Live Stories from Prishtina

LIVE

24 Qershor, 2025

Pse dështojnë vendet? Pse disa vende janë të pasura e të tjerat të varfra? A është e vërtetë që dështimet nuk kanë të bëjnë as me pozitën gjeografike, as me resurset, as me dijen e pamjaftueshme apo kulturën. A është e vërtetë se vendet e varfëra, janë të varfëra sepse ata që janë në pushtet përcaktohen për vendime të cilat krijojnë varfëri. Ata këtë nuk e bëjnë nga padija, por me vetëdije.

Në librin e tyre të njohur “Pse dështojnë kombet”, ekonomistët Daron Acemoglu dhe James A. Robinson i qasen një prej pyetjeve më themelore të botës moderne: pse disa vende janë të pasura, ndërsa të tjerat mbesin të varfëra? Përgjigjja e tyre është e drejtpërdrejtë, por jo e thjeshtë: shkaku kryesor është mungesa e institucioneve demokratike. Varfëria, përfshirë edhe atë të vendeve si i yni, nuk është çështje gjeografie, kulture apo ndonjë fati historik, por rezultat i sistemit politik që përjashton qytetarët nga vendimmarrja dhe favorizon një elitë të ngushtë.

Nëse kjo tingëllon si një pohim bombastik, vlen të theksohet se nuk kemi të bëjmë me autorë rastësorë. Acemoglu është profesor në MIT, ndërsa Robinson në Universitetin e Çikagos, dy nga institucionet më prestigjioze akademike në botë. Teza e tyre nuk është ndërtuar mbi spekulime, por mbi 15 vjet kërkimesh të thella, të cilat përfshijnë shembuj nga e gjithë bota, nga Perandoria Romake deri te shtetet bashkëkohore, duke analizuar jo vetëm vendet si tërësi, por edhe rajone e qytete specifike brenda tyre. Libri, që kap rreth 500 faqe, është një vepër ambicioze dhe e argumentuar me kujdes.

Vendet që kanë pasur udhëheqës autoritarë shpesh i kanë frenuar ndryshimet ekonomike si gjatë revolucionit industrial sepse i frikësoheshin humbjes së pushtetit. Kjo i ka çuar në stagnim, si në rastin e Rusisë cariste, Perandorisë Osmane dhe asaj Austro-Hungareze.

Në anën tjetër, vendet që kanë hapur tregjet dhe kanë ndërtuar institucione përfshirëse si Britania, SHBA-ja apo Australia kanë njohur zhvillim të qëndrueshëm.

Në Afrikë dhe Amerikën Latine, kolonizatorët ndërtuan institucione shfrytëzuese edhe pas pavarësisë, shumë nga qeveritë vendase vazhduan me të njëjtin model abuziv dhe përjashtues, duke mbajtur pushtetin për një elitë të vogël dhe duke penguar zhvillimin. Raste si Zimbabve, Kongo, Guatemala apo Etiopia janë shembuj të dështimit.

Por ka edhe përjashtime pozitive: disa vende, si Japonia, Koreja e Jugut, Tajvani, Kili, Botsuana, kanë kaluar me sukses nga institucione shtypëse në institucione gjithëpërfshirëse dhe kanë njohur zhvillim të madh.

Çfarë ka ndodhur në Kosovë?

Si është bërë privatizimi, si jepeshin tenderët e investimeve të mëdha dhe kush përftonte prej tyre, kush i ka drejtuar dhe si janë qeverisur ndërmarrjet publike, si është bërë caktimi i njerëzve në pozita e deri te punësimi në nivelet më të ulëta. E fundi, por më e rëndësishmja – si ka mundësi që e njohim këtë paternë të padrejtësisë dhe prapë e vazhdojmë?

Poashtu të mendosh se varfëria mund të kapërcehet me këtë apo atë mandat qeverie është iluzion. Iluzion të cilin e përhapni sa nga padija, aq edhe nga dëshira e luftës për pushtet. Për ndryshime të mëdha nevojitet konsensus i gjerë shoqëror, të cilin shtrohet pyetja a kemi treguar ndonjëherë se mund ta arrijmë?