Fakte abstrakte
30 Nëntor, 2025
Ka shumë qytete që marrin vëmendjen për turizëm, ani pse perlat e vërteta që duhet ta kenë atë vëmendje janë qytetet pranë tyre.
Disa qytete jetojnë nga fama dhe, kur mbingarkohen, humbasin autenticitetin ose përballen me sfida si ndotja dhe turizmi masiv.
Të tjera qytete jetojnë nga cilësia, duke ruajtur qetësinë, traditat, gastronominë dhe mënyrën e vërtetë të jetesës, por mbeten pa vëmendjen që realisht e meritojnë.
Dhe shembuj të tillë ka plot; përshembull, kur përmendim Francën, të gjithë automatikisht e mendojnë Parisin, por në Francë gjendet edhe Lyon, i cili ka gastronomi elite, histori të lashtë dhe ecuri moderne, shpesh konsiderohet më i jetueshëm, por është më pak i njohur tek turistët.
Apo në Emirate, të gjithë flasin për Dubai si marka e vetme që shumica e turistëve njohin, teksa është Sharjah që ka kulturë tradicionale, muze, art islam dhe është më i qetë, por rrallë e merr vendin që e meriton.
Pak më afër nesh gjeografikisht, në Itali kemi një krahasim edhe më të rrallë, këtu pasi përveç dallimit të madh ndërmjet famë që posedon njëri qytet tjetri është shumë afër për “tu mohuar”.
Bëhet fjalë për Trevizon, qytetin në hijen e Venecias, i cili gjendet vetëm 30 minuta larg qytetit të zhytur nën ujë.
Qytet ky i qetë, në veri të Italisë, i përshkruar më shumë për kanalet e ujërave të zeza po rikthehet në qendër të hartës gastronomike botërore falë një krijimi të vetëm: tiramisù.
E lindur pikërisht në Trevizo, kjo ëmbëlsirë tashmë ikonike ka brenda vetës diçka shumë më shumë sesa veç një kombinim i thjeshtë biskotash, kremi dhe kafeje; është një legjendë e gjallë pasionante.
Vetë brenda Italisë ka luftë: mes atyre që origjinën e tiramisusë ia falin Trevizos, ku thonë se origjina i takon rajonit Veneto të Italisë, aty ku kah fundi i viteve 1960 ose në fillim të viteve 1970, u gatua ëmbëlsira, më saktësisht në restorantin Le Beccherie në Treviso.
Ndërsa në datime më të hershme thonë se ajo njihej si “Ëmbëlsira e Dukës” së Toskanës, duke thënë se u krijua në shekullin e 17-të për Cosimo III de Medici, por kësaj historie nuk iu dhanë shumë gjasa, pasi përbërësit kryesorë si kafeja dhe mascarpone nuk ishin gjerësisht të përhapura dhe nuk gjendeshin lehtë në atë kohë.
Por legjenda më e përhapur pas secilës e thotë këtë:
Sipas historive lokale, tiramisù u krijua në vitet 1800 nga një zonjë që drejtonte një shtëpi publike në Trevizo. Ajo kërkonte një ëmbëlsirë që “të ngrinte humorin” dhe t’u jepte energji klientëve të saj. Kështu lindi tiramisù – që përkthehet fjalë për fjalë “më ngrit lart” apo “më gëzo”.
Kjo origjinë e veçantë e shndërroi atë në një simbol sensualiteti dhe shijimi, një recetë që u përhap shpejt në rrugët e qytetit dhe më pas në mbarë Italinë.
Disa mendojnë se receta ka evoluar nga ëmbëlsira Dolce Torino. Ajo nuk përmendet në librat e gatimit para viteve 1960 dhe shfaqet në shtyp vetëm në vitin 1978, në një rubrikë të restorantit Sydney Morning Herald, ndërsa në fjalorët italianë dhe anglezë hyn respektivisht në vitet 1980 dhe 1982.
Sot, çdo restorant në Trevizo ka versionin e vet të tiramisù. Nga recetat klasike me mascarpone e kakao, deri te interpretimet moderne me “radikio”, një specialitet lokal, e cila e bën ëmbëlsirën të mbetet pjesë e pandashme e identitetit gastronomik të qytetit.
Guidat turistike e përmbyllin shpesh turin me një fetë tiramisù, duke e kthyer shijimin e ushqimeve në një ritual kulturor për çdo vizitor.
Çdo vit në Trevizo organizohet Tiramisù World Cup, një event i çuditshëm ku konkurrentë nga e gjithë bota garojnë për titullin e tiramisù më të mirë.
Sa i përket qytetit:
Trevizo ka ndërtuar kilometra korsish biçikletash për të ulur përdorimin e makinave, ka zbatuar programe shkollore për riciklimin dhe ka mbjellë 6,000 pemë shtesë.
Së fundmi, është kthyer në një destinacion që tërheq vëmendjen, duke u bërë qyteti i parë italian që fiton European Green Leaf Award, një iniciativë e BE-së që njeh përpjekjet mjedisore të qyteteve të vogla (20,000–100,000 banorë).
Me një popullsi prej gati 94,000 banorësh, Trevizo impresionoi jurinë duke kthyer një vendgrumbullim mbetjesh të braktisur në një park diellor, duke riorganizuar sistemin e kanaleve për të përmirësuar cilësinë e ujit dhe duke nisur projekte biodiversiteti për të pastruar ajrin.
Përpjekjet e gjelbra po shtrihen edhe përtej qytetit, në kodrat e Prosecco-s të listuara nga Unesco, ku prodhuesit e verës po adoptojnë praktika të qëndrueshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike.
Përpjekjet e Trevizos ofrojnë një kontrast interesant ndaj Venecias, vetëm 30 minuta larg, e cila vijon të lëkundet nën peshën e mbiturizmit, ndotjes së lagunës dhe vështirësive infrastrukturore.
Tarifa e shumëdiskutuar për vizitorët ditorë në qytetin antik solli miliona të ardhura, por nuk ka arritur të reduktojë ndjeshëm numrin e turistëve, që në vitin 2025 vazhdojnë të jenë rreth 13,000 në ditë, krahasuar me 16,676 në 2024.
