Live Stories from Prishtina

LIVE

31 Gusht, 2025

Pse tregu më i madh në botë është fshehur në të ashtuquajturen “lagjja e mbeturinave” në Meksiko City e në të njëjtën kohë ky treg, “Central de Abasto”, është shtylla kurrizore e restoranteve të nivelit më të lartë!

Statusi i Meksiko City, si një nga kryeqytetet më të mira të kuzhinës në botë shpesh i atribuohet menuve që në gjuhën spanjolle i quajnë “destiguacione” e në shqip njihen me emrin “shije testuese të ushqimeve të shtrenjta” dhe bashkëpunimeve me shefa kuzhine të famshëm që gjenden në lagjen e saj luksoze “Roma Norte”.

Shijet që servohen në rrugët e pasura si të “Roma Norte-s”, përbërës kryesor i kanë pemët e perimet e tregut kaotik të një nga lagjeve më të varfra të qytetit.

I vendosur në Iztapalapa, “Central de Abasto” është tregu më i madh me shumicë në botë, që mbulon 3.27 km katrorë (afërsisht sa madhësia e Parkut Qendror të qytetit të New Yrok) dhe furnizon 80% të prodhimeve të kryeqytetit.

Midis orëve të hershme të mëgjesit 04:00 dhe 08:00, shtrirja e tezgave ndihet si një skenë nga Blade Runner (film i njohur fantastiko-shkencor amerikan, i publikuar më 1982 nga regjisori Ridley Scott, ku korporata të mëdha prodhojnë androidë të quajtur “replicants”), me blerës që hapin rrugën me bërryla përmes shtigjeve të ngushta për të bërë pazar në mijëra depo dhe tezga prodhimesh të shpejta.

Diableros (term meksikan, që përdoret për ata punëtorë që në tregje përdorin karroca të vogla metalike të quajtura “diablito” për të transportuar mallra të rënda) vrapojnë përmes labirintit të turmave dhe kamionëve, duke u kujdesur të mos përplasen me kolegët që mbajnë arka druri mbi kokat e tyre.

Central de Abasto u hap në vitin 1982 për të zëvendësuar La Merced, qendrën tregtare të epokës koloniale të CDMX (i referohemi periudhës nga viti 1521, kur spanjollët pushtuan Tenochtitlán-in e deri rreth vitit 1821, kur Meksika fitoi pavarësinë nga Spanja).

Çdo ditë, tregu mirëpret gjysmë milioni vizitorë dhe përpunon më shumë se 30,000 ton prodhime nga e gjithë Meksika.
Atmosfera e rrëmujshme është karakteristike e Iztapalapas, historikisht është tallur duke u cilësuar si një “lagje plehrash” për deponitë dhe burgjet e saj.

Sot, 43% e dy milionë banorëve të saj jetojnë në varfëri deri në ekstreme, duke e bërë atë një nga lagjet më të varfra të kryeqytetit.
Megjithatë, roli kyç i Central në furnizimin me ushqim të restoranteve të klasit botëror të kryeqytetit po ndryshon përceptimet për këtë lagje.

Edhe pse tregu ka edhe blerës të thjeshtë që dalin nga shtëpia për furnizime ditore, fokusi i Central është për blerjet në shkallë të gjerë.

Sa e sheh një muri me shalqinj të grumbulluar në anën tjetër ke një kamion gjigant me karrota. Era e hudhrave nuhatet para se ta shohësh. Pastaj, e gjen veten drejt një shitësi që shet tacos campechanos të lëngshëme (mish viçi i pjekur në skarë dhe salçiçe me patate dhe “pico de gallo”- salcë). Shumëllojshmëria e madhe e përzgjedhjes së tregut pasqyron shumëllojshmërinë e klimës në Meksikë dhe shitësit vijnë nga i gjithë rajoni për të shitur prodhime unike meksikane.

Shefat e kuzhinës kanë blerë prej kohësh produkte bazë në Central de Abasto, por gjatë 10 deri 15 viteve të fundit, një valë e re pionierësh të kuzhinës luksoze filloi të vinte jo vetëm për prodhime me shumicë, por edhe për përbërës më të rrallë, organikë dhe indigjenë.

Fermerë si Alfredo Cruz Camacho kanë treguar për BBC-në ndryshimin. Në njërën nga shumë tavolinat e gjata të tregut, ai shfaq me krenari panxhar karameli me unaza të brendshme të kuqe dhe të bardha dhe domate të vogla. Pemët dhe perimet që kultivon ai, tërhoqën vëmendjen e shefave të kuzhinës me yje Michelin që vizitonin tezgat, përfshirë Israel Montero të Siembra Comedor.

Shefat e restoranteve me pesë yje, filluan t’i kërkonin Camachos të kultivonte mikrozarzavate për të cilat ai nuk kishte dëgjuar kurrë, si shungiku dhe lëpjetë. “Shefat e kuzhinës janë gjithmonë në kërkim të përbërësve që e bëjnë një pjatë unike, si një vulë dalluese në një kanavacë. Kjo është ajo që unë u ofroj për t’i ndihmuar ata të përfundojnë kryeveprat e tyre”, thotë ai.

Vetëm 45 minuta larg betonit të tregut, në drejtim të lagjes luksoze “Roma Norte”, fillon të dominoj arkitektura elegante e Art Nouveau, kafenetë dhe baret hipstere.

Në këtë zonë luksoze, menutë e ushqimeve të shtrenjta fillojnë nga 2,000 peso (80 paund) – një rritje e konsiderueshme nga tako-t e tregut prej 50 peso (2 paund).

Në këtë lagje ndërrohen atletet me taka për të ngrënë darkë në Lorea, restorant i njohur nga yjet Michelin, i vendosur në një hapësirë të qetë, shumëkatëshe me stil industrial. Shumica e shefave të kuzhinës dërgojnë stafin e tyre për të furnizuar kuzhinën, por shefi Oswaldo Oliva i Loreas zgjohet në agim për ta bërë vetë pazarin në Central.

“Është pjesa ime e preferuar e javës. Të qëndrosh para tezgave të tregut, të shikosh rrëmujën, të dëgjosh zhurmën, të nuhasësh produktet e freskëta, të bisedosh me shitësit është si një dozë adrenaline çdo herë”, thotë ai.

Oliva mbërrin në orën 06:00 dhe bënë pazar për dy orë pa pasur një listë për blerje në mëndje.

“Kur shoh prodhimet, një plan veprimi më shfaqet në kokë dhe ashtu vendosi.”

Një plan i fundit nga qeveria, ka organizuar salla të ngrënies, të cilat janë të hapura nga e marta në të shtunë dhe shërbejnë rreth 160 vakte çdo ditë për t’u marrë me vete për një tarifë minimale prej 11 pesos (0.40 £) secila.

Në formë që të largojnë sasinë e madhe të mbeturinave që mbesin nga pazari, “Central de Abasto” bën donacione me ushqime që mbetet por që mund të përdoret për gatim. Menutë bazohen në një plan vaktesh të hartuar çdo javë në koordinim me kuzhinierët dhe një nutricionist. Ato përbëhen nga oriz, fasule, thjerrëza ose supë dhe një pjatë kryesore që ndryshon çdo ditë.

Nëse ndonjëherë mendoni ta vizitoni këtë treg, BBC ndanë disa informata ndihmuese:

E hapur nga e hëna në të shtunë. Preferohet të mbërrini midis orës 08:00 dhe 12:00 për të shmangur rrëmujën e agimit derisa tregtarët bëhen gati.

Nëse merrni një taksi, ka një tarifë hyrjeje prej 10 peso për makinë. Kërkojini shoferit për t’ju pritur, pasi mund të mos ketë shërbim celular ose WiFi në treg.

Me transport publik, merrni linjën 8 të metrosë deri në stacionin Aculco dhe më pas një autobus M1 për në Central de Abasto.
Vendosni mbrojtëse dielli dhe këpucë për ecje që nuk e keni dert nëse ju ndoten dhe mbani valutën peso për blerjet.

Tregu është i sigurt për turistët, por është më mirë të lini pas sendet e shtrenjta. Vizitorët mund të rezervojnë një tur me guidë për 95 dollarë (70 paund).