Live Stories from Prishtina

LIVE

14 Korrik, 2025

“Gënjeshtra është një formë arti. E vetmja që praktikohet nga të gjithë njerëzit pa pasur nevojë për shkollë.”
Milan Kundera

Nëse e mendon mirë, të gënjesh është një mrekulli kognitive. Për të sajuar një realitet që nuk ekziston dhe për ta bërë atë të besueshëm për dikë tjetër trurit i duhet të përpunojë me shpejtësi kujtime, ndjenja, pritshmëri sociale dhe sinjale morale. Gënjeshtra është një ndër funksionet më të rafinuara që zotërojmë si qenie njerëzore.

Pra nëse pyet se si truri e krijon gënjeshtrën, e kupton nga përgjigja që i vyn goxha punë.
Pra, të kujtoj të vërtetën (çfarë ndodhi vërtet), të shpikë një alternativë të besueshme (fantazi me bazë reale) dhe të mbajë mend se ajo që po thotë është gënjeshtër.

Të përpunoj të vërtetën dhe të pavërtetën njëkohësisht.

Sipas “sciencedirect”, ky akt i sofistikuar nga një këndvështrim i pastër biologjik, thotë se gënjeshtra kërkon më shumë përpjekje sesa e vërteta.
Ajo aktivizon disa pjesë kyçe të trurit:

Korteksi prefrontal dorsolateral: për planifikim dhe vendimmarrje.

Korteksi orbitofrontal: për kontrollin moral dhe shoqëror.

Si dhe gjirin temporal (qendra përpunuese e tingujve, kujtimeve afatgjate) dhe amigdalën (qendra emocionale e trurit, pjesa ku përpunohet frika, ankthi, knaqësia).

Studimet me rezonancë magnetike funksionale (fMRI) tregojnë se kur njeriu gënjen, truri punon më shumë: duhet të ruaj në memorie të vërtetën, të shpikë një version tjetër, të fshehë emocionin, të kontrolloj mimikën dhe të parashikoj reagimin e dëgjuesit.

Pra, truri nuk është i ndërtuar për të gënjyer lehtësisht por ka evoluar që ta bëjë këtë kur është e nevojshme për mbijetesë.

E nga këndvështrimi psikologjik (edhe pse e kemi ekspertën Anilën, që presim të flas ndonjëherë për “gënjeshtrën”, në emisionin e të hënëve në Paper “Fije jete”, ne po qesim në letër atë që kemi marrë nga studimet online, si ai më lartë).
Gënjeshtra është më shumë se manipulim, ajo është një strategji mbijetese sociale.

Psikologët e ndajnë gënjeshtrën në disa lloje: gënjeshtër për vetëmbrojtje, për të shmangur ndëshkimin apo ndjenjën e turpit.

Gënjeshtër për fitim, për përfitim material, prestigj apo pushtet.

Gënjeshtër altruistike, për të mos i lënduar të tjerët (“Je shumë mirë!” edhe kur nuk janë).

Vetë-gënjeshtër, kur truri vetë bindet për diçka që nuk është e vërtetë, për të ruajtur koherencën mendore dhe vetëvlerësimin.

Kjo e fundit është më e frikshmja dhe më njerëzorja. Sipas teorisë së disonancës njohëse, ne shpesh gënjejmë vetveten për të mos përballuar konfliktin midis realitetit dhe asaj që duam të besojmë.

Nga këndvështrimi filozofik, filozofët, që nga Platoni, kanë pasur marrëdhënie të ndërlikuara me gënjeshtrën.

Platoni e pranonte një “gënjeshtër të madhe” në shërbim të shtetit dhe rendit.

Kanti e ndalonte absolutisht çdo gënjeshtër, duke thënë se ajo shkelë dinjitetin e njeriut.

Nietzsche shkruante se të gjithë jetojmë mbi iluzione që na duhen për të funksionuar, pra gënjeshtra është e nevojshme.

Në epokën moderne, filozofia e gënjeshtrës është kthyer në filozofi të narrativës. Të gjithë ne jetojmë me një histori për veten, që ndonjëherë e kemi thurur vetë. Gënjeshtra nuk është vetëm devijim nga realiteti por përpjekje për të mbrojtur një realitet të brendshëm që nuk duam ta humbim.

A është truri ynë krijues i së pavërtetës?
Jo vetëm që truri mund të gënjejë, por ai mund ta besojë gënjeshtrën që shpik. Kjo është ajo që e bën trurin njerëzor një instrument të mrekullueshëm por edhe të rrezikshëm, ai nuk është gjithmonë i përkushtuar ndaj të vërtetës, por ndaj qëndrueshmërisë së vetvetes.

Në fund të fundit, ndoshta pyetja nuk është “a gënjen truri?”, por “a ka ndonjë mënyrë që të jetosh pa një gënjeshtër të vogël brenda vetes?”

Ti lexues a gënjen? Nuk po flas për gënjeshtra të bardha, po flas për gënjeshtrat që mbulojnë një mëkat ose që fshehin fajsinë?