N’Kosovë
3 Maj, 2025
Shkruan: Shuki dhe Erleta
Unë . . . të pranoj ty . . . , që të jesh (gruaja/burri) ime/im në martesë, të të dua dhe të të çmoj (nusja: dhe të të respektoj thellësisht)
Çfarë fjalë të zemrës, e të shenjta deri në…një moment që nuk janë më të tilla.
Në një botë e sistem shoqëror ku martesa shpeshherë trajtohet si kulmi i lumturisë, divorci mbetet i mbështjellë me heshtje, turp e dhembje.
Pse fundi i një kapitulli duhet me u pa si dështim, kur për shumëkë është shpëtimi më i madh? Nuk besoj që ndokush ka dëshirë edhe prej dashurisë divircohet!! Një fillim i ri, është më i mirë se pengu i një lidhjeje të vjetër.
Pasioni shuhet, por pa të edhe shtyhet , në anën tjetër të mundohesh të mbash diçka që të bëhet barrë, të mundon rutina ditore me të e dikur personi që e menduat se e doni përjetë shndërrohet në njeriun më të urryer.
Vetëm gjatë vitit 2024, 1 mijë e 671 çifte i dhanë fund martesës së tyre. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) numri më i madh i shkurorëzimeve gjatë vitit që shkoi, u shënua në muajin shtator, ku 152 çifte u shkurorëzuan.
Divorci është fiesta e guxim, rigjetje e vetes dhe asaj që ty të përshtatet më mirë. Kësaj here, veprimi bëhet me vetëdije të plotë, me maturi e vetëdashuri.
Këtë ide të guximshme mundet me pasqyru ma së miri ajo çka na mbështjell ditën, një koleksioni i ri i modës që thyen çdo pritje tradicionale, “rinisje – veshje për divorc”.
Në vend se me u shfaqë me fytyrë të rënduar, me sy të skuqur e rroba të zymta, pse mos me u kriju një koleksion që propozon një narrativë tjetër: a u ndave? Urime! Shkëlqe! Vishu mirë! Dita e fundit e martesës nuk është trishtim, kërkush nuk ka humbur jetën, është festë e re fillimesh. Një “darewell” (jo veç “farewell”) i hareshëm me buzëqeshje, me ngjyra, me vetëbesim.
Një koleksion që është i njëjtë me ato të dasmave, që përfshin fustane të bardha të ridizajnuara me prerje të guximshme, kostume me copa të shkëputura që simbolizojnë ndarjen dhe ribashkimin me veten, dhe shumë ngjyra sepse divorci nuk është bardhë e zi, por një spektër i tërë përjetimesh që çojnë drejt çlirimit.
Se secili ndryshim që ndodhë e ka atë kohën e vështirë deri në adaptim. Edhe n’martesë të duhet një kohë me u adaptu me kushtet e reja, bashkëjetesën e re, s’është drejt n’lumturi, n’mjaltë (përveç muajit të mjaltit).
Kjo fushatë, përveç se është një akt i fuqishëm simbolik, është edhe një hap drejt një kulture më të shëndetshme emocionale, ku fundet nuk dramatizohen, por përqafohen. Aty ku mbylljet nuk janë tragjedi, por çelësa të rinj për mundësi të panjohura.
Sepse, në fund të ditës, a ka gjë më të bukur sesa me e festu guximin me thanë: “Ky kapitull përfundoi. E tash, fillon tjetri. Me stil.”