Bota
6 Janar, 2026
Kur masat e ndalimit të naftës tronditën Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1973, presidenti Richard Nikson doli me një zgjidhje që sot tingëllon pothuajse absurde, i detyroi qytetarët të nisnin ditën e punës një orë më herët, edhe në mes të dimrit, kur dita ende nuk kishte aguar.
Amerikanët janë mësuar me shprehjen “Spring forward, fall back” (në pranverë ora shkon përpara, në vjeshtë mbrapa), por në janar të vitit 1974 kjo logjikë u përmbys. Qeveria vendosi orën verore gjatë gjithë vitit, duke i çuar akrepat një orë përpara dy muaj më herët se zakonisht, miliona njerëz nisën ditën në errësirë të plotë.
Presidenti Nikson e shpalli këtë eksperiment në një fjalim televiziv në nëntor të vitit 1973, si pjesë e masave emergjente për të përballuar krizën e furnizimit me naftë. Ideja ishte e thjeshtë, më shumë dritë në mbrëmje do të thoshte më pak konsum energjie. Por realiteti ishte shumë më i ashpër, fëmijët prisnin autobusin e shkollës në terr, ndërsa punëtorët përballeshin me orarin e pikut para se të lindte dielli.
Korrespondenti i BBC-së në SHBA, John Humphrys, e përshkroi situatën qartë:
“Mënyra amerikane e jetesës është gati të ndryshojë.”
Që nga vitet 50-ta, mirëqenia e Perëndimit ishte ndërtuar mbi rrjedhën e pandërprerë të naftës së lirë. Kjo ndryshoi në tetor të 1973-ës, kur vendet eksportuese arabe e shndërruan energjinë në armë politike gjatë luftës arabo-izraelite. Çmimet u rritën ndjeshëm dhe u vendos embargo ndaj aleatëve të Izraelit, sidomos SHBA-së.
Ministri saudit i naftës, Sheikh Ahmed Zaki Yamani, paralajmëroi në BBC:
“Epoka e energjisë shumë të lirë ka marrë fund. Kjo është një epokë e re.”
Amerikanët, të mësuar me benzinë të lirë, u përballën papritur me kufizime drastike. Kufiri i shpejtësisë u ul në 50 milje në orë, qytetarët detyroheshin të ndanin makinat për të shkuar në punë, fluturimet ajrore u reduktuan me 10%, ndërsa industria u kthye te qymyri në kurriz të masave kundër ndotjes.
Nikson u kërkoi gjithashtu amerikanëve të ulnin temperaturën në shtëpi dhe zyra me të paktën 14 gradë. Me humor, ai shtonte:
“Mjeku im thotë se në 18–20 gradë jeni më të shëndetshëm sesa në 25.”
Kur nënshkroi ligjin për orën verore gjatë gjithë vitit, presidenti pranoi se shumë masa sillnin “bezdi dhe sakrifica”, por këmbënguli se ndryshimi i orës do të kursente rreth 150 mijë fuçi nafte në ditë, me “shqetësim minimal” për qytetarët.
Megjithatë, çmimet e karburantit u rritën me 50% gjatë dimrit. Historiani David Reynolds e përshkroi krizën si një tronditje psikologjike për një vend që e konsideronte benzinën e lirë si të drejtë të lindur.
Eksperimenti me orën verore nuk zgjati shumë. Kur hyri në fuqi më 6 janar 1974, New York Times e quajti menjëherë “epoka e dytë e errët”. Kritikat u përqendruan te mëngjeset e errëta dhe dyshimet për kursimet reale të energjisë. Vetëm një ditë pas ndryshimit, katër adoleshentë në Connecticut u goditën nga makina rrugës për në shkollë.
Mbështetja publike ra me shpejtësi: nga 79% në dhjetor 1973, në vetëm 42% dy muaj më vonë. Në fund, masa i mbijetoi presidencës së Niksonit vetëm për pak javë. Pasardhësi i tij, Gerald Ford, e shfuqizoi ligjin në tetor të atij viti.
Kriza e naftës kaloi, por pasojat e saj u ndjenë për vite me radhë. Ajo solli stagflacionin, rritje të ulët ekonomike të shoqëruar me inflacion të lartë dhe detyroi SHBA-në dhe Evropën të kërkonin burime të reja energjie, efikasitet më të madh dhe alternativa ndaj naftës.
Për disa muaj të errët dimri, Amerika e kuptoi se edhe ora mund të bëhej armë politike.
