Fakt abstrakte
15 Tetor, 2025
A po martohen njerëzit prap në moshë shumë të re apo gjithmonë kështu kanë vepruar?
Nga yjet e popit deri te miqtë tanë të afërt, duket se martesa po kthehet sërish në modë. Brezi “Gen Z” po përqafon një institucion që për një kohë të gjatë shihej si i vjetëruar. Por ky rikthim drejt martesës nuk lidhet vetëm me dashurinë. Pas tij fshihen edhe presione shoqërore, politike dhe ekonomike, që në Kosovë ndihen po aq fort sa kudo tjetër.
Kur si 25 vjeçar/vjeçare nuk konsiderohesh më i/e ri/re
Shumë vajza e djem në mesin e të 20-ave në Kosovë e njohin atë ndjesinë kur prindërit pyesin “Kur ke me u martu?”, “Kur ke me na i sjellë mbesat/nipat?”.
Arsimi, puna apo pavarësia që dikur vlerësoheshin, papritur zbehen përballë një pritjeje të vjetër e pothuajse si “ëndërr” kur vjen puna tek martesa. Kjo nuk është një përvojë e izoluar. Është diçka që po ndodhë në të gjithë botën perëndimore e edhe tek ne, ku familja mbetet institucioni më i fortë social.
Në rrjetet sociale, kjo ndjenjë është shndërruar në “meme” (njëra prej tyre)
“Të gjithë ose janë të fejuar, ose në ‘run club’, ose në master jashtë vendit”.
Pop kultura dhe ndikimi i saj
Sociologia Catherine Shannon e përshkroi këtë fenomen si “gratë e pop-it që po hyjnë në epokën e tyre të martesës”.
Katër prej yjeve më të mëdha të popit Lana Del Rey, Charli XCX, Dua Lipa dhe Taylor Swift janë martuar apo fejuar brenda një viti.
“Kur këto gra, që përfaqësojnë frymën e pavarësisë femërore zgjedhin martesën, duhet të pyesim pse”, shkruan Shannon.
Në Kosovë, ky ndikim përçohet ndryshe nëpër TikTok e Instagram, valon trendi se martesa përzihet me ndjenjën ku dashuria e “vërtetë” duhet të përfundoj me unazë.
Si çka ka fillu martesa dhe çysh shihet nëse e zbërthejmë?
Historikisht, martesa ka qenë mjeti kryesor për ndarjen e pasurisë, statusit dhe pushtetit. Historianja Stephanie Coontz shkruan se për shekuj me radhë martesa ka shërbyer për të transferuar para, tokë, lidhje shoqërore dhe gra.
Edhe sot, siç tregon studiuesja Clementine Ford, burrat përfitojnë më shumë: janë më të lumtur, më të shëndetshëm dhe ekonomikisht më stabill se gratë e martuara.
Në Kosovë, ku normat patriarkale janë ende të forta, kjo strukturë merr trajta të tjera: gratë shpesh përballen me pritje që ta braktisin karrierën pas martesës, apo ta shohin familjen si detyrim moral, jo si zgjedhje personale.
Pas valës feministe të vitit 2010, është interesante dhe njëkohësisht e çuditshme të shohësh një kthim drejt modeleve konservatore.
Në TikTok e YouTube, “gratë tradicionale” e promovojnë shtëpinë si vendin ku gruaja gjen “paqen” e saj, ndërsa burrin si udhëheqësin e natyrshëm të familjes.
Në kontekste si Kosova, kjo përputhet me një realitet të njohur, në të cilin shoqëria e lavdëron nusen “e qetë, të sjellshme dhe të devotshme”, ndërsa vajza e pavarura shpesh shihen si “të vështira”.
Presionet që shtyjnë drejt unazës
Në Mbretërinë e Bashkuar, ligje të reja për emigracionin kanë bërë që shumë çifte të martohen për arsye praktike, për vizë apo lejeqëndrim. Një situatë e ngjashme shihet edhe tek ne, ku martesat me partnerë nga diaspora shpesh lidhen më shumë me stabilitet ekonomik sesa me dashuri romantike.
Në të njëjtën kohë, kriza e banimit, çmimet e larta dhe mungesa e sigurisë ekonomike e bëjnë martesën një formë “shpëtimi”. Dikush me të cilin ndanë qiranë, faturat, apo thjeshtë frikën e të qenit vetëm.
Familja si pushtet moral
Michel Foucault thoshte se në mungesë të fesë apo monarkisë, familja është bërë institucioni që na disiplinon. Kjo tingëllon si e vërtetë, në veçanti për shoqëritë si e jona, ku familja ka peshë pothuajse absolute.
Një shoqe e imja dikur, emrin e së cilës s’po e bëj publik më tha: “Kur u fejua shoqja ime më e ngushtë, ndjeva sikur po më linte pas. Jo se s’jam e lumtur për të, por sepse ndryshoi diçka në mënyrën si e ndamë jetën.”
Ky sentiment është universal, ndjenja si martesa, edhe kur janë të gëzuara e ndryshojnë strukturën e miqësive dhe të komunitetit.
Në një realitet ku shumë të drejta e privilegje lidhen ende me statusin martesor, është e vështirë ta refuzosh plotësisht këtë institucion.
Por ndoshta sfida e brezit tonë nuk është të mohojmë martesën por ta kuptojmë si ta çlirojmë nga presioni, tradita dhe frika. Ta kthejmë në një zgjedhje të vetëdijshme, jo në një detyrim që i detyron njerëzit të zgjedhin midis dashurisë dhe lirisë. Po ti si mendon?