Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Tetor, 2024

Prej kohësh është raportuar se Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta janë në proces divorci. Si do të rrjedhë fati i tyre, tani pas arrestimit të ish-presidentit Meta?

Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua sot nën dyshimin për korrupsion, pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Mediat në Shqipëri raportojnë se një skenar i ngjashëm e pret edhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, me të cilën janë në proces divorci.

Sipas burimeve, GJKKO ka caktuar masë sigurie edhe për Monika Kryemadhin.

Por lajmin e ka përgënjeshtruar Monika Kryemadhi.

Kryemadhi këto pretendime të raportuara i vlerëson si lajme të servirura nga propaganda e qeverisë dhe se sipas saj, ky është sulmi i radhës që i bëhet opozitës.

“Të dashur gazetarë, për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare. Unë ende nuk kam marrë dijeni për një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi. Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë, do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike. Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk e ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik. Duke nisur nga Inceneratorët e deri tek çdo betejë tjetër të drejtë që po luftojmë për shqiptarët,” shkruan Kryemadhi.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua sot në automjetin e tij teksa ishte duke udhëtuar pranë Kthesës së Kamzës.