Botë
17 Shtator, 2025
Si një djalë nga Guatemala ndryshoi mënyrën se si mësojmë gjuhë: Historia e Duolingo-s!
“Guatemala është poshtë Meksikës. Dhe jo, nuk është Guantanamo.” Me këtë shaka e nisi fjalimin e tij Luis von Ahn, profesori i informatikës në TED talk vitin e kaluar, që më vonë do të revolucionarizonte mësimin e gjuhëve në mbarë botën.
Von Ahn u rrit në një vend të varfër, ku edukimi shpesh nuk shërben si barazues social, por si faktor që thellon pabarazitë. Të pasurit mund të blejnë arsim cilësor dhe të ruajnë privilegjet, ndërsa të varfërit mbetën në ciklin e mungesës së mundësive.
Ai vetë ndihej i përjashtuar nga sistemi. I vetmi fëmijë, me një nënë beqare, e cila investoi çdo gjë në shkollimin e tij, që me përkushtim e çoi deri në SHBA, në doktoraturë për shkencat kompjuterike në Carnegie Mellon.
Por me këtë sukses erdhi edhe një mision personal që sot “ia sheh hajrin gjysma e botës”, të krijonte një mënyrë që edukimi të bëhej i qasshëm për këdo, pavarësisht nga të ardhurat dhe vendosi të fillonte me një fushë të vetme, mësimin e gjuhëve të huaja.
Pse gjuhët e huaja?
Sot mbi dy miliardë njerëz në botë janë duke mësuar një gjuhë të huaj, kryesisht anglishten. Arsyeja është e qartë, njohja e anglishtes mund të të ndryshojë jetën. Një kamerier që mëson anglisht nuk bëhet inxhinier, por mund të punoj në një hotel dhe të fitoj më shumë. Ky ndikim i drejtpërdrejtë në të ardhura e bëri Luis von Ahn të zgjedhë gjuhët si pikënisje.
Shkollat kushtojnë shumë, nga ana tjetër smart phones, tashmë janë në xhepat e shumicës së botës, zgjidhja dukej e qartë – një aplikacion falas për të mësuar gjuhë.
Dhe ja ku lindi Duolingo.
Modeli financiar ishte po aq revolucionar sa edhe ideja, aplikacioni mbeti falas për të gjithë, ndërsa të ardhurat vinin kryesisht nga abonentët në vendet e pasura që paguanin për të hequr reklamat.
Me pak fjalë “të pasurit paguajnë shkollimin e të varfërve” një formë e vogël rishpërndarjeje globale e pasurisë.
Me kohën pengesat filluan të dalin në rrugë, sepse dinamika jetësore nuk të pyet për qëllimin tënd të mirë që kishe mbrapa kur krijove aplikacionin.
Si të konkurrosh me TikTok, Instagram dhe lojërat mobile? Sipas von Ahn, të ofrosh edukim në një telefon është si t’u japësh njerëzve brokoli, ndërkohë që përballë tyre ke vendosur pastën më të shijshme. Zgjidhja? Ta bësh brokolin të shijojë si ëmbëlsirë.
Duolingo përdorë të njëjtat mekanizma psikologjik që nxisin varësinë nga rrjetet sociale, seri ditore (streaks – një numër që rritet sa herë hynë për të mësuar dhe bie në zero nëse e lë pas dore. Askush nuk do ta humbasë zinxhirin e vet), njoftime të personalizuara, madje edhe “pasiv-agresivitetin” e maskotës së famshme “hutit të gjelbër”, pastaj pikë, nivele, shpërblime dhe “konkurrencë miqësore” me përdorues të tjerë.
Meme-s, videot në TikTok dhe madje skeçet në SNL e shndërruan në një simbol presioni të ëmbël për të mos e lënë mësimin. Ky ekspozim “organik” e afroi Duolingo-n me gjeneratën që zakonisht mbetet më gjatë në rrjetet sociale.
Përdorimi i këtyre teknikave bëri që të ndërtohet tek përdoruesit ndjenja e fajit, përgjegjësia, turpi dhe humori i lehtë, përzier me humor dramatik, që bëjnë përdoruesit të ndihen se nuk duan ta zhgënjejnë maskotën.
Rezultati: miliona përdorues që rikthehen çdo ditë për të bërë mësimet e tyre.
Sot, në SHBA, më shumë njerëz mësojnë gjuhë në Duolingo sesa në të gjitha shkollat e mesme të vendit të marra së bashku.
Von Ahn e sheh këtë si fillim.
“Shpresoj që ajo që kemi arritur me gjuhët, ta arrijmë edhe me matematikën, shkencat, e çdo fushë tjetër që mësohet përmes përsëritjes.”
Për të, ekrani i telefonit nuk duhet të shihet si humbje kohe, por si porta drejt një arsimi të lirë dhe të barabartë për të gjithë.
Para se të mbyllte fjalimin, me humorin që e karakterizon, ai dha një porosi të fundit:
“Ju lutem, mos harroni të bëni mësimet tuaja të gjuhës sot.”
