Live Stories from Prishtina

LIVE

9 Qershor, 2025

Nëse do ta sillnim Steve Jobs për t’i mbajtur disa intervista pune në Kosovë, ka shumë gjasa që do t’i intimidonte të intervistuarit, jo për shkak të bagazhit të tij profesional, (se ky nuk është qëllimi i artikullit, andaj zëre që kosovarët për herë të parë po takojnë atë, kjo është vetëm për të tërhequr një paralele), por për shkak të mënyrës së tij të intervistës, e cila tashmë qarkullon kudo nëpër rrjet.

E sidomos për shumë vende të punës në Kosovë, ku intervista më shumë ngjason si një seancë dëgjimi se sa një bisedë mes njerëzve të barabartë.

Harroj këto këshillat e Tik-Tok, ku dalin edhe të tregojnë se çka duhet të përfshishë në CV, e cilen fjalë ta thuash të parën, e cilën mos ta thuash fare.

Steve Jobs, përdor një “test birre”. E çonte kandidatin për një shëtitje, i bënte pyetje nga më të çuditshmet si: “Çfarë bëre verën e kaluar?” dhe përpiqej të kuptonte me pyetjet që ja shtronte vetës në kokë: “A do të ishte ky personi me të cilin do të pija një birrë? Personi me të cilin do të doja të bisedoja me të pas orarit të punës?”

Ai kërkonte “lojtarë A”, por mënyra si i gjente ishte njerëzore, jo burokratike. Tani, të kthehemi pak në Kosovë.

Në shumicën e intervistave të punës këtu, kandidati ulet në një karrige që shpesh duket më shumë si vend për ndëshkim se sa për mundësi. Pyetjet janë të ftohta, ndonjëherë të kopjuara nga “Google”, e shpesh krejtësisht jashtë kontekstit të realitetit lokal.
“Si do ta menaxhoje një krizë në një kompani me 500 punëtorë ndërkombëtarë?”.

Ndërkohë që pozita është për asistencë administrative në një zyrë me dy njerëz dhe një printer që s’punon.

Në vend të një shëtitjeje për të njohur njeriun pas CV-së, shpesh ndodh që intervistuesi të lexojë me zë të lartë pikërisht atë që kandidati ka shkruar në aplikim, një lexim i panevojshëm dhe i bezdisshëm për të dy palët.

Asgjë nuk përpiqet të kuptojë: a është ky njeri me të cilin do të dëshiroja të ndajë një projekt? Një mëngjes pune? Një krizë të papritur?

Jo të gjithë punëdhënësit janë kështu, natyrisht. Por realiteti është që shumë intervista në Kosovë janë ende të ngurta, të ftohta, dhe në thelb të pashpirta. Mungon ajo që Jobs e quante “testi i birrës”, por mbi të gjitha mungon ndjeshmëria që intervista është një moment ku takohen dy qenie njerëzore, jo dy role formale.

Sepse kur të përfundon intervista, pyetja që vërtet ka rëndësi nuk është “a i kishte tri certifikata?”, por “a do të mund të punoja përkrah këtij njeriu pa u lodhur nga vetja ime?”.

Pastaj ndoshta, ndonjë ditë edhe tek ne dikush do ta fillojë intervistën jo me “Ku e sheh veten pas pesë vitesh?”, por me diçka më të vërtetë: “A të pimë nga një kafe e të më tregosh kush je?”.

Steve Jobs, namin e tij me punëtorë veç se e ka dëshmuar me suksesin e “Apple”, “KREJT T’KLASËS A”.

Por pse kjo qasje kaq e ftohtë ndaj dikujt që potencialisht do të kaloj aq shumë kohë rrjedhimisht me “brendin tënd”?

Kjo qasje burokratike vjen shpesh nga një keqkuptim i autoritetit: punëdhënësi e sheh veten si dikush që po “jep një shans”, e jo si dikush që po ndërton një marrëdhënie. Në vend që të vlerësohet njerëzorja, pyetjet kthehen në enigma akademike dhe testime karakteri që as vetë intervistuesi nuk do t’i kalonte.

Por realiteti është ky: nuk e ke luksin të punësosh dikë që s’e njeh si njeri.

Sepse do të jesh me të në mëngjes, në vonesa, në afate, në tension, në një kafe të shpejtë në kuzhinë, në një krizë që kërkon qetësi dhe nëse që në ditën e parë e sheh si aplikant, jo si njeri atëherë edhe marrëdhënia do të jetë vetëm formale, kurrë e vërtetë.