Live Stories from Prishtina

LIVE

3 Gusht, 2025

Edhe nëse ke eksperiencë tjetër personale “mos i fut të gjithë në një thes”.

Nashta na ka ra të gjithëve një herë me dëgju një histori prej taksistëve, çysh puna që e bojnë si taksistë është puna e tij e dytë, sepse shumë kompani private të taksive, e praktikojnë rrugullin e pagesës me përqindje. Pra në çdo klient, taksisti e merr 30 për qind të pagesës së pasagjerit. Shtine këtu edhe përqindjen që i ndalet për kontribute, pra ka ditë kur fitimi që nxjerret është vetëm 6 euro.

E shumicën e herave kjo rroga e të qenit taksist, shfrytëzohet për me pagu naj kredi për banesën që ja ka ble djalit ose që e ka ble për veten.

Tash imagjino shpenzimet ditore edhe teket e pasagjerëve që kërkojnë “princess treatment” (duan të trajtohen si mbret/mbretëreshë).

Tani prap duhet të gjykohen taksistat për historitë që t’i tregojnë edhe që i ndajnë historitë e të tjerëve me ju prej muhabetit që ju është thanë. Për ndonjë ndarje, për sushin që ja kanë dërgu ndonjë “celebrity” deri te dera e banesës, për atë rastin e asaj gazetares që e ka humb vëllaun e ky e ka pasë komshi, për kolonën tek aeroporti që ka qenë edhe ai tipi e ka detyru me hi deri brenda e pastaj për veti ja ka fut “sprint” në këmbë se e ka pa që kërkesa e tij për t’u realizuar ka qenë e pamundur e prap taksisti e “ha” mbetet në kolonë edhe ja shtynë mundësinë “me kap një pasagjer tjetër”.

Sa shumë mendojnë njerëzit veç për veten, e veç vetes kanë qejf me ja lehtësu punën.

Kjo punë që për ty është “10 minuta rrugë”, për të është pjesë e një zinxhiri ekonomik të lodhshëm, që shpesh përfundon duke u përdorur për të shlyer kredi ose paguar obligime të fëmijëve.

Sepse jetojmë në një kohë ku çdo profesion po zhvlerësohet nga ana humane dhe taksistët janë një nga ata sektorë që i kemi injoruar gjatë. Ata i dimë për “llafet”, për “rrëfimet”, për “kurreshtjen”, por nuk i njohim për peshën që mbajnë, e as për përbuzjen që shpesh e hanë me heshtje.

Në këtë verë që po dëgjojmë shumë gjuhë të huaja në kryeqytetin tonë, e që transporti më i kërkuari janë taksitë për udhëtim më të shpejtë, më erdhi në mendje një tjetër gjë: Çysh nuk na vjen në mendje që ata janë “dëgjuesit e një pasagjeri” që ka shpërthy nga nervoza, e dikujt që sapo u nda nga i dashuri/dashura, e dikujt që ja ka “ngul shoqja-shoku”, dikujt që e ka pasë një ditë katastrofë në punë e para se me heq mllefin me t’shpisë e heq me taksistin.

Çka me i bo kësaj pune?

Në minimumin e minimumit, me e pranu që taksisti nuk është figurë qesharake, as robot për udhëtime të shpejta, por një njeri që gjendet çdo ditë në vijën e parë të stresit urban, të dramave personale dhe të indiferencës sociale. Nuk është vetëm dëgjues pasiv, por një lloj pasqyre e asaj që ndodhë brenda këtij qyteti, një termometër emocional i përditshmërisë sonë.

Duhet me e kuptu që çdo “llaf i tepërt” që na duket si thashethem nga goja e një taksisti, është shpesh një formë e mbijetesës psikologjike. Një mënyrë me e shkarku gjithë atë që ka mbledhë nga njerëzit që e shohin vetëm si timonier, por që e ngarkojnë si psikolog.

Në vend që t’i gjykojmë, ndoshta duhet me fillu me i përshëndet. Me i pyet: “Çysh je sot?”, “A pate naj pasagjer të vështirë?”. Apo thjeshtë me qenë të vetëdijshëm që ai ose ajo që na çon prej pikës A në B, mund të jetë pikërisht njeriu që po mbanë peshën e dhjetë historive që s’i përkasin vetes së vet.

Për këtë, meritojnë më shumë se indiferencë. Meritojnë një “faleminderit” edhe kur s’na flasin fare.