Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Tetor, 2024

Nuk po pajtohen me rritjen e pagave të paralajmëruar nga Kryeministri Kurti.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, ka kërkuar rritje së paku 30 përqind, edhe atë menjëherë.

Ndersa, BSPK ka ngritur pikëpyetje rreth legjitimitetit dhe drejtësisë së vendimit, duke lënë të kuptohet se nuk janë konsultuar fare për këtë çështje.

Me rritjen e kryeministrit Kurti, nuk po pajtohet as Sindikata e Policisë dhe se sipas tyre rritja e propozuar nuk përkon me nevojat reale të punonjësve të policisë.

Ata thonë se rritja për policinë duhet të bëhet për dy koeficient.

Sipas tabelës që prezantuan dje Kurti e Murati, mësuesit nga 616 euro sa paguhen tash, me rritje do të marrin 726 euro, policët nga 550 do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 euro do të marrin 715 euro, zjarrfikësit prej 550 euro pagë që kanë tash, do të paguhen 660 euro, e ushtarët nga 616 euro sa e kanë pagën tash, vitin tjetër do të marrin 726 euro.

Sindikatat tutje po ngrisin pikëpyetje rreth legjitimitetit dhe drejtësisë së vendimit të kryeministrit Kurti.

Kryetari i BSPK’-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se edhe pse rritja e pagave është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës së punonjësve, është thelbësore që ky proces të jetë transparent dhe i bazuar në ligj.