Live Stories from Prishtina

LIVE

23 Maj, 2025

“Nëse nuk ndërton ëndrrën tënde, dikush do të të punësojë që t’ia ndërtosh atij të vetën.”

Motoja për shumë të rinj në Kosovë që kanë zgjedhur rrugën e freelancing-ut një mënyrë moderne e punës që premton liri, orar fleksibil dhe punë nga çdo cep i botës. Pse jo, në anën tjetër atë punën që e ki me prezenc fizike, e lenë keq për me rahatu online-in.

Por, përtej pamjes së bukur në Instagram me laptopin në kafe, çfarë do të thotë realisht të jesh freelancer në Kosovë?

Në një vend ku tregu i punës shpesh është i ngushtë dhe i politizuar, freelancing-u ofron një alternativë të çmuar. Platforma ndërkombëtare si Upwork, Fiverr apo Toptal kanë hapur dyer për dizajnerë grafikë, programerë, përkthyes, shkrimtarë, marketing specialistë e shumë të tjerë nga Kosova që të punojnë me klientë nga e gjithë bota, shpeshherë me pagesa më të larta sesa ato që ofrohen në tregun vendor.

Për shumë prej tyre, kjo është liria më e madhe: të zgjedhin projektet, klientët dhe orarin. Të mos jenë të kufizuar nga një zyrë apo një orar 9-5. Për prindërit e rinj, për ata që duan të udhëtojnë, apo edhe për ata që e ndjejnë veten më produktivë natën freelancing-u duket ideal.

Por kjo liri ka një çmim. Të qenit freelancer nuk do të thotë gjithmonë “më pak punë”.

Në fakt, shpesh nënkupton më shumë.

Klientët mund të kërkojnë punë gjatë fundjavës, orët e natës apo gjatë festave. Pushimet bëhen luks, jo domosdoshmëri. Dhe nëse nuk punon, nuk fiton. Askush nuk të garanton paga mujore apo pushime të paguara.

Mungesa e sigurisë është një tjetër sfidë. Shumë freelancerë në Kosovë nuk kontribuojnë në skemat pensionale apo sigurime shëndetësore (kjo varet pak edhe prej kompanisë). Kjo i cenon ata në raste sëmundjesh apo mungese të të ardhurave.

Të punosh vetëm, nga shtëpia apo nga ndonjë kafe, mund të duket ëndërr në fillim, por për një pjesë të freelancerëve kjo shndërrohet në ndjenjë izolimi. Mungesa e bashkëpunimit me kolegë, e ndërveprimit të përditshëm, e ndarjes së përvojave është një dimension që shumë e nënvlerësojnë derisa e përjetojnë vetë.

Freelancerët shpesh e gjejnë veten në një cikël ku vendimmarrja, përballja me dështimet, mungesa e motivimit apo ngecja krijuese përjetohen në vetmi. Pa një skuadër për t’i diskutuar gjërat apo për të kërkuar ndihmë, lodhja mendore dhe emocionale grumbullohet më shpejt. Kjo ndjesi izoluese mund të ndikojë drejtpërdrejt në produktivitet, kreativitet dhe madje edhe në vetëbesim.

Për më tepër, edhe kur kanë sukses profesional, shumë freelancerë ndihen se nuk kanë me kë ta ndajnë gëzimin apo arritjen. Asnjë duartrokitje kolektive, asnjë email “urime ekipit”, asnjë festë për projektin e përfunduar. Është një realitet i heshtur, por i vërtetë: sukseset në freelancing shpesh janë aq të vetmuara sa edhe dështimet.

Freelancing-u nuk është për të gjithë. Kërkon disiplinë të madhe, vetëmenaxhim, aftësi për të negociuar dhe për të ndërtuar marrëdhënie me klientë nga kultura të ndryshme. Por për ata që e ndjejnë veten të gatshëm për një rrugëtim të tillë, mund të jetë një mënyrë e fuqishme për të ndërtuar një karrierë globale, nga Prishtina, Peja apo Ferizaj.

Por mendo edhe këtë:

Një djalë apo vajzë nga Peja, që ka mbaruar studimet për dizajn grafik apo programim dhe ka vendosur të mos kërkojë punë në zyrë, por të punojë si freelancer.

Projekti është i paguar mirë ndoshta 1000 euro për një faqe të thjeshtë interneti, që do ta përfundojë brenda 5 ditësh, duke punuar vetëm 4 orë në ditë.

Pasdite, ka kohë të dalë me miqtë, të bëjë një shëtitje në Rugovë ose të ndjekë një kurs online për t’u përmirësuar më tej. Nuk ka nevojë të zhvendoset në ndonjë qytet tjetër, nuk paguan qira të shtrenjtë, dhe i gjithë investimi i tij është një laptop i mirë dhe internet i qëndrueshëm.

Dilema “liri apo stres?” nuk ka një përgjigje të vetme. Për disa, është rruga drejt realizimit personal e profesional. Për të tjerë, një fazë kalimtare që më shumë konsumon se sa çliron. Ajo që mbetet e rëndësishme është që secili ta shohë freelancing-un për atë që është në të vërtetë jo vetëm si një ëndërr digjitale, por si një punë serioze, që kërkon përkushtim po aq sa ofron liri.