Prishtina
1 Qershor, 2026
Me ardhjen e qershorit, kalendari kulturor në Prishtinë fillon me u gjallëru. Hapësirat e pavarura kulturore, galeritë dhe libraritë e qytetit sjellin një varg ngjarjesh që ftojnë publikun me u ndal pak nga ritmi “punë-shtëpi / shtëpi-punë” dhe i thirr me u inkuadru në botën e artit dhe letërsisë
Prej ekspozitave që eksplorojnë identitetin dhe kujtesën, te performancat bashkëkohore dhe aktivitetet që mbledhin komunitetin rreth librave e krijimtarisë, java e parë e qershorit ofron disa arsye të mira për me dalë në qytet.
Një pjesë e programit kulturor të javës zhvillohet në kuadër të Javës së Krenarisë, e cila këtë vit shënon një dekadë të Prishtina Pride.
Përveç dimensionit aktivist, programi përfshin edhe ekspozita, performanca artistike dhe ngjarje kulturore që krijojnë hapësirë për dialog, shprehje artistike dhe përfaqësim.
Jazz, jazz, jazz-i jonë… Sesioni i radhës i Prishtina Jazz Catz sjell disa nga emrat e gjeneratës së re të skenës së jazz-it në Kosovë, në një formacion të veçantë të kuruar nga saksofonisti Dukagjin Muhaxheri.
Dukagjini ka përzgjedhur muzikat në rinjë nga dy institucione arsimore në Kosovë dhe ka zgjedh që ata të shoqërohen me njërin prej kitaristëve më të rafinuar të Kosovës, Faruk Banjska.
Hajde more shkojmë në DefyThem me ngu jazz me 2 qershor.
Më 4 qershor, Galeria Kombëtare e Kosovës hap ekspozitën “Poligloti i heshtun” të artistes Stephanie Rizaj. E njohur për qasjen e saj multidisiplinare, Rizaj ndërthur instalacionin, skulpturën, videon dhe tekstilin për të trajtuar tema që lidhen me identitetin, përkatësinë dhe mënyrën se si ndërtohen raportet tona me botën përreth. Ekspozita premton një përvojë vizuale që fton publikun në reflektim përmes metaforave materiale dhe narrativave personale.
Në Termokiss, një prej qendrave më aktive të kulturës alternative në qytet, më 3 qershor prezantohet “No Apologies” nga Emma Frankland.
Performanca e artistes britanike merr si pikënisje një moment të njohur të kulturës pop dhe e transformon atë në një rrëfim intim që ndërthur kujtesën, identitetin dhe përvojën personale. Pas shfaqjes, publiku do të ketë mundësi të vazhdojë diskutimin në një bisedë të hapur me artisten.
Ndërkohë, hapësira Lavjerr’s që së fundi bajgi disa ngjarje po zhvillohen atje, po mirëpret ekspozitën fotografike “Ku je Fysun?” të Arin Agich. Përmes fotografive që lëvizin mes dokumentimit dhe poezisë vizuale, ekspozita eksploron temat e mungesës, kujtesës dhe lidhjeve emocionale që vazhdojnë të jetojnë përtej kohës dhe distancës.
Ata që preferojnë të kalojnë fundjavën mes librave, krijuesve lokalë dhe objekteve unike mund të ndalen në Pazarin e Qershorit në Termokiss, ku artistë, artizanë dhe koleksionues prezantojnë punimet e tyre në një atmosferë të hapur dhe komunitare.
Ndërkaq, Libraria Dukagjini vazhdon programin e saj kulturor me Fiesta Letrare, një javë kushtuar librave, autorëve dhe kënaqësisë së zbulimit të leximeve të reja. Aktiviteti synon të krijojë një hapësirë takimi për lexuesit dhe të promovojë kulturën e librit në qytet.
https://www.instagram.com/p/DYhUoiMjCrp/?img_index=1
https://www.facebook.com/share/v/1Dw3qhiZSn/
https://www.instagram.com/p/DY5K6D8F88L/
https://www.facebook.com/share/p/1EjdsZitv1/
https://www.instagram.com/p/DY4QzdWjZav/?img_index=1

