Shqipëri
19 Korrik, 2025
Në Shqipëri, ditët e fundit kanë qenë të ngarkuara me zhvillime që prekin jetën urbane, bregdetin dhe kulturën. Nga vendimi për çlirimin e hapësirave publike në qytete dhe plazhe, te rregullat e reja për tavolinat në trotuare, e deri te thirrja për përfaqësimin shqiptar në Oscars, lajmet kanë sjellë një tablo të gjerë të përpjekjeve institucionale për të riorganizuar hapësirën publike dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Nga Tirana në Dhërmi, nga sheshet urbane tek bregdeti, qeveria shqiptare ka nisur një ofensivë të re për të “çliruar” hapësirat publike. Fjalori është luftarak: “operacion”, “çlirim”, “pushtim”, “ofensivë”. Në qendër të kësaj lëvizjeje është ideja e rikthimit të qytetit te qytetari, të trotuarit te këmbësori dhe të bregdetit te pushuesi i lirë. Por përtej termave, a është ky një hap drejt një qytetarie më të ndërgjegjshme dhe një hapësire publike më të drejtë?
Në postimet e tij në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama deklaroi se vetëm në Tiranë janë liruar rreth 20 mijë metra katrorë hapësirë publike nga zaptimi. Kjo përfshin kryesisht sipërfaqet e trotuareve dhe hapësirat përreth lokaleve që prej vitesh janë kthyer në “kolonizime” me tavolina, struktura metalike, barriera e madje edhe gardhe private.
Për të frenuar këtë fenomen, është paralajmëruar një plan i ri për ndarjen e hapësirave publike me një formulë të qartë: 75% për këmbësorët dhe 25% për njësitë e shërbimit. Një logjikë e thjeshtë dhe e drejtë në dukje, por që në praktikë do të përballet me rezistencën e bizneseve, interesave lokale dhe mungesën e një kulture urbane të përbashkët mbi pronësinë publike.
***
Në një linjë paralele, ka nisur edhe “Operacioni Plazh i Lirë”, i cili startoi nga Dhërmiu dhe kishte në shënjestër zaptimin e vijës bregdetare me çadra dhe shezlongë pa leje. Brenda një dite, u sekuestruan 37 çadra dhe 68 shezlongë, ndërsa tre persona u proceduan për “pushtim toke” dhe “ushtrim aktiviteti të paregjistruar”.
Por ky realitet nuk është as i ri dhe as i panjohur. Prej vitesh, pushuesit në jug të vendit përballen me një fenomen të pakontrolluar të privatizimit de facto të plazheve, ku çdo metër katror rërë ka një çmim dhe çdo hije peme është kthyer në mall tregu. Ironikisht, shumë prej atyre që sot po ndëshkohen, kanë funksionuar për vite me radhë në dritën e diellit dhe me heshtjen e institucioneve.
Ajo që mbetet për t’u parë është konsistenca dhe barazia e zbatimit. Sepse një politikë publike e mirë nuk matet vetëm me shifrat e metra katrorëve të liruar apo numrin e çadrave të sekuestruara, por me ndërtimin e një standardi që vlen për të gjithë jo vetëm për të vegjlit që kapen të parët.
Nëse synimi është rikthimi i hapësirës publike për qytetarët, atëherë duhet një qasje e qëndrueshme dhe transparente: lehtësim për ata që duan të zbatojnë rregullat, ndëshkim real për ata që i shkelin dhe mbi të gjitha një vizion urban që nuk lë askënd në mëshirë të improvizimit.
****
Rilindja Urbane 2.0, siç përmendet nga kryeministri, mund të jetë një mundësi për të dizajnuar qytete më njerëzore. Por qyteti nuk është vetëm projekt arkitektësh dhe politikanësh, është një kontratë shoqërore mes atyre që e përdorin dhe atyre që e drejtojnë.
Në fund, pyetja që mbetet është kjo: A po “çlirohen” vërtetë hapësirat publike? Apo po ndryshohet vetëm mënyra si kontrollohen ato?
Sepse një trotuar pa tavolina, por i rrethuar me tabela ndaluese, gjoba selektive dhe urdhra arbitrarë, mund të jetë i lirë në letër por jo për këmbësorin që nuk ndjehet i mirëpritur.
*****
Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri ka shpallur zyrtarisht thirrjen për paraqitjen e kandidaturave shqiptare për kategorinë “International Feature Film” në edicionin e 98-të të çmimeve Oscar, që do të mbahet në vitin 2026.
Të gjitha shtëpitë filmike dhe producentët shqiptarë janë të ftuar të dorëzojnë filmat e tyre deri më 1 gusht 2025, pranë QKK-së, sipas dokumentacionit dhe kritereve të përcaktuara.
Ndërkohë, Kosova ka hapur thirrjen e saj në fillim të javës së kaluar, duke iu rikthyer garës për “Oscar” pas dy viteve mungesë. Në vitin 2023 nuk u dërgua asnjë propozim pavarësisht thirrjes, ndërsa në vitin 2024 nuk pati fare thirrje.
Sipas kritereve të përcaktuara, në garë mund të paraqiten filma artistik, dokumentarë ose të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur ose do të shfaqen për të paktën 7 ditë radhazi në kinema ose platforma VOD, brenda periudhës 1 tetor 2024 deri më 30 shtator 2025.
Në mënyrë të prerë, nuk do të merren në konsideratë filmat që janë shpërndarë publikisht jashtë kinemave para shfaqjes kualifikuese përfshirë transmetimet televizive, shfaqjet në internet, platformat VOD, shpërndarjen me DVD, apo gjatë fluturimeve ajrore.
Afati i fundit për aplikim në Kosovë është më 21 korrik 2025.
Këto thirrje përfaqësojnë një moment kyç për kinematografinë shqiptare dhe kosovare, për të konkurruar në njërën nga skenat më të mëdha të filmit botëror.