N’Kosovë
3 Dhjetor, 2024
Në zemër të Kosovës, aty ku dasmat janë “kryevepra” e kulturës popullore, na është mbledhur “paria” e dasmave për një mision historik.
Të zgjedhin kamarierin më të mirë të dasmave!
E dimë, e dimë……
Në botën perëndimore zgjedhin kryetar dhe deputet, por çfarë kuptimi ka, kur në Kosovë na duhet një “hero” i vërtetë, një kamarier që t’i qajë sallat.
Dasma shqiptare nuk është thjeshtë vetëm një ceremoni. Është një sfidë, një guxim.
A keni rastisë ju në ndonjë dasëm që përfundon me dy mijë euro? Ose me pesë mijë euro?
Të gjithë, japim para me bollëk, për një natë që mbahet mend vetëm për fustanet vezulluese, dekorin e shtrenjtë dhe sigurisht kamarierin që duhet të sillet më shpejt se sa era që frynë në zonën e Dukagjinit.
E ky kamarieri, që po kërkojmë duhet t’i ketë disa veçori të rralla.
Së pari, duhet të jetë ekspert i pjatave të mishit.
Nuk është detyrë e lehtë të bartësh pirgjet me qofte e mish të pjekur pa rrëzuar asgjë.
Sidomos kur tezakë e baxhanakë kanë marrë nga një pjatë më tepër dhe secili përpiqet ta rrëmbejë mishin nga ajri.
Së dyti, kamarieri ideal në realitetin shqiptar, duhet të jetë psikolog dhe diplomat.
Mos kujto se është shaka!
Ai duhet të përballojë çdo kërkesë të llojit: “Qysh bre s’po mi bjen birrat e ftohta?
Këtu s’ke të bësh me një kërkesë të zakonshme, është çështje krenarie që mund të përfundojë në fyerje kombëtare nëse nuk trajtohet me kujdes.
Mbi të gjitha, kamarieri duhet të jetë maestro në performancë ahengjesh.
Në fund të fundit, një kamarier i mirë e ruan “shenjtërinë” e dasmës kosovare, duke e bërë atë të mbahet mend jo për çmimin e faturës, por për akrobacionet që të kthejnë në vëmendje skenat e “Cirque Du Soleil”.