Live Stories from Prishtina

LIVE

1 Nëntor, 2025

Kjo javë ka shpërthyer prej postimeve ku temë kryesore ka qenë artikulli i Vogue “A është e turpshme të kesh një të dashur tani?”.

Artikull që së pari është inspiruar nga podcasti i dy vajzave në Amerikë i emëruar “delusional diaries podcast”, e pastaj u bazu në trendet në rrjete sociale, ka analizu postimet e influencerve etj etj dhe ka ardhur në një përfundim interesant mes të kaluarës dhe të tashmes, ku vë në pah se po ndryshon mënyra si shoqëria i sheh marrëdhëniet heteroseksuale.

Dikur, sidomos në periudhën që autorja e quan “Boyfriend Land”, identiteti online i shumë grave rrotullohej rreth partnerit të tyre mashkull. Të pasurit një të dashur shihej si shenjë statusi, suksesi dhe vlerësimi shoqëror. Por sot, kjo është përmbysur.

Sot, në kulturën online, të kesh të dashur nuk është më një arritje, madje shpesh shihet si diçka që mund të të ulë “aurën” apo vlerën si grua e pavarur.

Në mënyrë paradoksale, edhe gratë që janë në lidhje shpesh bëjnë shaka apo kritikojnë burrat dhe heteroseksualitetin, për të mos u dukur si “gratë naive të dashuruara”.

Tani, të jesh beqare po perceptohet si diçka e dëshirueshme, një shenjë lirie, vetëpërmbushjeje dhe fuqie personale.

Kjo më shtyri ta rikthej në vëmendje një studim të para disa viteve ku në thelb flet për dashurinë, se në fund të ditës jo analiza në postime dhe mënyra se si duam të dukemi tek të tjerët, por emocionet janë ato që na shtyejnë karshi veprimeve të ndryshme.

Në këtë meta-analizë shkencore të udhëhequr nga profesoresha Stephanie Ortigue nga Universiteti i Sirakuzës (Syracuse University), me titull “Neuroimazheria e Dashurisë” zbulon se të biesh në dashuri mund të shkaktoj ndjenja euforie të ngjashme me përdorimin e kokainës, ndërsa njëkohësisht aktivizon edhe zonat intelektuale të trurit.

Një fakt surprizues që doli nga studimi është se procesi i të rënit në dashuri zgjat vetëm rreth një të pestën e sekondës.

Ortigue atëherë ishte asistente në departamentet e Psikologjisë dhe Neurologjisë në Universitetin e Sirakuzës, bashkë me ekipin e saj, ka zbuluar se kur një person bie në dashuri, 12 zona të ndryshme të trurit punojnë në harmoni për të çliruar një përzierje të fuqishme kimikatesh si dopamina, oksitocina, adrenalina dhe vazopresina.

Këto substanca prodhojnë ndjenjën e lumturisë dhe euforisë, por gjithashtu ndikojnë në procese njohëse të ndërlikuara si përfaqësimi mendor, përdorimi i metaforave dhe përceptimi i trupit.

Zemra apo truri bie në dashuri?

“Kjo është gjithmonë një pyetje e ndërlikuar,” thoshte Ortigue.

“Sipas meje, truri është ai që bie në dashuri, por zemra është e lidhur ngushtë me të. Dashuria është një proces i ndërlikuar që funksionon si nga poshtë-lart ashtu edhe nga lart-poshtë, midis trurit dhe zemrës. Për shembull, aktivizimi i disa pjesëve të trurit mund të shkaktoj reagime në zemër si rrahje të shpejta apo ‘flutura në stomak’. Pra, shumë ndjesi që i mendojmë si ‘të zemrës’, në fakt fillojnë në tru.”

Implikime për shëndetin mendor

Studimi ka rëndësi të madhe edhe për neuroshkencën dhe terapinë mendore. Sipas Ortiques, kur dashuria dështon, ajo mund të bëhet shkak i stresit të madh emocional dhe depresionit.

“Duke kuptuar më mirë se çfarë ndodh në tru kur dikush bie në dashuri ose kur përjeton një zemërthyerje, mjekët mund të zhvillojnë terapi të reja që ndihmojnë pacientët të shërohen”.

Rezultatet treguan gjithashtu se lloje të ndryshme dashurie aktivizojnë zona të ndryshme të trurit.

Dashuria pa kushte, si ajo midis një nëne dhe një fëmije, lidhet me zonat e mesme të trurit.

Dashuria pasionante aktivizon sistemin e shpërblimit dhe zonat njohëse që lidhen me vetë-imazhin dhe përceptimin e trupit.

Kjo tregon se dashuria nuk është një ndjenjë e vetme, por një proces kompleks neurologjik që përfshin emocione, kujtime dhe mendime.

Studimi është realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Virxhinias Perëndimore dhe një spital universitar në Zvicër, ndërsa rezultatet janë botuar në revistën shkencore Journal of Sexual Medicine.

Pavarësisht normave kulturore që mund të bëjnë që disa të shmangin ose të fshehin marrëdhëniet e tyre në rrjete sociale, emocionet dhe ndjenjat që përjetojmë janë të vërteta dhe biologjikisht të thella. Dashuria nuk është thjeshtë një “shfaqje” për të fituar status “online”, por një eksperiencë komplekse që lidhet me zemrën, trurin dhe shëndetin tonë mendor.