Live Stories from Prishtina

LIVE

24 Shtator, 2025

Pas një vale të re konfliktuale në Lindjen e Mesme nga sulmet amerikane mbi Iranin, kriza në Gaza, tensionet me Hezbollahun e deri te mijëra viktima palestineze bota gjendet përballë një pyetjeje thelbësore: a mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon?

Sipas analistes dhe ish-korrespondentes së New York Times, Megan Stack, pavarësisht kaosit, ekziston një shteg i mundshëm drejt paqes. Në mënyrë paradoksale, personi që ka mjaftueshëm ndikim për ta realizuar është Donald Trump.

Dështimet e së kaluarës

Historikisht, SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë parashikuar paqen, por njëkohësisht kanë luftuar, kanë përmbysur regjime dhe kanë armatosur palët në konflikt.

“Nuk mund të bësh paqe dhe luftë në të njëjtën kohë”, thekson Stack. Ky cikël dhune ka shkatërruar çdo shans për stabilitet.

Roli i Trump

Gjatë mandatit të tij, Trump shfaqi paradokse: nga njëra anë  armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, nga ana tjetër urdhëroi bombardime mbi Iranin. Ai e kritikoi hapur Izraelin, duke u bërë presidenti i parë amerikan që nuk e mbështeti pa rezerva. Por gjithashtu hodhi ide të rrezikshme si dëbimi i palestinezëve nga Gaza.

Megjithatë, sipas Stack, nëse Trump arrin të veprojë ndryshe nga paraardhësit e tij, ai ka mundësi të hapë një kapitull të ri. Çelësi është një “pakt i madh e gjithëpërfshirës” ose siç ajo e quan, një “rebalancim i madh”.

Tre marrëveshjet vendimtare

Marrëveshja me Iranin

Irani, i dobësuar ekonomikisht dhe ushtarakisht nuk mund të përballojë izolimin.

Një version i përditësuar i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 do të ndalte programin bërthamor iranian në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Edhe pse Izraeli do ta kundërshtonte, SHBA-ja mund të ushtroj presion duke reduktuar mbështetjen e pakushtëzuar ndaj tij.

Marrëveshja Izrael–Palestinë

SHBA ka levën më të madhe: furnizimin me armë për Izraelin.

Trump mund ta kushtëzojë këtë mbështetje me një armëpushim në Gaza dhe fillimin e negociatave reale për një shtet palestinez.

Kjo do t’i ofronte Izraelit një “rrugëdalje” nga izolimi ndërkombëtar dhe akuzat për krime lufte.

Marrëveshja Izrael dhe Arabi Saudite

Sauditët nuk njohin Izraelin pa një zgjidhje për Palestinën dhe pa garanci sigurie ndaj Iranit.

Dy marrëveshjet e para do të përmbushnin këto kushte: ndalimi i programit bërthamor iranian dhe fillimi i dialogut për shtetin palestinez.

Arabia Saudite, me fuqinë e saj financiare, mund të ndihmonte rindërtimin e Gazës dhe stabilizimin e rajonit.

Stack shkon edhe më tej, nëse këto marrëveshje do të zbatoheshin, Lindja e Mesme mund të përfitonte nga bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar, duke krijuar një realitet të ngjashëm me integrimin evropian. Nga lëvizja e lirë në rrugët tregtare historike deri te turizmi e shkëmbimet kulturore, fitimet do të ishin të shumëfishta.

Çmimi Nobel?

Për Trump, i cili prej kohësh ka kërkuar të vlerësohet me Çmimin Nobel për Paqe, ky plan do të ishte mundësia e tij më e madhe. “Nëse arrin të thyej ciklin e dhunës, atëherë e meriton”, thotë Stack.