit të shqiptarëve për t’u bashkuar përmes një gjuhe të shkruar të përbashkët. Sot, më shumë se një shekull më vonë, kjo trashëgimi a vazhdon të përqohet në breza?

Në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe në Tiranë dhe në Ditën e Alfabetit Shqip, që sivjet shënohet për herë të parë si festë zyrtare, është lansuar Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe. Përmban rreth 120 mijë fjalë, që e bën atë fjalorin më voluminoz deri më tash dhe jo vetëm. Deri në fillim të vitit që vjen do të jetë në version online dhe në shqyrtim publik e më 2025 pritet të botohet.