Bota
17 Prill, 2025
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka paralajmëruar se Universiteti i Harvardit mund të humbasë të drejtën për të regjistruar studentë të huaj nëse nuk i përmbush kërkesat e administratës Trump për të ndarë informacione rreth disa mbajtësve të vizave.
Ky është një hap i ri në përshkallëzimin e përplasjes mes qeverisë dhe këtij institucioni arsimor.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, njoftoi të mërkurën se DHS ka ndërprerë dy grante për Harvardin me vlerë mbi 2.7 milionë dollarë, raportoi agjencia Reuters.
Noem bëri të ditur se i ka dërguar një letër universitetit, duke kërkuar që deri më 30 prill të dorëzojë të dhëna mbi ato që ajo i ka quajtur “veprimtari të paligjshme dhe të dhunshme” të studentëve të huaj me vizë.
“Nëse Harvardi nuk arrinë të dëshmojë se është në përputhje të plotë me kërkesat për raportim, atëherë do të humbasë privilegjin për të pranuar studentë ndërkombëtarë”, tha Noem në një deklaratë.
Zëdhënësi i Harvardit konfirmoi se universiteti është në dijeni të letrës së Noem që lidhet me anulimin e granteve dhe shqyrtimin e vizave të studentëve të huaj. Ai theksoi se universiteti mbetet i qëndrueshëm në deklaratën e tij të mëhershme se “nuk do të dorëzojë pavarësinë e tij dhe as nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij kushtetuese”.
Administrata Trump ka kërcënuar me ndërprerje të fondeve federale ndaj universiteteve që po përballen me protesta pro-palestineze në kampuse, kundër sulmit ushtarak të Izraelit në Gaza – një aleat i ngushtë i SHBA-së.
Sipas Trumpit, protestuesit përbëjnë një kërcënim për politikën e jashtme të vendit, duke i akuzuar për antisemitizëm dhe simpati ndaj Hamasit.
Në anën tjetër, protestuesit – përfshirë edhe grupe hebreje – thonë se administrata gabon kur e barazon mbrojtjen e të drejtave palestineze dhe kritikat ndaj veprimeve të Izraelit me mbështetjen për ekstremizëm dhe urrejtje ndaj hebrenjve.
Administrata Trump është duke ndjekur gjithashtu masa për të dëbuar disa prej këtyre protestuesve të huaj dhe ka anuluar qindra viza në të gjithë vendin.
“Me një fond prej 53.2 miliardë dollarësh, Harvardi mund të financojë vetë kaosin që krijon – DHS nuk do ta bëjë këtë”, tha Noem, duke akuzuar universitetin për përhapje të një “ideologjie anti-amerikane dhe pro-Hamas”, shkruan ap.
Ndërkohë, Harvardi ka deklaruar më herët se po punon për të luftuar antisemitizmin dhe çdo formë tjetër paragjykimi në kampus, duke ruajtur njëkohësisht liritë akademike dhe të drejtën për të protestuar.