Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Qershor, 2025

“Social Friday” nuk është vetëm një emër i bukur për një aktivitet të zakonshëm fundjave. Është një ide që ka lindur jo prej asaj fjalës “m’ka ardhë në maje të hundës” se shprehje e randë për ta përdorur, po kur lodhesh prej “zanatit” po thojna.

Kur lodhesh nga ajo orë e pasdites së të premtes kur produktiviteti në punë bie, e kërkush s’ta sheh hajrin, as ti vetes, por hala nuk kemi dalë për fundjavë dhe dikush, një ditë, vendosi që këtë orë ta kthejë në një mundësi për të bërë diçka të mirë.

Ky dikush është Fikret Zendeli, një sipërmarrës nga Maqedonia e Veriut, i cili në vitin 2017 e nisi këtë iniciativë bashkë me ekipin e tij në kompaninë Breon.

Ideja ishte e thjeshtë, të shfrytëzohet fundi i javës së punës për aktivitete vullnetare në dobi të komunitetit. Çfarë ndodhi më pas ishte e jashtëzakonshme.

Në vend që të vazhdonin të qëndronin në zyrë duke “pritur fundjavën”, punonjësit e Breon dolën jashtë për të ndihmuar. Filluan me projekte të vogla: pastrim ambientesh, aktivitete me fëmijë në “SOS Village” në Shkup, mbështetje për të moshuarit dhe më pas kaluan në organizime më të mëdha si piknik bamirësie, edicione me artistë apo përfshirje në çështje mjedisore.

Brenda pak vitesh, Social Friday u përhap përtej kufijve në Zvicër, Letoni, Portugali dhe Kosovë. Në vend që të mbetej një projekt lokal, u kthye në një lëvizje globale, me misionin që të rikthejë vlerat e solidaritetit në mënyrën më të natyrshme të mundshme: përmes kohës që zakonisht e humbim.

Në vitin 2023, Social Friday mori edhe një formë të re, një lloj “Olimpiade” jo për sportistët, por për vullnetarët. Synimi ishte t’i jepet kësaj lëvizjeje një dinamikë më e madhe, përmes lojës, sfidës dhe krenarisë kolektive që lind kur njerëzit ndihmojnë të tjerët së bashku.

Kjo olimpiadë nuk kërkon stërvitje por vullnet. Nuk ka stadiume por lagje, shkolla, shtëpi, qendra rinore apo spitale ku mund të japësh një dorë. Nuk ka medalje, por buzëqeshje dhe ndoshta më e rëndësishmja, nuk ka humbës.

Zendeli, tregon se si një ditë ishte duke e lexuar një hulumtim nga kompania British Airways. Në atë artikull thuhej se fundjava për punonjësit fillon në orën 2:39 në pasditën e së premtes. Pjesa tjetër e orarit në punë është joproduktive dhe punonjësit janë atje pothuajse vetëm fizikisht.

Nisma “për të bërë sa më shumë të mira nëpër botë”, siç thotë sipërmarrësi shqiptar, përfshin gatimin për të pastrehët, ndërtimin e kabinave për qentë e rrugës, vizitat në shtëpinë e të moshuarve, pra gjithçka të kësaj fryme, sepse siç thotë Zendeli “të bësh mirë nuk njeh kufij”.

Fikreti ishte vetëm 9 vjeçar në vendlindjen e tij të ngrohtë në Cegran të Gostivarit, kur për herë të parë u ballafaqua me ndjenjën e pasigurisë në një vend. Themelet e Jugosllavisë në atë kohë filluan të shkërmoqeshin. Kjo bëri që babai i Fikretit të kthehej nga Zvicra, ta merrte familjen për ta siguruar nga një e ardhme e mjegullt.

Në vend të një fundjave që nisë me lodhje, mund të nisë me kuptim. Në vend të një fundjave të heshtur, mund të jetë një ditë që të mbushë me energji.

A mund të ndodhë kjo edhe te ne?
Po, dhe duhet. Organizata, kompani, institucione publike apo shkolla, të gjithë mund të marrin pjesë. Nuk nevojiten fonde të mëdha. Mjafton të marrësh vendimin që një pasdite të mos shkojë dëm.

Koha ekziston. Le ta përdorim.