N’Kosovë / Foto: Visar Kryeziu AP
12 Tetor, 2025
A është e drejtë që kandidatët burra të kenë qasje në fonde të mëdha partiake, ndërsa gratë duhet të luftojnë për çdo qindarkë?
Në Kosovë, zgjedhjet lokale të vitit 2025 tregojnë një realitet të dhimbshëm për përfaqësimin gjinor: nga 206 kandidatë për kryetar/e komunash, vetëm 20 janë gra, ose rreth 6.6% e totalit.
Pse ndodhë kjo edhe pse ligjet për barazi gjinore thonë se gratë duhet të jenë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë?
Dhe pse, edhe pas dekadash përpjekjesh për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë, ky numër vazhdon të mbetet minimal?
Partitë kryesore politike, përfshirë PDK, AAK, LDK dhe LVV, kanë kandiduar vetëm një ose disa gra, ndërsa partitë e komuniteteve joshumicë kanë zgjedhur gjithsej gjashtë gra.
Ky fenomen nuk është thjeshtë statistikë pasi tregon se gratë shpesh përballen me barriera strukturore të forta, duke përfshirë mungesën e fondeve për fushatë, mungesën e mbështetjes nga partitë dhe qasje të kufizuar në rrjete politike.
Një fenomen tjetër shqetësues është që gratë shpesh kandidojnë në komunat ku partitë e tyre nuk kanë bazë të fortë elektorale.
Për shembull, Xhevahire Izmaku kandidon për kryetare në Vushtrri, ndërsa Egzona Tërdevci për Drenas dy komuna ku partitë e tyre nuk kanë fitore të garantuar.
A nuk tregon kjo se edhe kur vendosin të kandidojnë, gratë janë të detyruara të sfidojnë mundësi shumë më të vështira se kandidatët burra?
Në një artikull në Kosova2.0 me titullin “Qata me billboarda në ndërtesa 6-katëshe, i kanë paret për fushatë”, Tërdevci ka treguar se LVV i ka dhënë vetëm 219 euro për një billboard dhe një postim të sponsorizuar në javë, ndërsa Izmaku financon fushatën kryesisht me të ardhurat personale dhe ndihmën e miqve.
Një tjetër pengesë është mbulimi mediatik i pabarabartë. Raportet tregojnë se burrat përfitojnë 88% të hapësirës televizive, ndërsa gratë vetëm 12%. Çfarë mesazhi u jepet qytetarëve kur programet dhe vizibiliteti i grave në fushata janë kaq të kufizuara?
Edhe pse disa gra po përpiqen të ndryshojnë situatën, si Besa Shahini në Prishtinë që po zhvillon një fushatë “derë më derë” dhe mbështetet nga donacionet e qytetarëve, sfidat mbeten të dukshme. Çerdhet publike, punësimi i grave dhe shërbimet sociale shpesh mbeten jashtë axhendave partiake, duke kufizuar ndikimin real të grave në qeverisjen lokale.
Pyetja mbetet: a do të shohim një ndryshim pas 12 tetorit? A do të ketë më shumë gra në krye të komunave dhe më shumë përfaqësim të grave në asambletë komunale, duke e bërë politikën lokale më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse? Apo pabarazitë strukturore do të vazhdojnë t’i mbajnë gratë në periferi?
Në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ka parë rritje të përfaqësimit të grave, zgjedhjet lokale duket se ende pasqyrojnë një realitet të vjetër dhe të pabarabartë. Kjo nuk është thjeshtë çështje statistike, është reflektim i politikës, kulturës dhe prioritetit që i jepet barazisë gjinore në vendin tonë.